Vrasja e parë ndodhi moralisht. Vrasja e dytë po tentohet sot, teksa institucionet nxitojnë të varrosin të vërtetën.
Një polic në prag të vdekjes në Spitalin e Traumës. Shtyllë kurrizore e thërrmuar. Jetë e varur në një fill. Por AMP-së nuk i dridhet dora kur shkon të marrë një “deklaratë me shkrim” nga një njeri që mezi merr frymë. Deklarata që u duhej – “nuk ka pasur presion”. Deklarata që do t’u shërbejë si mburojë.
Ndërsa trupi i një polici dergjet në spital, mediat e blera gjejnë më në fund zërin – jo për të investiguar tragjedinë, por për të bërë politikë. Këto media që nuk thanë asnjë fjalë kur një polic u hodh nga kati i 11-të, që heshtnin kur AMP-ja nxitonte të merrte deklaratë nga një njeri në gjendje kritike, që nuk pipëtinë për shkeljen e procedurave ligjore, sot janë zgjuar.
Por jo për të pyetur pse një polic në prag vdekjeje u detyrua të nënshkruajë një deklaratë në spital. Jo për të hetuar si u bë më e rëndësishme të pastrohet emri i një oligarku sesa të shpëtohet jeta e një polici. Jo për të zbuluar pse po hetohet viktima në vend të xhelatëve.
Këta shërbëtorë të oligarkisë, të paguar me reklamat e tyre, zgjodhën të sulmojnë ata që organizuan dhe po mbështesin protestën. E kthejnë vëmendjen nga tragjedia në cirk politik. Nga dhimbja e një familjeje në luftë ideologjike. Nga dështimi total i sistemit në përplasje partish.
E ndërsa vazhdojnë të ndihmojnë në fshehjen e së vërtetës, të gjithë e dinë se heshtja e tyre është blerë me reklama. Se pandershmëria e tyre ka një çmim. Se ndërgjegjja e tyre është shitur në tregun e oligarkisë.
Në kontekstin e procedurave penale, marrja e deklaratës nga Azbi Spahiu kërkon respektimin e të drejtave themelore të personit. Kur bëhet fjalë për të pandehur, ligji kërkon praninë e avokatit mbrojtës dhe prokurorit. Edhe për dëshmitarët e thjeshtë, është thelbësore që deklaratat të merren në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë formë presioni. Por ç’ndodh kur deklarata merret nga një njeri në gjendje kritike shëndetësore, pa mbrojtës ligjor, pa prokuror? Në kushte normale, prania e një avokati apo përfaqësuesi ligjor do të ishte e domosdoshme, sidomos duke marrë parasysh gjendjen e rënduar të personit. Por AMP-ja duket se ka nxituar të anashkalojë çdo procedurë ligjore.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, në një shfaqje cinizmi nuk gjeti asnjë fjalë për jetën e policit që po shuhet. Për të, kjo është thjesht “një furtunë në gotë”, një “lojë e të vegjëlve”. Ndërsa polici lufton me vdekjen, ministri lufton me mediat.
AMP-ja nxitoi të sigurojë alibi për veten. Pa hetuar tentativën për vetëvrasje, pa pyetur pse një polic u detyrua të hidhej nga kati i 11-të i një pallati ku as nuk banonte. Prioriteti? Një copë letër që pastron çdo lidhje me oligarkun Samir Mane.
Ç’frikë e tmerrshme është kjo që i shtyn të marrin deklaratë nga një njeri në gjendje kritike? Çfarë fantazmash po i ndjekin që nxitojnë të sigurojnë alibi para se të hetojnë krimin? Në vend të pyetjes “pse tentoi vetëvrasjen?”, ata zgjodhën pyetjen “si të mbulojmë gjurmët?”.
Heshtja e mediave është blerë me reklama. Heshtja e institucioneve me poste. Por si do ta blejnë heshtjen e ndërgjegjes kur një polic me 35 vite karrierë gjendet mes jetës dhe vdekjes, vetëm sepse zbatoi ligjin?
E gjithë kjo histori nisi kur efektivi Spahiu, një polic me 35 vjet karrierë të panjollosur, ndali Martin Manen pranë Parlamentit. Djali i oligarkut Samir Mane kishte përplasur dy makina dhe tentoi të largohej nga vendngjarja. Refuzoi me arrogancë testin e alkoolit, u largua nga komisariati me pretekstin se “nuk ndihej mirë” dhe të nesërmen në mënyrë të dyshimtë, prokuroria e shpalli arrestimin “të paligjshëm”.
Spahiu u thirr në AMP ku për dy orë iu kërkua të shpjegonte pse kishte guxuar të zbatonte ligjin. Pak para aktit ekstrem, ai i dërgoi djalit mesazhin e fundit: “Po më shkatërrojnë karrierën për shkak të lojërave në polici”.
Sot, qytetarët po mblidhen para Ministrisë së Brendshme për të kërkuar një përgjigje: Si u kthye zbatimi i ligjit në dënim me vdekje për një polic karriere? Telat e internetit e shpëtuan Azbi Spahiun nga vdekja fizike. Por kush do ta shpëtojë të vërtetën nga vdekja institucionale që po i përgatitet?
/gazetareforma.com