Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pranoi kërkesën e SPAK, për lëshimin e 7 masave të sigurisë, për Ilir Beqajn dhe persona të lidhur me të, të cilët akuzohen se kanë abuzuar me fondet e BE, përmes agjensisë SASPAC. Bashkë me Ilir Beqajn, GJKKO ka miratuar masën “arrest me burg” për Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollën, ndërsa është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për biznesmenin Gazmend Haxhia dhe menaxherin e futbollistëve Elton Marini.
Gjithashtu, mësohet se Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar kontrollin e banesave të shtetasve Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, ndaj të cilëve është dhënë masa e detyrimit të paraqitjes. Me emërimin e Ilir Beqajt në krye të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, prokurorët kanë dyshime se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.
Ermal Kurtulaj ka qenë koordinatori i projektit EUSAIR, projekt i rëndësishëm i mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian dhe që menaxhohej nga Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Ai ka njohje të hershme me Ilir Beqajn që datojnë në kohën kur ish-ministri ka qenë ortak i shoqërisë Intech+, duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e agjencisë SASPAC, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point. Jo vetëm kaq, Beqaj dhe Kurtulaj ka dyshime që zotërojnë biznese të përbashkëta, ndërsa ish-ministri lëvizte me makinën e vartësit të tij, të cilin e konsideronte mik.
Si përfshihet biznesmeni Gazmend Haxhia në skenë
Gazmend Haxhia dhe biznesmenë të tjerë, që janë përmendur në dosjen e SPAK, përmes prerjes së faturave fiktive, për shërbime që nuk kryheshin, kanë ndihmuar Beqajn në përvetësimin e fondeve. Në dosjen e SPAK, thuhet se EUSAIR, programi që koordinohej nga Kurtulaj, Kurtulaj ka pranuar një faturë nga shoqëria tregtare “Landways international” për 149 800 euro. Administrator i kësaj kompanie rezulton Gazmend Haxhia. Më tej, duke ndjekur transaksionet e kësaj kompanie, SPAK-ut i ka rezultuar se kjo kompani ka bërë pagesa ndaj restorantit G’Zona nëpërmjet katër faturave në vlerën e 44 mijë eurove. G’Zona është restoranti që ndodhet në zonën e Kalasë së Tiranës, dhe që ka pronar fundor Ilir Beqajn.
Rasti i Elton Marinit
Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme rezulton se Kurtaj ka biseduar me shtetasin Genci Shurdho duke i kërkuar të presë një faturë fiktive me vlerë 35 200 euro. Shurdho nuk e ka kryer vetë shërbimin, dhe ka kontaktuar për këtë Elton Marinin, i cili është administrator i kompanisë “Nine Services INT” dhe në emër të kësaj shoqërie ka prerë dhe faturën e mësipërme. Aktiviteti i saj është i depozituar në QKB, që ka të bëjë me pjesëmarrjen në çdo veprimtari apo aktivitet të ligjshëm; Shërbime dhe konsulentë mbi aktivitete sportive, në veçanti për sportin e futbollit etj.
Në dosjen e SPAK thuhej: “Në datë 18.08.2023, ora 17:42, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga Nine Services INT me përshkrimin “Konsulencë bazuar në kontratë”, në shumën 35.200 euro, faturë pa TVSH, e cila lidhet me bisedën që shtetasi Ermal Kurtulaj ka zhvilluar me shtetasin Genci Shurdo në datë 02.08.2023. Duke qenë se shtetasi Genci Shurdho nuk ka mundur ta lëshojë këtë faturë, personi nën hetim ka siguruar lëshimin e kësaj fature nëpërmjet shtetasit Elton Marini, ortak dhe administrator i shoqërisë tregtare “Nine Services INT” SHPK, me numër Nipti L72303022H. Nga ekstrakti i thjeshtë i dhënave të regjistrimit në QKB, rezulton se kjo shoqëri është krijuar në datë 03.11.2017 dhe ka ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Elton Marini, me adresë Rruga Frosina Plaku, ndërtesa 36, Hyrja 8. Kjo shoqëri ka si objekt të aktivitetit të saj “Shërbime dhe konsulentë në aktivitet sportive, në veçanti në sportin e futbollit, konsulencë në mbarëvajtjen e situatave kontraktuare për kategorinë e sportistëve futbollistë, ndërmjetësim për shitjen e të drejtave televizive që lidhen me aktivitete sportive futbollisti etj”. Nga aksesimi i listëpagesave për muajin tetor 2023, rezulton se të punësuar pranë kësaj shoqërie janë deklaruar shtetasit Elton Marini dhe Odeta Marini”.