“Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”
Si e thotë ajo fjala e famshme: “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”?
Është e njohur kjo shprehje kryesisht për udhëheqës që nuk kanë çfarë japin më për popujt e tyre dhe i ‘ushqejnë me lugë bosh’.
Edi Rama, ka përgatitur në Tiranë një paradë të madhe sot më 28 nëntor, e cila do të jetë një demonstrim i shoqatave patriotike kryesisht të diasporës për festën tonë kombëtare.
Kjo paradë, nuk bëhet në një vit jubilar të themelimit të shtetit shqiptar, pasi 110 vjetori ishte vjet, e jo sivjet. Pastaj, kryesisht festa e madhe sipas traditës së krijuar është bërë në Vlorë, kryeqendrën ku Ismail Qemali dhe delegatët nga të gjithë trojet u mblodhën në Kuvendin që bëri Shqipërinë.
Po pse babloku po e mban këtë aktivitet masiv tani në Tiranë?
Është normale që parada e “Rrënjët Shqiptare” të zhvillohet në diasporë- Nju Jork, Kanada, Europë, apo edhe në Prishtinë, apo edhe në troje të tjera ku jetojnë shqiptarë si në Shkup, Ulqin, Tuz, pra jashtë territorit të shtetit shqiptar. Për të treguar në vendet e tyre identitetin dhe simbolikën kuqezi që ata përcjellin.
Po në Shqipëri, kjo simbolikë edhe pse e bukur dhe e mirëpritur, nuk se e ka të fortë këtë mesazh.
Megjithatë, shqiptarët, si popull i lidhur fort me simbolikat patriotike pasi jemi një shtet e komb i ri relativisht, gjithmonë i mirëpresin festimet për Flamur.
Politika megjithatë, shpesh herë i keqpërdor duke i orientuar për interesat e saj. Siç edhe duket se Edi Rama po e përdor këtë paradë, njëjtë siç e kishte organizuar edhe samitin e diasporës.
Ku e nxori kokën thelbi i mesazhit në fjalën e Edi Ramës. Kur gozhdoi Albin Kurtin si i munguari i madh, e që po bojkoton një samit kombëtar.
Ndërsa kësaj radhe, qëllimi është sërish diabolik. Maqedonia e Veriut është para zgjedhjeve parlamentare, ku për herë të parë është pranë mundësia e humbjes së peshës politike të partisë së Ali Ahmetit-BDI, si forca politike kryesore shqiptare atje. E këtu nuk se kanë gjë për të humbur shqiptarët. BDI është në pushtet që prej vitit 2006 pa lëvizur e ka qenë me të gjithë në koalicion si me VRMO-DPMNE-në, ashtu edhe me LSDM-në.
Në mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ka një grup politik të rëndësishëm opozitar të BDI-së, që jo vetëm vjen si alternativë, por edhe ka një frymë të ndryshme dhe më plurale nga qeverisja autokratike e “Ali Babës”. E pikërisht prej kësaj fryme autokratike i është larguar një grup i rëndësishëm politik, që është ai i BDI-së së Çairit, pra Shkupit me në krye ish-kreun e komunës dhe numrin dy të BDI-së, Izet Mexhiti.
I cili së bashku me partitë e tjera opozitare shqiptare: Besën e Bilall Kasamit, Aleancën Shqiptare të Arben Taravarit, ka formuar një aleancë politike. Kjo aleancë drejton qytetet më të mëdha shqiptare në Maqedoninë e Veriut: Tetovën, Gostivarin, Shkupin shqiptar pra Çairin. BDI ka vetëm komunën e Strugës, ku kryetari i tij Ramiz Merko është shpallur ‘Non -Grata’ nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Albin Kurti, ka dalë në mbështetje të kësaj aleance, që nuk është qëndrim i ri, pasi kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e vitit 2021. Kur Vetëvendosja përkrahu hapur, madje lidhi aleancë me Aleancën Shqiptare që atëherë drejtohej nga Zijadin Sela. Këtu nuk kemi asgjë të re, e lidhja politike apo simpatia nuk se është e fshehur.
Mirëpo Edi Rama, po e kthen paradën e 28 nëntorit, në një grupim të madh kundër Albin Kurtit, por edhe partive opozitare shqiptare të Maqedonisë. Mësohet se njeriu që do të mbajë fjalën kryesore në ceremoni do të jetë “Baba” i BDI-së Ali Ahmeti.
Erion Veliaj, ka ftuar edhe krerët e bashkive shqiptare në rajon, ku në fillim janë përgjigjur ata që drejtohen nga opozita në Kosovë, dhe kreu i komunës së Dibrës së Madhe në Maqedoni. Natyrisht i janë shtuar edhe kreu i komunës së Ulqinit që i përket partisë së Dritan Abazoviçit.
Kreu i Besa që drejton Tetovën ende nuk e ka konfirmuar ardhjen e tij. Ndërkohë, Taravari i Gostivarit, ka pranuar menjëherë, për të mos i lënë mundësi spekulimi, të paktën aq sa mundet organizatorëve të paradës. E cila ka një diabolizëm që në krijim. Pasi Rama, e ka organizuar me disa personazhe të rëndësishme të shqiptarëve nga SHBA që janë nga trojet tona në Mal të Zi, si Mark Gjonaj. I cili është edhe njeriu që ka mbështetur dhe krijuar “Rrënjët Shqiptare”.
Tentativa e Ramës është që të krijojë pikërisht nga shqiptarët e Malit të Zi, trevë ku është edhe origjina e Albin Kurtit, një rrethim ndaj kryeministrit të Kosovës. Në vend që ‘t’i bashkojë të gjithë e madje të promovonte faktin që dy kryeministra shqiptarë si Albin Kurti e Dritan Abazoviçi janë nga komuna e Ulqinit, ai po tenton t’i fryjë ndarjes.
Realisht, ka një arsye pse Rama po e bën këtë fushatë të madhe pro Ali Ahmetit këtë 28 nëntor. Pasi nëse rrezohet “Baba”, nis menjëherë edhe rrëshqitja e Bablokut…/Pamfleti