Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur pasditen e djeshme, ku është rrëmbyer Aurel Guni, biznesmeni dhe këshilltari i PDIU-së në Bashkinë e Elbasanit.
Sipas gazetarit investigativ, Artan Hoxha, Guni është rrëmbyer nga Bexhet Mosmuça, i cili kishte për qëllim të çonte Gunin tek një ndërtesë me porosi të një grupi kriminal shumë të njohur në Elbasan dhe është rrëmbyer pikërisht për këtë arsye, për të mos i kallzuar këta të fundit në polici.
Sipas Report Tv ngjarja ka rrjedhur në të tillë mënyrë:
Aurel Guni ndodhej në automjetin e tij kur ka parë Bexhet Mosmuçën dhe për shkak të njohjes së mëparshme e ka marrë në makinë, ku janë drejtuar fillimisht drejt qendrës së qytetit dhe më pas kanë marrë drejtimin për tek Universiteti “Aleksander Xhuvani”.
Sapo kanë arritur aty, papritur Bexhet Mosmuca nxjerr pistoletën dhe ia vendos në kokë drejtuesit të mjetit Aurel Guni duke i thënë se nëse nuk do të ndiqte urdhrat e tij, ai do t’a vriste. Rrëmbyesi i ka dhënë viktimës një shirit plastik që Forcat Speciale zakonisht e përdorin në vend të prangave dhe i ka kërkuar që të lidh duart me të, në të kundërt do t’a qëllonte. Në atë moment, rrëmbyesi i ka thënë viktimës se ishte i detyruar t’a çonte atë pranë një objekti shumë të njohur në Elbasan, i cili njihet si pronë dhe bazë qëndrimi e grupit kriminal më të fuqishëm në qytet.
Ndërsa ka qenë nën presionin e armës, viktima ka nuhatur rrezikun që i kanosej nëse përfundonte si peng për llogari të grupit kriminal, dhe ka tentuar t’i arratiset rrëmbyesit. Autori për shkak të faktit se kishte dëshmitarë në vendngjarje që mund t’a identifikonin nuk ka qëlluar me armë, por e ka goditur fort viktimën me qytën e pistoletës në kokë duke synuar t’a neutralizonte.
Pavarësisht goditjes së rëndë që ka pësuar në kokë, Aurel Guni ka dalë nga autovetura dhe i mbuluar me gjak në fytyrë ka vrapuar në drejtim të një patrulle policie që ndodhej rastësisht në rrugë për të shpëtuar nga duart e rrëmbyesit. Në këto rrethana pasi ka parë patrullën e policisë, e përbërë nga dy efektivë, një prej tyre police femër dhe pamundësinë për t’a kapur sërish Aurelin, autori i krimit Bexhet Mosmuca është larguar nga vendngjarja me shpejtësi duke marrë mjetin e viktimës. Automjeti i Aurel Guni është gjetur disa orë pas ngjarjes nga vëllai i tij, i braktisur në një nga rrugicat e periferisë së qytetit pasi i ishte ndërruar targa e parë. I tmerruar nga ajo që i kishte ndodhur dhe i trembur se mund t’i rrezikohej sërish jeta, Aurel Guno është paraqitur i plagosur dhe i gjakosur në komisariatin e Elbasanit për të kërkuar mbrojtje nga policia dhe për të kallëzuar pengmarrjen.
Sipas informacionit të marrë nga policia e Elbasanit thuhet se: “Aurel Guni ka denoncuar se është marrë peng dhe më pas është plagosur me qytën e pistoletës nga shtetasi Bexhet Mosmuca me të cilin kishte njohje prej 10 vitesh. Autori i ka thënë viktimës se ishte detyruar t’a bënte këtë gjë për llogari të një grupi kriminal shumë të njohur në Elbasan.
Bexhet Mosmuca ka tentuar t’a dorëzojë pengun të lidhur me pranga tek vendqendrimi i këtij klani të njohur për llogari të drejtuesit të tij. Autori i ka deklaruar viktimës se ishte detyruar të merrte përsipër edhe ekzekutimin e një personazhi tjetër të njohur ne qytetin e Elbasanit, me inicialet K.M.”.
Oficerët e policisë që kanë kontaktuar fillimisht me viktimën, sapo kanë marrë vesh se kush fshihej pas kësaj pengmarrje kanë hezituar t’a marrin kallëzimin. Por kur kanë hasur në këmbënguljen e viktimës nuk kanë patur rrugë tjetër veçse të marrin deklarimet e tij. Por në vend që viktimës t’i ofrohej mbrojtje nga policia, atij i është dhënë një vërtetim në të cilin duhej të paraqitej te mjeku ligjor për të ekzaminuar nivelin e dëmtimit që kishte pësuar nga goditja me qytën e pistoletës në kokë.
Viktima edhe pse ka dorëzuar në polici në cilësinë e provës materiale dhe telefonin celular është kërcënuar që të tërhiqte denoncimin pasi në të kundërt ai dhe familja e tij do kishin pasoja tepër të rënda. Kërcënimi i është bërë duke i dërguar fjalë pranë familjes së tij me persona të tretë.
Policia e Elbasanit edhe pse ka marrë kallëzimin, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin e viktimës dhe celularin e tij, nuk ka bërë asnjë tentativë për të arrestuar autorin apo shoqëruar personat për llogari të të cilëve ishte porositur kjo pengmarrje. Vetëm pas publikimit të lajmit në Report Tv, Policia e Elbasanit rreth orës 19:00 ka bërë një komunikatë për shtyp ku njofton se ka ndodhur një konflikt me Gunit dhe Mosmuçës. Mësohet se autori i rrëmbimit pas shoqërimit është lënë i lirë.
Aurel Guni është pronar i një hoteli në zonën e Spillesë në Kavajë, këshilltar i PDIU-së në bashkinë e Elbasanit, si dhe mwsohet se ka qenë drejtor i Baseneve në Elbasan në vitin 2014, kohë para se të krijohej Agjencia e Mjedisit.