Forcat e rendit kanë konstatuar ditën e sotme se shumica e zjarreve në vend janë ndezur qëllimisht. Pas kësaj , me anë të një postimi në rrjete sociale ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i cili thotë se më zjarrin nuk mund të luhet dhe as nuk mund të bëhet shaka. Më tej ai ka thënë se pasojat që mund të sjellin janë katastrofike si për njerëzit ashtu edhe për pronën.
Çuçi në përfundim thotë se të gjithë ata që janë përgjegjës për tragjeditë e shkaktuara nga zjarri do të përballen me ligjin.
“Do të përballen me ligjin të gjithë ata që për një arsye apo një tjetër do të shkaktojnë zjarre, duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre. Me zjarrin nuk luhet e as bëhet shaka, prandaj apeloj për t’u treguar të kujdesshëm në çdo moment.”- shkruan në rrjetet sociale Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Sjellim në vëmendje se më herët Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar bëri me dije se ka proceduar penalisht 5 persona për zjarrvënie të qëllimshme në Lezhë, Gjirokastër dhe Vlorë. Gjithashtu iu ka bërë apel qytetarëve që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore!
Njoftimi i plotë
Policia e Shtetit procedon 5 persona për zjarrvënie në Lezhë, Gjirokastër dhe Vlorë, përgjatë 24 orëve të fundit.
Lezhë – Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin M.N.,73 vjeç, banues në Mabë.
Gjirokastër – Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori për veprën penale ” Shkatërrimi i pronës me zjarr” për shtetasin P. Ç., 57 vjeç, banues në Mashkullorë, pasi dyshohet se ky shtetas është autor i zjarrit në fshatin Mashkullorë, ku si pasojë është djegur sipërfaqe toke e konsiderueshme me bimësi të ndryshme.
Shërbimet e Postës së Policisë Dropull referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” për shtetasin V. B., 67 vjeç, banues në fshatin Llovinë, pasi dyshohet se është autor i zjarrit në fshatin Llovinë, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe toke.
U referuan materialet në Prokurori pë shtetasin M. B., 65 vjeç, banues në fshatin Qesorat, pasi dyshohet se është autor i zjarrit në fshatin Qesorat, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi të ndryshme.
Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr”, të shtetasit B. S, 42 vjeç, banues në fshatin Gjorm. Ky shtetas dyshohet se në vendin e quajtur “Neshtë”, Gjorm, ka djegur me zjarr, një sipërfaqe toke me pemë ullishte, konkretisht 100 rrënjë ullinj në pronësi të shtetasit B.M dhe 200 rrënjë ullinj në pronësi të shtetasit S.Xh.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqje kullota, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin.