KE me anë të një postimi në Twitter njofton se sot ka nisur dërgimi i vaksinës në 27 vende të BE. Në një video të publikuar, KE bën të ditur se dozat e vaksinave janë paketuar dhe u nisën drejt vendeve anëtare, ku edhe do të fillojnë fushatën e vaksinimit.
“Pasi të paketohen me kujdes vaksina e sapo aprovuar COVID-19 po dërgohen në 27 vende të Bashkimit Europian. Këto vaksina së shpejti do të mbërrijnë në destinacionin e tyre për t’u përdorur gjatë ditëve 27, 28 dhe 29 Dhjetor,” deklaron Komisioni Evropian.
Komisioni Evropian e ndezi dritën jeshile para dy ditësh për vaksinat e Pfizer dhe BionTech për përdorim në 27 vendet anëtare të bllokut.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve e autorizoi vaksinën për 446 milionë banorët e BE-së, pasi ajo ka dalë tashmë në qarkullim në Britani dhe SHBA. Më pas, komisioni dha miratimin e tij ç’ka do të thotë se vaksinimi është edhe një hap më pranë. Agjencia e BE tha se vaksina ka dëshmuar një efikasitet prej 95 për qindësh dhe mund të përdoret tek personat mbi moshën 16 vjeç.
‘Lajmi i sotëm pozitiv është një hap i rëndësishëm përpara në luftën tonë kundër kësaj pandemie që ka shkaktuar shumë vuajtje dhe vështirësi për shumëkënd. Bazuar në vlerësimet tona mund të sigurojmë qytetarët evropianë për sigurinë dhe efikasitetin e kësaj vaksine dhe se ajo plotëson standartet e nevojshme të cilësisë. Sidoqoftë, puna jonë nuk ndalet këtu. Ne do të vazhdojmë të mbledhim dhe analizojmë të dhëna për sigurinë dhe efikasitetin e kësaj vaksine në mënyrë që të mbrojmë çdo evropian’- thotë Emer Cooke, shefe e EMA.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim në Twitter tha se sot i është shtuar një kapitull i ri historisë evropiane të suksesit duke bërë të disponueshme vaksinën e parë anti covid për evropianët.
‘Ashtu siç kemi premtuar, kjo vaksinë do të jetë e vlefshme për të gjitha vendet në të njëjtën kohë dhe me të njëjtat kushte. Sasia e parë e kësaj vaksine do të fillojë të shpërndahet nga fabrika e Pfizer këtu në Belgjikë, ditët e ardhshme’- tha von der Leyen.
Gjermania ka ngritur tashmë qendrat e imunizimit masiv dhe shpreson që dozat e para t’i administrojë tek qytetarët më vulnerabël më 27 dhjetor. Vaksina jepet me dy doza, në distancë prej 21 ditësh, me dozën e dytë që është përforcuese. Imuniteti nis të rritet që pas dozës së parë, por arrin efikasitet të plotë shtatë ditë pas dozës së dytë.
Pjesa më e madhe e efekteve anësore janë të lehta, të ngjashme me ato të çdo vaksine tjetër dhe zakonisht zgjasin për jo më shumë se një ditë. BE ka porositur 300 milionë doza të kësaj vaksine, të mjaftueshme për 150 milionë banorë, por vetëm një numër i kufizuar njerëzish do të mund të vaksinohen menjëherë.
/Gazetareforma.com/