Pas kontrolleve blic të mëngjesit të sotëm në banesat e tre gjyqtarëvve që dhanë gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, Policia e Shtetit ka shoqëruar njërin prej tyre. Bëhet fjalë për gjyqtarin Skënder Damini, në banesën e të cilit janë gjetur armë dhe municione ushtarake.
Gjyqtari Skender Damini nuk ka pranuar të japë asnjë koment për gazetarët të cilët ndodheshin pranë banesës së tij. Prej mëngjesit forcat Speciale kanë ushtruar kontroll në banesën e gjyqtarit këtu në Tiranë.
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar, për Dajtin, i cili ishte dënuar me burg përjetë duke e dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009. Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014.