SPAK ka akuzuar Suel Çelën për përfshirjen në dy episode të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve të Europës.
Sipas hetimeve, Çela ka bashkëpunuar me disa individë, përfshirë biznesmenin Bujar Shega dhe trafikun me Ergys Dashin.
Në episodin e parë, Çela dhe Shega janë përfshirë në një operacion të trafikut të 930 kg kokainë që u sekuestrua në portin e Ekuadorit, si pjesë e operacionit “Boya Roja”.
Kur kontejneri mbërriti bosh, Çela e kërkoi ndihmën e Shegës për të hetuar çështjen dhe, pasi e lajmëroi për mundësinë e një tradhtie, i tha që ky të paguante me “kokën e tij”.
Episodi i dytë përfshin bashkëpunimin e Çelës me Ergys Dashin, i cili u ekzekutua në Ekuador më vonë, dhe me Ervin Matën.
Ky grup tentoi të trafikoje 446 kg kokainë nga Ekuadori drejt Holandës, por ngarkesa u sekuestrua në Portin e Roterdamit gjatë një aksioni policor më 5 janar 2021.
Ergys Dashi informoi Suel Çelën për kapjen e drogës dhe vështirësitë në gjetjen e dokumenteve për ta vërtetuar këtë. Në këtë episod përfshihet gjithashtu Xhino Roka, i cili kryente transfertat e parave nga BE-ja drejt Amerikës së Jugut.
Ergys Dashi është përshkruar si një figurë kyçe në narkotrafik, me lidhje të forta në Ekuador, dhe kërkonte aleancë me Çelën për të garantuar që kokaina të dilte pa pengesa në portet e Europës.
Dashi premtoi se mund të siguronte deri në 1 ton kokainë nëse ky bashkëpunim do të realizohej.
Ngarkesat që nisnin nga 300 kg e lart mundësonin financimin e korruptimit të zyrtarëve të portit dhe të agjencive ligjzbatuese ekuadoriane, për të siguruar që lënda narkotike të kalonte pa probleme.
Hetimet kanë zbuluar se komunikimet e Sky Ecc, një platformë për komunikime të koduara, kanë qenë kyçe për zbardhjen e aktivitetit kriminal të organizatës së Suel Çelës, duke mundësuar prokurorisë që të mbledhë provat dhe të identifikojë lidhjet dhe marrëveshjet e trafikantëve.