Dosja e inceneratorëve po trajtohet bazuar në parimin “ca të nënës dhe ca të njerkës”, pas dukshëm vihet re një tendecë për të bërë diferencime në gjykimin e personave të përfshirë në këtë aferë. Teksa “bosi” i inceneratorëve, Klodian Zoto pagoi faturat e hoteleve në Itali për Etleva Kondin, Arben Ahmetajn dhe të tjerë, prokurorët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për fakte dhe prova të njëjta.
Zbardhja e email-eve të të shpallurit në kërkim, Klodian Zoto evidentoi se si ishin korruptuar zyrtarë shqiptarë me bileta avioni dhe prenotime dhomash në hotele luksoze. Nga emailet mësohet se Klodian Zoto në shkurt të vitit 2016, i komunikoi Etleva Kondit pronotimin në ‘Booking’ e një dhome hoteli dhe tek e-maili tjetër biletat e avionit me Alitalia.
Si pasojë këto u konsideruan si provë nga prokurorët dhe kërkuan masë shtrënguese arrest me burg për ish-drejtoreshën në Ministrinë e Energjetikës, Etleva Kondi, e cila ndodhet pas hekurave që prej muajit prill të këtj viti.
Por gjithashtu në komunikimin mes Zotos dhe Kondit është dhe një e-mail i dërguar në nëntor të vitit 2014, ku Etleva i shkruan Zotos të shohë ndryshimet dhe Ministri i Financave është i detyrueshëm për të bërë të mundur fitimin e koncesionit.
Po nuk është vetëm kjo provë që lidh ministrinë e Financave me “kokën” e aferës së inceneratorëve, pasi është vërtetuar se ish-ministri Arben Ahmetaj ka përfituar edhe ture turistike e suita. Por ndërkohë prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim njësoj sikur këto prova të mos ekzistonin.
Të premten, u zgjodh kreu i ri i SPAK-t, Altin Dumani, i cili ngjall shpresë se mund të zgjidh ngërçin e drejtësisë në vend, specifikisht mund të çojë në qeli ato që tashmë konsiderohen si “peshqit e mëdhenj”.
Altin Dumani i ka dosjet gati, provat janë aty dhe e vetmja gjë që duhet është vendosmëria për të mos u bërë palë me të korruptuarit dhe për të vendosur drejtësinë në vend.
Normalisht, në momentin që arrestohen elementë të rëndësishëm të aferës, shërbejnë si nyje kyçe për ta zbërthyer çështjen në tërësinë e saj. Etleva Kondi,, Arben Dervishaj, Arenc Myrtezani, Loran Dusha, Arbër Denizi dhe shumë të tjerë mund të kthehen në të penduarit e drejtësisë dhe të hapin “Kutinë e Pandorës”, duke nxjerr emra të tjerë të përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve.
Madje të vendosur nën presionin e drejtësisë funksionale, ata mund të jetë të gatshëm të tradhëtojnë edhe të afërm ose familjarë të tyre, pra në këtë sens nuk hezitojnë të nxjerrin emra dhe prova që prekin “shokët e vjedhjes”.
Zgjedhja e të preferuarit të amerikanëve na bën të shpresojmë se situata e drejtësisë në vend mund të ndryshojë pozitivisht dhe SPAK do të ushtrojë funksionin e tij me rigozitet të plotë./ Përgatiti: Gazeta Reforma