Sekretariati i Etikës së Kuvendit ka vendosur pas mbledhjes së sotme përjashtimin e dy deputetëve të PD-së, Elda Hoti dhe Petrit Doda me 10 ditë nga seancat plenare. Në shkresën që është hartuar nga grupi i PS-së, drejtuar Sekretariatit të Etikës, kërkohet masë disiplinore për deputetët e PD-së, Elda Hoti dhe Petrit Doda, që penguan zhvillimin e seancës së djeshme.
Gjithashtu, një kërkesë tjetër në dorë të Sekretariatit të Etikës sot, ishte dhe ajo e grupit të PD-së për përjashtimin e deputetëve socialistë, Erion Braçe, Ilir Metaj dhe Plaurent Ndreca nga komisioni hetimor në shëndetësi. Por kjo këkresë nuk u mor në konsideratë, pasi ishte dorëzuar jashtë afatit 48 orësh pas ngjarjes.
Partia Socialiste dërgoi në Kuvend kërkesën për marrjen e masave disiplinore, për përjashtimin e 2 deputetëve të PD, që dje në sallën e seancave plenare nuk lejuan zhvillimin normal të saj (17 Tetor).