Ka shkuar në 35 numri i të infektuarve nga Coronavirusi në Kosovë, pasi ditën e sotme janë regjistruar edhe 2 raste të reja, teksa deri tani është shënuar vetëm një viktimë.
Njoftimi është dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, i cili ka deklaruar se nga 20 mostrat e dyshuara për virusin COVID-19, dy prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
Gjithashtu, në njoftimin zyrtar raportohet se këto dy raste janë: një 44-vjeçar nga fshati Petrovë komuna e Shtimës, dhe një 39-vjeçare nga Prishtina.
” Sot me 23.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar njëzet (20) mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe dy (2) prej tyre janë pozitive.Dy prej rasteve pozitive janë raste kontakti njëri me vendbanim nga fshati Petrovë komuna e Shtimes, e gjinisë mashkull me moshë 44 vjeç dhe tjetra me vendbanim në Prishtinë nga komuna e Prishtinës e gjinisë femër e moshës 39 vjeç. Nga data 08.02.2020 deri me 23.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 604 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej tridhjetë e pesë (35) raste kanë rezultuar pozitive. Nga data 01.02.2020 deri me 23.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 16.756 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.015 udhëtarë, Merdare 5.202, Vërmicë 4.395, Jarinje 1.188, Dheu i Bardhë 985, Hani i Elezit 2.157, Kullë 1.070, Qafë Morinë 47, Bërnjak 499, Qafë Prush 35, Muçibabë 162 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.”- thuhet në njoftim.
Më 13 mars Kosova u prek nga COVID-19, pasi u konfirmuan zyrtarisht dy të infektuar me Coronavirus dhe tashmë janë 31 të infektuar të cilët ndodhen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme.
Në këto kushte Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Kosova shpall gjendjen e emergjencës nga COVID-19, thirrje shqiptarëve të diasporës
Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, teksa janë ndaluar hyrje-daljet për të gjithë qytetarët në komunat e Klinës dhe Vitisë, ku u shënuan dy rastet e para.
Ndërkohë, është vendosur mbyllja e institucioneve arsimore deri më 27 mars, pezullimi i përkohshëm i linjave ajrore dhe tokësore dhe pezullimi i të gjitha aktivitetet publike.
Po ashtu është ndërprerë edhe transportit ndërurban dhe janë mbyllur kufijtë tokësor për të gjithë ata që hynë në Kosovë, ndërsa janë mbyllur të gjitha lokalet, baret e qendrat tregtare, ku përjashtim bëjnë vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë.
Kurti ka pezulluar përkohësisht të gjitha linjat e udhëtimit në Aeroportin “Adem Jashari”, ku përjashtim bëjnë vetëm fluturimet ushtarake apo medicinale.