“Mami u kënaq kur i thashë se do të flasi me ju.” Këto fjalë, të kapura në një përgjim të SkyEcc, nuk janë pjesë e ndonjë bisede të zakonshme familjare. Është vajza e një gjyqtareje, gjithashtu pedagoge në Universitetin e Elbasanit, që kontakton bandën Çopja për të eliminuar një gazetar. Vetëm sepse ai zbuloi korrupsionin e nënës së saj në emisionin “Stop”.
Kjo histori makabre vjen pikërisht kur kreu i SPAK, Altin Dumani, ngre alarmin: “Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara, por ata që kaluan vetingun.” Është një konfirmim zyrtar i asaj që të gjithë e dinë – drejtësia shqiptare është kthyer në një vend ku toga e zezë fsheh krime më të errëta se vetë bandat.
Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu është bërë simboli i këtij degradimi.
“Nuk po e gjejmë dot qenin, fle te Plaza” i raportonte Marjus Lulaj (Suel Çela) gjyqtares për gazetarin Saimir Kodra. “Atë që të ka ba ty ai do ta paguajë 10-fish.” Por lista e zezë nuk ndalej aty. Avokati Arben Llangozi do të “përfundonte si Raviku” – një referencë e qartë për avokatin Ravik Gurra, të ekzekutuar në mes të Elbasanit në vitin 2019.
Prej bandës Çopja, ish gjyqtarja kishte marrë ryshfet 11 mijë euro dhe një monedhë floriri. Por pazaret me krimin nuk ndaleshin me kaq. Në 2021, Fetahu u filmua duke kërcyer në lokalin e Suel Çelës, një nga bosët e krimit të cilin vetë e kishte gjykuar në 2008 për vrasje me paramendim. Një sfidë e hapur ndaj çdo parimi të drejtësisë, një shfaqje publike e aleancës së errët mes togës së zezë dhe krimit të organizuar.
“Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive” thotë Dumani për gjyqtarët që kaluan vetingun. Por realiteti është edhe më i errët – ata jo vetëm korruptohen, por janë gati të vrasin për të mbuluar korrupsionin e tyre.
Endri dhe Klejdi Çopja nuk u zgjodhën rastësisht për këtë detyrë. Pjesë e bandës së Suel Çelës, të njohur për atentatin me tritol ndaj Lulzim Kullës, ata përfaqësonin mesazhin e qartë të sistemit: Kush denoncon korrupsionin në drejtësi, do të heshtë përgjithmonë.
Pas gjashtë vitesh vetting, ku u kontrolluan më shumë se 800 gjyqtarë dhe prokurorë, situata mbetet alarmante. Mbi 300 prej tyre u shkarkuan për probleme me pasuritë, lidhje me krimin apo paaftësi profesionale. Të tjerë dhanë dorëheqjen për t’i shpëtuar kontrollit, si Fetahu. Por më e rënda është se edhe ata që kaluan këtë proces rivlerësimi, vazhdojnë të jenë të korruptuar.
Korrupsioni nuk është më thjesht një shqetësim – është kthyer në gangrenë që po përhapet në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor. Çdo ditë që kalon, qytetarët e humbasin gjithnjë e më shumë besimin te drejtësia.
Deklarata e kreut të SPAK tronditi themelet e pushtetit. Krerët e inkriminuar të politikës u përpoqën ta mbulonin, duke urdhëruar mediat e tyre të bënin sikur nuk ndodhi asgjë. Por drejtësisë nuk i shpëtojnë dot – SPAK po heton pa dallim çdo gjyqtar të përfshirë në korrupsion.
“Do përfundosh si Raviku.” Ky kërcënim i thjeshtë kap thelbin e një sistemi ku gjyqtarët janë bërë më të rrezikshëm se vetë bandat që duhet të dënojnë. Ku drejtësia është kthyer në një strofull krimi me toga dhe ku çdo denoncim korrupsioni mund të të kushtojë jetën.
Rasti Fetahu është vetëm maja e ajsbergut. Sa të tjerë si ajo vazhdojnë të veshin togën e zezë çdo ditë? Sistemi ynë gjyqësor po shkon drejt një pike pa kthim, ku çdo vendim do të diktohet nga lidhjet me krimin dhe çdo zë kundër do të rrezikojë të heshtë përgjithmonë.
SPAK duhet të godasë pa mëshirë, pa dallim hierarkie apo pozicioni. Vetëm kështu mund të shpëtojmë atë që ka mbetur nga drejtësia shqiptare!
/gazetareforma.com