Teksa ndodhemi drejt mbylljes së vitit 2022, zëvendës kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi me anë të një komunikimi për mediat ka bërë një bilanc vjetor të punës në këtë institucion .
Gjithashtu, Sadushi shprehu se viti që lam pas mund të cilësohet si viti i krijimit të besimit se gjyqësori i ringritur tashmë po funksionon për Gjyktën e Lartë. Ai më tej deklaroi se është i bindur dhe sipas tij është e dukshme se drejtësia po bëhet, në aspektin e drejtësisë penale, civile apo edhe asajë administrative.
Deklarata e plotë:
Takimi ynë në çdo fund dhjetori është një detyrim për informimin e opinionit publik mbi çfarë është bërë për të përmbushur misionin e dhënies së drejtësisë, ashtu si edhe për t’ju shprehur mirënjohjen për angazhimin dhe bashkëpunimin tuaj shumë të vlefshëm që ndihmon në konsolidimin e demokracisë dhe veçanërisht në konfigurimin e një marrëdhënieje të re mes gjykatës dhe medias e publikut.
Gjykata e Lartë vlerëson vëmendjen tuaj dhe trajton me seriozitet çdo kritikë cilësore që vjen nga media, shoqëria civile dhe opinioni publik.
Viti 2022 për Gjykatën e Lartë mund të cilësohet si viti i krijimit të besimit se gjyqësori i ringritur po funksionon. Bazuar në disa elemente të matshëm objektivisht, Gjykata e Lartë ka tashmë:
15 gjyqtarë që mundësojnë formimin e dy trupave gjykuese për çdo kolegj,
3 trupa gjyqësore me 5 gjyqtarë që njësojnë praktikën gjyqësore,
Kolegjet e Bashkuara si trupë vendimmarrëse për ndryshimin e praktikës gjyqësore,
Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që ka zgjidhur ngërçin e plotësimit të vakancave, duke emëruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, por edhenjë staf administrativ që vijon të plotësohet gradualisht.
Për këto arsye ndihemi të bindur se reformimi i drejtësisë ia vlejti dhe është e dukshme se drejtësia po bëhet, si në aspektin e drejtësisë penale, civile dhe administrative. Nëse e masim reformimin e drejtësisë në çdo aspekt, duke filluar me parandalimin, edukimin, hetimin e shkeljeve, ndëshkimin deri në dhënien e vendimit gjyqësor, atëherë drejtësia është duke funksionuar. Këtë e dëshmon më së miri fakti që Gjykata e Lartë ka një veprimtari transparente dhe të aksesueshme nga kushdo.
Prej tre vjetësh, fokusi i opinionit publik ka qenë tek ulja e numrit tepër të lartë të çështjeve të prapambetura. Kjo ishte dhe vijon të mbetet një prej sfidave kryesore të trupës së gjyqtarëve. Nga 36.000 çështje që prisnin për tu gjykuar në mars të vitit 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura (backlog) është ulur në 29,010, ndërkohë që numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11.764.
Raporti ndërmjet çështjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë dhe vendimeve që dalin prej saj është në favor të këtyre të fundit, gjë e cila ka sjell edhe uljen e ndjeshme të çështjeve që presin për gjykim. Për vitin 2022 janë regjistruar rreth 2,082 çështje të reja. Janë dhënë 6,179 vendime gjyqësore, ose 412 vendime për gjyqtarë, ndërkohë që krahasuar me vitin 2017, kur Gjykata e Lartë kishte përbërje të plotë me 17 gjyqtarë dhe 33 këshilltarë, çdo gjyqtar gjykonte mesatarisht 256 çështje në vit. Shifrat tregojnë se, shkalla e evadimit të çështjeve (clearance rate) për çdo gjyqtar është mbi 270%! Ky është një tregues mjaft i mirë i performancës së lartë të gjyqtarëve. Megjithatë, përtej sasisë së çështjeve që shqyrtohen, gjyqtarët janë të fokusuar veçanërisht tek cilësia e vendimmarrjes, sepse drejtësia materializohet tek vendimi, tek argumentimi dhe tek zbatimi me korrektësi i ligjit.
Funksioni kushtetues i Gjykatës së Lartë për zhvillimin, njësimin apo ndryshimin e praktikës gjyqësore ka qenë dhe mbetet orientimi kryesor për të gjithë trupën. Janë marrë 4 vendime njësimi (2 nga Kolegji Penal dhe 2 nga Kolegji Civil), ndërkohë që ka filluar procedura dhe pritet të njësohen 2 çështje nga Kolegji Administrativ, 2 nga Kolegji Civil dhe 4 nga Kolegji Penal.
