Gjykata vendosi që dosja “5D” të gjykohet në formën e procedurës së zakonshme, duke rrëzuar kërkesën e katër të akuzuarve për ndarje dhe gjykim të veçantë për shkak të natyrës së ndryshme të veprave penale.
Kjo do të thotë se i gjithë grupi do të përballet me drejtësinë së bashku.
Procesi në themel do të nisë për tre ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Redi Molla, Taulant Tusha, Mariglen Qato si dhe për Enton Punavijën, Julian Zanajn, Alban Jankun dhe Nestor Muhametllarin.
Më parë, trupa gjykuese kishte refuzuar edhe kërkesën për t’u gjykuar me procedurë të shkurtuar.
Ish-drejtorët e Bashkisë u arrestuan në mars 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për këtë dosje.
Ata u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë u caktuan masa sigurie “detyrim paraqitje”. Në këtë grup janë edhe Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhametllari, si dhe Deborah Keçi dhe Englatina Zere, të cilat së bashku me anëtarët e “KVO” janë veçuar nga ky proces.
Sipas SPAK, Mariglen Qato dhe Redi Molla konsiderohen pronarë të kompanisë “5D”, që sipas hetimeve ka fituar disa tendera pranë Bashkisë së Tiranës.
Në total, bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi gjatë periudhës 2016-2022. Kompania njihet edhe me emrat alternativë “Igor Electric” dhe “Vas Construction”.