Ishte pothuajse sikur pandemia të mos kishte ndodhur kurrë. Në Këln, mijëra njerëz të veshur bukur kërcyen krah për krah në një turmë gjigante, teksa numëronin mbrapsht për fillimin e sezonit vjetor të karnavaleve, në orën 11 të mëngjesit të 11 nëntorit.
Në Paris, baret u hapën vonë dhe u mbushën plot, në Ditën e Armëpushimit një festë kombëtare. Në Amsterdam, ishte si zakonisht me kafenetë e tejmbushura.
Por në vend që të paralajmërojnë fillimin e festimeve, ato net të javës së kaluar mund të kenë qenë grumbullimet e fundit, teksa një valë e katërt e koronavirusit përfshin Evropën. Një duzinë qytetesh holandeze anuluan paradat popullore që shënonin ardhjen e përvitshme të Sinterklaasit fundjavën e kaluar dhe tregjet e Krishtlindjeve në Gjermani mund të anulohen.
“Nuk mund të imagjinosh të rrish në treg duke pirë verë të vluar ndërsa spitalet janë plot dhe duke luftuar për burimet e fundit”, tha kryeministri i shtetit të Saksonisë, Michael Kretschmer.
Ndërsa Holanda të shtunën e kaluar u bë vendi i parë i Evropës Perëndimore që nga vera, që vendosi një bllokim të pjesshëm, Evropa është përsëri qendra e pandemisë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infeksionet në të gjithë kontinentin u rritën me 7% dhe vdekjet me 10% javën e kaluar, duke e bërë të vetmin rajon botëror ku rastet dhe vdekjet janë në rritje të vazhdueshme.
Gati dy të tretat e infeksioneve të reja – rreth 1.9 milionë – ishin në Evropë, tha OBSH, duke shënuar javën e gjashtë radhazi që përhapja e virusit është rritur në të gjithë kontinentin. Me përjashtim të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku mbulimi i vaksinave është dukshëm më i ulët, pranimet në spital dhe vdekjet mbeten shumë më të ulëta se një vit më parë.
Ekspertët pajtohen se një kombinim i marrjes së ulët të vaksinave, imunitetit të zvogëluar midis njerëzve të vaksinuar herët dhe moszbatimit të masave, si maskat dhe distancimi është shkaku më i mundshëm.
“Vaksinat po bëjnë atë që u premtua: parandalimin e formave të rënda të sëmundjes, dhe veçanërisht vdekshmërisë”, tha Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën. “Por ato janë arma jonë më e fuqishme vetëm nëse përdoren së bashku me masat parandaluese.”
Marrja e vaksinave në kontinent është më e lartë në Evropën Jugore, me Portugalinë, Maltën dhe Spanjën që të gjitha kanë vaksinuar me dy doza më shumë se 80% të popullsisë së tyre, dhe Italia që ndodhet jo shumë prapa me 73%, sipas shifrave nga Our World in Data.
Mesatarja shtatëditore e infeksioneve të reja është më e ulëta në ato vende, me rreth 100 për 1 milion njerëz – por ato janë duke u rritur.
Trieste, e cila muajin e kaluar pa protesta kundër Greenpass në Itali – e cila kërkon që punëtorët të tregojnë prova të vaksinimit, imunitetit ose një test negativ të kohëve të fundit – ka parë rastet ditore të rriten më shumë se dyfish. “Ne jemi kthyer në ditët e errëta,” tha kreu i një prej njësive të kujdesit intensiv të qytetit javën e kaluar, pas një rritje të shtrimeve në spital, 90% e të cilëve ishin të pavaksinuar.
Por Holanda, Franca dhe Gjermania, ku mbulimi me vaksina është vetëm disa pikë përqindje më i ulët, kanë filluar gjithashtu të përjetojnë një rritje të infeksioneve. Holanda, e cila ka vaksinuar plotësisht 73% të popullsisë së vet, tani është në një izolim të pjesshëm tre-javor, duke mbyllur bare, restorante dhe dyqane thelbësore nga ora 20:00, mbyllur dyqane dhe shërbime jo thelbësore nga ora 18:00 dhe kufizuar grumbullimet në shtëpi në katër të ftuar, pasi vendi, i cili relaksoi shumicën e kufizimeve gjatë verës, regjistroi një mesatare shtatë-ditore të infeksioneve të reja, prej 609 për një milion javën e kaluar.
Pothuajse 69% e popullsisë është gjithashtu plotësisht e vaksinuar në Francë, sipas Our World in Data. Një leje shëndetësore është e nevojshme për të hyrë në dyqane, bare dhe restorante, për të hipur në aeroplan ose për të marrë një tren në distanca të gjata që nga vera, dhe maskat mbeten të detyrueshme në hapësirat e brendshme publike – por rastet e reja janë rritur në përqindje dyshifrore, çdo javë, për një muaj resht.
“Ajo që po përjetojmë në Francë duket qartë si fillimi i një vale të pestë,” tha ministri i shëndetësisë, Olivier Véran, pasi mesatarja shtatëditore e rasteve të reja, megjithëse ende relativisht e ulët, u ngjit në 134 për një milion.
Emmanuel Macron tha se nga 1 dhjetori, mbi 65 vjeçarët dhe njerëzit në grupet e riskut, që nuk kishin bërë një injeksion të tretë nuk do të kishin më të drejtë për leje shëndetësore dhe në të njëjtën kohë, programi i dozës së tretë do të zgjerohej për moshën mbi 50 vjeç.
