Policia ka proceduar penalisht katër drejtues mjetesh, të cilët penguan ditën e djeshme lëvizjen e lirë të makinave të tjera , duke bllokuar rrugën gjatë një ceremonie martesore. Përveç procedimit penal policia ka bllokuar edhe 4 automjetet.
Ditën e djeshme një video u shfaq në rrjetet sociale dhe disa media , ku shfaqeshin disa drejtues mjetesh të cilët kishin ndaluar makinat e tyre në “Mbikalimin e Patokut”, duke penguar për disa minuta lëvizjen e lirë të automjeteve.
Sipas informacioneve zyrtare janë proceduan penalisht shtetasit me inicialet: G. V., 32 vjeç, V. Ll., 32 vjeç, J. S., 21 vjeç dhe V. D., 45 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Lezhë, kanë identifikuar dhe proceduar penalisht 4 drejtuesit e mjeteve, të cilët penguan lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera duke bllokuar rrugën me mjetet e tyre të përgatitura për një ceremonie martesore dhe prishën rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë bënë bllokimin e 4 automjeteve, si dhe proceduan administrativisht drejtuesit e tyre.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqeshin disa drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, duke penguar për disa momente lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera dhe duke prishur rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të mjeteve.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin proceduan penalisht shtetasit: G. V., 32 vjeç, V. Ll., 32 vjeç, J. S., 21 vjeç dhe V. D., 45 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 4 automjetet dhe për drejtuesit e tyre janë vendosur masa administrative që variojnë nga 50.000 deri në 100.000 lekë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.