Një rrjet ndërkombëtar i përfshirë në prodhimin dhe trafikimin e kokainës është goditur nga autoritetet italiane në Venecia, pas një operacioni të gjatë hetimor që përfshiu disa shtete dhe rrugë ndërkombëtare të kontrabandës.
Sipas mediave të huaja, laboratorët e zbuluar kishin kapacitete për të prodhuar deri në 30 kilogramë kokainë në ditë.
Operacioni rezultoi me arrestimin e 25 personave, përfshirë drejtuesit e organizatës kriminale. Mes të ndaluarve janë 12 shtetas kolumbianë, 9 spanjollë, 2 shqiptarë, një meksikan dhe një italian.
Krahas arrestimeve, u sekuestruan mbi 38 kilogramë kokainë, pajisje për përpunimin e saj, si dhe sasi të tjera lëndësh narkotike, përkatësisht 87 gramë hashash dhe 94 gramë marijuanë.
Hetuesit zbuluan gjithashtu një arsenal armësh, përfshirë armë zjarri, 30 karikatorë, rreth 1,000 fishekë, një silenciator dhe një armë trullosëse.
U kapën gjithashtu rreth 32,000 euro në para të gatshme, 39,000 euro të falsifikuara, pesë makina luksoze, 28 telefona celularë dhe dokumentacion i ndryshëm që dëshmon aktivitetin kriminal të rrjetit.
Hetimi nisi në Spanjë me një kompani të dyshuar
Gjithçka nisi në korrik të vitit 2024, kur autoritetet spanjolle vunë nën vëzhgim një kompani me bazë në Spanjë, e dyshuar për kontrabandë të lëndëve narkotike përmes portit të Valencias. Kjo kompani kishte lidhje biznesi me një eksportues të njohur për përfshirjen në trafik droge.
Në gusht 2024, kompania realizoi importin e parë zyrtar: ngarkesa me tul frutash të ngrira, e cila u bë pretekst për të maskuar aktivitetin e vërtetë të trafikut. Autoritetet nisën menjëherë monitorimin e aktivitetit financiar të kompanisë, duke vënë re mospërputhje flagrante – administratori i saj përfitonte vetëm nga ndihmat e papunësisë, ndërsa organizonte operacione të kushtueshme ndërkombëtare për importimin e kontejnerëve.
Në dhjetor të të njëjtit vit, kompania realizoi edhe një import të dytë, kësaj here me tul mishi të ngrirë, i cili u magazinua në një depo pranë Valencias. Ndërsa pjesa më e madhe e produktit iu shpërnda një distributori legjitim, disa fuçi që përmbanin tul guava mbetën të pazbarkuara. Administratori i kompanisë u justifikua se do të merrej me largimin e tyre ditën pasardhëse.