Gjermania, ku 66.5% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, është në prag të një vale të katërt që mund të jetë më e rënda deri tani, duke regjistruar shkallët më të larta ditore të infeksioneve të pandemisë javën e kaluar, me 48,640 raste të reja të premten. Mesatarja e shtatë ditëve ishte më shumë se 381 për 1 milion.
Kreu i agjencisë gjermane të kontrollit të sëmundjeve paralajmëroi se repartet e kujdesit intensiv po përballen me një mbingarkesë të paprecedentë, duke thënë se vendi ishte “pesë minuta para mesnatës”, ndërsa shtetet më të goditura po mendojnë për izolime.
Në Berlin, vetëm njerëzit që janë vaksinuar ose janë shëruar kohët e fundit lejohen të vizitojnë restorante, kinema dhe parukeri. Ministri federal i shëndetësisë, Jens Spahn ka propozuar tani rregulla të ngjashme për hyrjen në evente publike.
Christoph Spinner, një infektolog në spitalin universitar të Mynihut Rechts der Isar, vuri në dyshim nëse edhe këto masa do të ishin të mjaftueshme. “Ajo që na duhet tani është një veprim i bashkërenduar dhe i rreptë nga qeveria federale, dhe nuk jam i sigurt se aktualisht e kemi atë,” deklaroi ai.
Me shkallën më të ulët të vaksinimeve (62.8%) dhe shkallën më të lartë të infeksioneve (më shumë se 1,000 raste ditore për 1 milion) nga pothuajse të gjitha vendet e Evropës Perëndimore, Austria të dielën e kaluar vendosi një izolim për njerëzit e pavaksinuar në dy rajonet e saj më të goditura.
Kancelari Alexander Schallenberg konfirmoi se njerëzit e pavaksinuar në rajonet e Austrisë së Epërme dhe Salzburgut do të lejohen të largohen nga shtëpia vetëm për arsye specifike të nevojshme, si blerja e sendeve ushqimore ose shkuarja te mjeku.
Austria, Zvicra dhe Gjermania kanë përqindjet më të larta të njerëzve të pavaksinuar në Evropën Perëndimore, megjithëse arsyet specifike mund të jetë e vështirë të përcaktohen. Krahasuar me shtete të Evropës Jugore si Italia apo Spanja, të treja kanë përjetuar valë relativisht të buta deri më tani, ndoshta duke bërë që shumë të nënvlerësojnë se sa vdekjeprurës mund të jetë virusi.
Njerëzit po pranojnë gjithashtu “mjekësinë alternative”: në Gjermani, për shembull, ilaçet homeopatike mund të blihen në farmaci dhe mbulohen nga fondet e sigurimeve shëndetësore.
Komisioneri special i qeverisë për Gjermaninë Lindore, Marco Wanderwitz, ka sugjeruar që rezistenca ndaj vaksinave mund të ketë një dimension politik në rajonin e tij të lindjes në Saksoni, një bastion i Alternativës për Gjermaninë, një forcë e ekstremit të djathtë. “Ekziston një lidhje e qartë midis mbështetjes për AfD dhe refuzimit të vaksinave,” tha Wanderwitz.
Në Austri, Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë (FPÖ) gjithashtu ka mbështetur me më shumë entuziazëm pikëpamjet anti-vaksinim.
Në Evropën Qendrore dhe Lindore, pjesa më e madhe e së cilës doli nga sundimi komunist 30 vjet më parë, varfëria, edukimi i dobët shëndetësor dhe keqinformimi janë kombinuar me një mosbesim të rrënjosur tek qeveria dhe institucionet shtetërore për të prodhuar nivelet më të ulëta të marrjes së vaksinave në Evropë.
Si rezultat, nëntë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore aktualisht janë me normat më të larta të vdekjeve nga koronavirusi në BE. Rumania dhe Bullgaria kanë normat më të larta ditore të vdekshmërisë në bllok me rreth 22 për 1 milion – mbi 30 herë më shumë se normat në Francë, Spanjë dhe Portugali.
Pavarësisht furnizimeve të bollshme me vaksina, vetëm 34.5% e banorëve të Rumanisë kanë marrë dy doza dhe 23.04% e Bullgarëve. Të dyja kohët e fundit kanë vendosur kufizime më të ashpra, ndërsa Letonia vendosi një bllokim katër-javor që nga mesi i tetorit.
Hans Kluge tha javën e kaluar se autoritetet duhet të përshpejtojnë përhapjen e vaksinave, duke përfshirë vaksinat përforcuese për grupet në rrezik dhe dozat për adoleshentët. “Shumica e njerëzve të shtruar në spital dhe që vdesin nga Covid-19 sot nuk janë të vaksinuar plotësisht,” tha ai. Por masat e shëndetit publik dhe ato sociale ishin po aq jetike, tha Klugge, duke shtuar se OBSH vlerësoi që përdorimi i maskave universale në Evropë mund të shpëtonte pothuajse 200,000 jetë.
Të zbatuara “në mënyrë korrekte dhe të vazhdueshme”, masat parandaluese “na lejojnë të vazhdojmë jetën tonë, jo e kundërta”, tha Kluge.Observer – Bota.al/