Zbardhen të tjera detaje nga hetimet për atentatin e 17 prillit në zonën e Lundrës, ku u qëllua me breshëri plumbash drejt një automjeti tip Range Rover.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë përftuar mostra ADN-je mikse pas analizave laboratorike, të cilat po krahasohen me të dhënat ekzistuese në sistem për të identifikuar autorët.
Gjurmët janë siguruar nga disa sende të gjetura pranë vendit ku dyshohet se ishin strehuar autorët para se të kryenin atentatin.
Mes tyre janë çanta, doreza dhe pinca, që sipas hetuesve mund të jenë përdorur për të prerë gardhin rrethues ku ishin fshehur me motor.
Hetuesit janë fokusuar gjithashtu te këqyrja e kamerave të sigurisë jo vetëm në ditën e atentatit, por edhe në ditët para ngjarjes.
Dyshimet e deritanishme sugjerojnë se autorët kanë qarkulluar në zonën e Lundrës për disa ditë, duke studiuar terrenin dhe duke përgatitur vendin e sulmit.
Analiza të mëtejshme janë në proces, ndërsa grupi hetimor ka përftuar të dhëna që konsiderohen të rëndësishme për ecurinë e çështjes.
Pritet që krahasimi i ADN-së të japë indicie të vlefshme në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të atentatit.