Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet me kritikët dhe ata që nuk zbatojnë kufizimet e vendosura për parandalimin e COVID-19.
Në një komunikim online, shefi i qeverisë është shprehur se shifrat në Shqipëri nuk janë alarmante dhe nuk erdhën nga hiçi, por për shkak të masave të marra.
Ai përsëriti edhe njëherë se kjo është një luftë dhe kryesorja është të shpëtojmë jetët.
Më tej Rama tha se në javën e parë të prillit, biznesi i vogël do të marrë paratë që i takojnë nga nga paketa e ndihmës ekonomike për COVID-19.
Gjithashtu shefi i qeverisë përmendi edhe tërmetin, duke u shprehur se i doli shqiptarëve për zot.
“Sot iluzionet nuk zhgënjejnë por mund të vrasin njerëz. Si ka mundësi që të mos doni ta kuptoni se ky shtet asnjë shtet nuk mund të garantojë zhvillimin normal të jetës së askujt por duhet të garantojë si çdo shtet mbrojtjen e jetës së secilit në këtë luftë. Apo mos kujtoni se këto shifrat që shyqyr Zotit nuk janë alarmante dalin nga hiçi dhe jo nga masat. Po bëjmë gjënë e duhur. Për çfarë vdekjesh nga uria flasin disa kur nga uria shqiptarët nuk kanë vdekur kurrë sepse dhe në kohët më të zeza të historisë kanë mbajtur njërit-tjetrin. Për cilat qese me miell e oriz ankoheni kur këto pako nuk shkojnë tek njerëzit për festa. Pse nuk doni ta kuptoni se kjo është një luftë, luftë e pashoqe. E para luftë kur njerëzimi nuk e sulmon dot armikun por duhet vetëm të mbrohet. Pse nuk e kuptoni dot që nuk ka shtet në botë që i shkon dot çdo hallexhiu në derë. Ç’domethenë mos na trego video, mos bëj show, kur shikon pamje nga operacioni humanitar. Ja ku i keni qindra mijëra shqiptarë në Itali kush po i çon qese me ushqime në derë, kush po iu thotë mos paguani dritat se nuk keni punë. Pyetini dhe nëse Italia nuk ua mbush do t mendjen pse nuk pyesni miq e shokë në Angli, në Francë, në Amerikë po të doni se sa qese po marrin në shtëpi nga shteti. Për sa muaj ua kanë falur paratë e dritave e taksave. Flas për shqiptarët unë. Ne po bëjmë maksimumin e mundësive tona. Po të ishte dëshira dhe jo mundësia do kisha bërë shumë më tepër. Punon në të zezë dhe do lekë se je i papunë. Por si bëhet kjo kur nuk do të denoncosh as se në cilin biznes ke punuar. Pse nuk i pyesni ata në Itali çfarë fuqie ka fuqia e 5 ekonomike e globit sot.
Ankoheni e shani pa pikën e vetëpërmbajtjes për pensionistët që nuk dinë të aplikojnë online. Pensionistët nuk aplikojnë dot sepse nuk do iu lejohet të dalin fare nga shtëpia. Ata që janë të vetmuar do t’i ndihmojmë ne.
Kur ra tërmeti e patë që ju dola për Zot. Nuk ia lashë Zotit asnjë nga detyrat e mia. Ju thashë të gjithë do iu ndihmojmë me pagën e luftës të tërë ata që janë në shtëpi se iu është mbyllur biznesi i vogël dhe javën e parë të prillit do të marrin lekët. Ju thashë se do iu dyfishojmë ndihmën ekonomike, dhe ata në javën e parë të prillit do të marrin lekët. Ju thashë që në hyrje të prillit do indeksojmë pensionet do japim 20 mln euro plus për pensionistët. Si e keni hallin që rrini në shtëpi me një iPhone në dorë s’keni pensionistë dhe ankoheni për pensionistët”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Bilanci i COVID-19 në vendin tonë është 197 të prekur, mes të cilëve 33 të shëruar dhe 10 viktima.
Në spitalin Infektiv janë shtruar 74 pacientë, 4 prej të cilëve ndodhen në terapi intensive.
Pjesa tjetër e pacientëve janë në pavion dhe paraqesin gjendje të stabilizuar shëndetësore.