Kreu i SPAK, Altin Dumani ka kërkuar para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndryshimin e ligjit për prokurorët e strukturës që ai drejton. Në fjalën e tij, pasi lexoi bilancin e vitit 2023, Dumani nguli këmbë në rishikimin e ligjit, që prokurorët e SPAK me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas mbarimit të mandatit. Po ashtu, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi ndryshim të kompetencës lëndore lidhur me korrupsionin. Pra kufiri sipas tij duhet të jetë më i lartë se prej 50 mijë lekë. Në fund, bëri apel për më shumë hetues në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pjesë nga deklaratat dhe debatet:
Në një kohë të shkurtër arritët me një listë dhe renditje. Ka një paqartësi se ku do të shkojmë. është investuar kaq shumë për ngritjen e tyre profesionale, unë mendoj që janë aset për t’u shfrytëzuar dhe pastaj pas 9 vitesh shkon në një Prokurori të Juridiksionit të Përgjithshëm. Nga përvoja ime, ne nuk e kemi luksin që këto asete t’i çojmë në një vend tjetër. Ne nuk kemi aq shumë burime njerëzore dhe aq prokurorë të kualifikuar saqë të plotësojnë boshllëkun që do të lëmë pas. Do ikin 9 prokurorë njëherësh. Si do mbushet boshllëku? Sepse kemi dhe kritere të veçanta. Ky është mendimi im, nuk jam për një emërim automatik, por të paktën të jepet mundësia që të kandidoj për një mandat të dytë 9-vjeçar. Unë mund të jem i lodhur dhe mos të vazhdoj më, por ka të tjerë që duan. Duhen parë të gjitha gjërat.
Bazaj: Thatë që pak prokurorë janë me integritet, unë ata që njoh kanë integritet.
Dumani: Nuk thashë atë.
Bazaj: Mos ndodh që këta prokurorë që duan mandat, të shkelin të drejtat e njeriut? Po marr krahun e kundërt të kësaj medalje? A paraqet rrezikshmëri shoqërore dikush?
Dumani: Pse gjyqtarët nuk bëhen të rrezikshëm që e kanë pa mandat? Le të bëhet me rivlerësim, nuk thashë automatik. Rrezikshmëria e prokurorëve, si qenka kjo? Prokurori është palë.
Bazaj: A mund të paraqesin rrezikshmëri këta prokurorë se me gjyqtarët nuk janë në të njëjtën pozitë? Nuk diskutojmë…por nësë Altin Dumani do të ishte 70 vjeç, kaq produkt do të jepte? Edhe ndërkombëtarët kështu e kanë parë të arsyeshme. Jeni energjik në punë, unë këtë e di. Ju punoni natë e ditë, unë kam shumë miq atje. Por a mundet që nesër këta persona të bëhen të rrezikshëm për shoqërinë?
Dumani: Tani të gjithë biem dakord se energjitë bien me kalimin e moshës. Altini para 20 vitesh nuk është si sot, por ama bëhesh më profesionist. Nëse kemi hetues të mirë, puna jonë lehtësohet. Prokurori nuk kryen vetë hetime. Ne jemi kthyer në punëtorë krahu. Bëjmë çdo gjë vetë. Patjetër konsumohesh, lodhesh. Rrezikshmërinë nuk e shpjegoj dot, ne jemi më të kontrolluarit. SPAK është ndër më të kontrolluarat. Në çdo vendimmarrje dhe kërkesë, ne kontrollohemi nga gjyqtarët. Na verifikon gjyqtari çdo gjë. Ne kontrollohemi përditë sa i përket integritetit. Na monitoroni. Drejtuesi i SPAK raporton në Kuvend, në Komisionet e Integrimit. ILDKPI na kontroll, pastrimi i parave, komunikimet tona. Ne jemi njerëzit më të kontrolluar, nuk ka si të vijë rreziku.
Bazaj: Nëse do të jeni pjesë e grupit të punës tek Komisioni i Ligjeve, si do e argumentoni këtë pyetje që iu bëra për rrezikshmërinë. Psh. Tarat Bazaj kandidon për deputet në Vlorë, ju i regjistroni procedim për ta penguar…
Dumani: Kjo as ndodh, as nuk duhet ta mendosh. Kjo nuk do të ndodhë kurrë.
Brenda vitit 2023 ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë për herë të parë janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona në hetim “me funksion, ish ministrin e shëndetësisë, ish gjyqtar apeli, krytar bashkie, ish kryeministër, ish ministër finance, ish ministër mjedisi, ish prokuror etj” tha Dumani.
E ndërsa nga njëra anë pranohet niveli i lartë i korrupsionit nga ana tjetër nga mungesa e referimeve nga institucionet shtetërore brenda së cilave ka struktura kontrolluese dhe antikorrupsion, po krijon një vakum.
“Të gjitha institucionet në punën e tyre kanë prioritet dhe luftën kundër korrupsionit. Ne si SPAK e dimë shumë mirë se shumë institucione kanë struktura brenda institucionit për luftën kundër korrupsionit, audite, bilbilfryrës, struktura kontrolluese që këtë detyrim kanë. Ne presim që këto struktura të na furnizojnë ne me referime, kallëzime, informacione. Pasi nga njëra anë pranohet se është nivel i lartë korrupsioni nga ana tjetër nuk ka referime e as kallëzime. Sado që të përpiqemi ne si SPAK nuk mund ta bëjë një institucion i vetëm prandaj duhet bashkëveprim. Dedektimi i rasteve korruptive dhe referimi I rasteve. Këto kanë munguar është realitet. Nuk mund të mbushim këtë vakum që krijohet nga mungesa e referimeve nga institucionet e tjera.” tha Dumani.
Më shumë procedime penale
Gjithashtu është rritur numri i procedimeve penale të reja me 16 % krahasuar me vitin 2022.
Konkretisht ne 2023 janë regjistruar:
201 procedime penale për korrupsionin
85 procedime për krimin e organizuar
13 procedime për terrorizmin.
Pergjimet
Përgjimet janë përdorur në 109 procedime për vepra penale të korrupsionit dhe 77 procedime për krimin e organizuar.
“Në total ka një rritje prej 91 % të interceptimit të pajisjeve fundore” tha Dumani.