Pas publikimit të dhënave sesnitive nga sisetmi i policisë “MEMEX”, kreu i PD-së Sali Berisha doli në një deklaratë për shtyp, duke shigjetuar qeverinë si fajtorë për këtë rrjedhje informacioni.
Ndër të tjerat Berisha theksoi se janë ekspozuar 105 mijë emra shqiptarësh që janë nën hetim nga policia, të cilët janë paralajmëruar tashmë dhe mund të largohen lehtësisht nga vendi.
Gjithashtu ai tha se ky nuk është një akt i hakerëve iranianë por i atyre qeveritare dhe se shteti i mafias ka kapur çdo institucion.
“Denoncoj vendosjen nën kontroll të plotë nga krimi shtetëror i të gjitha të dhënave të këtij vendi, me gjithë mohimet e papërgjegjshme të kreut të këtij shteti, që funksionon si një shtet i mafies. Njoftimi i mëparshëm rezulton 100 përqind i vërtetë. Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet.
Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale. Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin. Është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit. Është ky një moment, në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë, pasi paralajmëron kështu, kontigjentet e delikuenteve të saj se janë në ndjekje dhe mbikëqyrje policore, dhe se ata për të shpëtuar, duhet të largohen.
Unë informoj gjithashtu se nga data 15 korrik deri më sot, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve. Të gjitha të tjerat, janë mashtrime. Sistemet janë në mëshirë të atyre që po i sulmojnë dhe po i shkatërrojnë. Natyrisht, sistemi TIMS, sipas burimeve serioze, është sulmuar nga hakera qeveritarë, me qëllim për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve, deputetëve, me grupet kriminale dhe trafikantët, udhëtimet e tyre të përbashkëta, të cilat janë një provë e pakontestueshme e bashkëpunimit të krimit me politikën.
Kurse, nxjerrja e të dhënave të kartotekës, përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe dorëzimit të këtij shteti mafioz, tërësisht në duart e krimit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe, këtë veprimtari kriminale, shtetërore.
Unë e kam të qartë se hakera iranianë sulmuan portalin e-Albania dhe e besoj raportin e publikuar. Por unë absolutisht, të dhënat faktojnë se ata nuk janë të vetme. Se sistemet dixhitale të Shqipërisë u shkatërruan nga hakera rajonalë, europianë, por edhe strikt qeveritarë.
Imagjinoni për një moment, një proces që ka filluar në vitin 2017-2018, proces që u vazhdua me dorëzimin e të dhënave personale të 1 milionë shqiptarëve te patronazhistët, proces që u vazhdua me publikimin e rrogave dhe targave. A ka njeri sot, në një proces të vetëm gjyqësor për gjithë këtë veprimtari, që ishte mirëfilltaz qeveritare? A ka një njeri të ndaluar, të arrestuar, për të gjithë këtë shembje të infrastrukturës dixhitale të vendit?”, deklaroi Berisha.