Për shkak të mosfunksionimit për disa vite të Kolegjeve të Bashkuara, tashmë pas riformatimit është realizuar shqyrtimi i 10 çështjeve (penale, civile dhe administrative) të mbetura pezull, për 9 prej të cilave është vendosur kalimi për shqyrtim në kolegje me 5 gjyqtarë dhe vetëm për 1 çështje penale, Kolegjet e Bashkuara vendosën të ndryshojnë praktikën gjyqësore.
Përherë e kemi evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Rreth 80% e rekurseve të paraqitura rezultojnë të pasuksesshme. E ndarë sipas fushave, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë 75% e rekurseve në Kolegjin Civil, 83% në Kolegjin Administrativ dhe 80% në Kolegjin Penal.
Në raportin ndërmjet individëve e personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, kalimi me sukses i testit të pranueshmërisë së rekursit është në favor të të parëve. Për vitin 2022, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 2,355 çështje administrative e civile (76%), ndërsa individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 728 çështje (24%).
Moskalimi i testit të pranueshmërisë në afro 80% të rekurseve të paraqitura adreson shqetësimin tek aktorët e sistemit të drejtësisë, përfshirë avokatët privatë, Avokaturën e Shtetit, si dhe prokurorinë, të cilët kanë detyrimin të vlerësojnë ekzistencën e shkaqeve të mjaftueshme ligjore, përpara se të vendosin t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Lartë kërkon dhe zbaton metoda për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të së drejtës me natyrën e gjykimit dhe paraqitjen e rekurseve, i cili si në formë, ashtu edhe në përmbajtje duhet të respektojë shkaqet strikte ligjore, referuar modelit të miratuar nga Këshilli i Gjykatës së Lartë, që gjendet lehtësisht në faqen e saj zyrtare. Përçimi i standardeve të gjykimit kasacional në kohë dhe sipas metodave bashkëkohore të publikimit ka rezultuar mjaft efektiv gjatë vitit 2022, falë edhe punës së Qendrës së Dokumentacionit, një strukturë e re e krijuar posaçërisht për këtë qëllim. Përveç publikimit në kohë reale të vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, si dhe botimeve të posaçme, përgatitet dhe shpërndahet tek praktikantët e së drejtës, periodikisht, buletini informativ elektronik, me vendimet e përzgjedhura të kësaj gjykate, një zgjidhje krejt origjinale për sistemin gjyqësor.
Një zhvillim pozitiv gjatë vitit 2022 ka qenë edhe reflektimi i institucioneve publike për të tërhequr rekurset, për shkak të humbjes së aktualitetit apo të krijimit të bindjes se nuk e kalojnë testin e pranueshmërisë. Janë rreth 1,893 rekurse të tërhequra nga institucionet publike, ndërkohë që deri tani janë dhënë rreth 993 vendime për heqje dorë nga rekursi (621 vendime nga Kolegji Administrativ dhe 372 vendime nga Kolegji Civil). Kjo prirje nevojitet të shoqërohet edhe me mosparaqitjen e rekurseve të reja që dukshëm janë të pabazuara. Vetëm kështu mund të parandalohet krijimi i një stoku të ri.
Padyshim që është bërë shumë, por për qytetarët të cilët presin drejtësinë në kohë sa më të shpejtë nuk është mjaftueshme. Kolegjet e Gjykatës së Lartë janë përpjekur maksimalisht të trajtojnë çështjet, jo thjesht si raste individuale, por edhe si një mekanizëm për të standardizuar praktikën për raste të ngjashme. Kjo strategji e qartë ka ndikuar në shqyrtimin më të shpejtë të dosjeve me të njëjtën natyrë, parametër ky, që synohet të rritet në vitin 2023.
Duhet të jetë e qartë për cilindo se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti. Këtë e parashikon kuadri kushtetues e ligjor dhe jemi munduar ta theksojmë në çdo vendim që merret nga trupa e gjyqtarëve.
Ne e kuptojmë mjaft mirë se qytetarët dhe opinioni publik presin përgjigje të shpejtë dhe të drejtë nga gjykata. Për këtë jemi të angazhuar maksimalisht dhe jemi të bindur se vit pas viti, do të arrijmë t’u japim përgjigje shteruese të gjithë rekurseve të depozituara pranë Gjykatës së Lartë.