Bilanci i viktimave dhe të infektuarve nga Coronavirusi vijon të thellohet dhe në rang botëror numri total i viktimave deri tani është 10, 852 persona dhe janë 258,857 të infektuar në 183 vende.
Së fundmi autoritetet greke raportojnë se në vendin fqinj janë regjistruar 31 raste të reja me COVID-19 brenda 24 orëve, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 495 të infektuar.
Po ashtu, raportohet se brenda 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 3 të moshuar të cilët kanë pasur sëmundje të mëparshme dhe tashmë numri total i viktimave në vend shkon në nëntë.
Edhe në Kosovë është regjistruar një tjetër rast me Coronavirus dhe tashmë janë 22 të prekur dhe asnjë viktimë.
Lajmi është konfirmuar nga mjeku Valbon Krasniqi, i cili ka theksuar se i infektuari është familjar i të infektuarve me Cosonavirus nga Malisheva.
Disa ditë me parë u bë me dije se Kosova pritet që të marrë 20 mijë aparatura që tregojnë për 10 minuta nëse pacienti është apo jo me Coronavirus.
Kosova blen 20 mijë aparatura që tregojnë për 10 minuta nëse je i infektuar nga COVID-19
Më 13 mars Kosova u prek nga COVID-19, pasi u konfirmuan zyrtarisht dy të infektuar me Coronavirus dhe tashmë janë 21 të infektuar të cilët ndodhen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme.
Në këto kushte Qeveria e Kosovës ka shpallur dje gjendjen e jashtëzakonshme dhe lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Jashtme, që u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve brenda dhe jashtë vendit që nëse kanë simptoma të Coronavirusit të telefojnë në numrat sipas shteteve përkatëse.
Kosova shpall gjendjen e emergjencës nga COVID-19, thirrje shqiptarëve të diasporës
Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, teksa janë ndaluar hyrje-daljet për të gjithë qytetarët në komunat e Klinës dhe Vitisë, ku u shënuan dy rastet e para.
Ndërkohë, është vendosur mbyllja e institucioneve arsimore deri më 27 mars, pezullimi i përkohshëm i linjave ajrore dhe tokësore dhe pezullimi i të gjitha aktivitetet publike.
Po ashtu është ndërprerë edhe transportit ndërurban dhe janë mbyllur kufijtë tokësor për të gjithë ata që hynë në Kosovë, ndërsa janë mbyllur të gjitha lokalet, baret e qendrat tregtare, ku përjashtim bëjnë vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë.
Kurti bëri të ditur se kanë bërë edhe pezullimin e përkohshëm për të gjitha linjat e udhëtimit në Aeroportin “Adem Jashari”, ku përjashtim bëjnë vetëm fluturimet ushtarake apo medicinale.