Mijëra abonentë të kompanisë celulare One Albania u përballën mbrëmjen e djeshme me një ndërprerje masive të shërbimeve, duke mbetur për një kohë të gjatë pa telefonata dhe pa lidhje interneti.
Sipas raportimeve të shumta nga qytetarët, problemi ka zgjatur më shumë se një orë, gjatë së cilës telefonatat nuk mund të kryheshin dhe interneti celular nuk funksiononte. Situata krijoi vështirësi për përdoruesit e operatorit, të cilët kanë reaguar në rrjete sociale dhe kanale të tjera komunikimi duke denoncuar mungesën e shërbimit për të cilin paguajnë çdo muaj.
Deri tani nuk është bërë e ditur se cili ka qenë shkaku i ndërprerjes së shërbimit. Kompania One Albania nuk ka dhënë ende një reagim publik apo një njoftim zyrtar për problemin e raportuar nga abonentët.
Kjo nuk është hera e parë që përdoruesit e këtij operatori përballen me ndërprerje të shërbimeve. Edhe më herët janë raportuar situata të ngjashme nga abonentët e One Albania, ndërsa në vitet e fundit kompania është përballur edhe me incidente teknike dhe sulme kibernetike që kanë prekur sistemet e saj.
Ndërkohë, përdoruesit presin një sqarim nga kompania për arsyet e ndërprerjes dhe për masat që do të merren për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen.







