Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po diskutojnë të hënën rrugët për të zbutur tensionet në Bosnje dhe për të parandaluar shpërbërjen e mundshme të vendit ballkanik të ndarë etnikisht, ndërsa marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar mbi 25 vjet më parë, vazhdon të zhbëhet.
“Retorika nacionaliste dhe separatiste po rritet në Bosnje dhe Hercegovinë dhe po rrezikon qëndrueshmërinë dhe madje tërësinë e vendit”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell në Bruksel, në fillim të takimit të ministrave të Jashtëm të bllokut 27-vendesh.
Ai tha se “ministrat duhet të marrin një vendim se si t’i ndalojnë këto dinamika në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të shmangin mundësinë që vendi të shpërbëhet. Kjo është një situatë kritike”, tha ai.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan për sanksione të reja kundër udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili prej vitesh ka bërë thirrje që pjesa e Bosnjës e drejtuar nga serbët të shkëputet nga pjesa tjetër e vendit dhe të bashkohet me Serbinë.
Shtetet e Bashkuara e akuzuan atë për “veprimtari korrupsioni” që kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe të dëmtojnë marrëveshjen e Dejtonit.
Milorad Dodik thotë se ai dhe serbët e Bosnjës po vihen padrejtësisht në shënjestër dhe po akuzohen padrejtësisht për korrupsion.
Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e vitit 1995, i dha fund luftës në Bosnje, e cila shkaktoi vdekjen e mbi 100,000 vetëve dhe la miliona të pastrehë. Marrëveshja krijoi dy njësi të veçanta qeverisëse në Bosnje – njëra e drejtuar nga serbët e Bosnjës dhe tjetra e mbizotëruar nga boshnjakët. Të dyja njësitë janë të lidhura me institucione të përbashkëta mbarëkombëtare dhe të gjitha veprimet në nivel kombëtar kërkojnë konsensus nga të tre grupet etnike.
Shumica e vendeve të BE-së duan gjithashtu të godasin Dodikun me sanksione, por Hungaria, Kroacia dhe Sllovenia janë kundër dhe ka të ngjarë të pengojnë çdo përpjekje për të vendosur masa kufizuese ndaj tij.
Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, tha se “veprimet e Dodikut dhe Republikës Serbe, janë jashtëzakonisht të rrezikshme, luajnë me integritetin e shtetit dhe kjo për ne nuk mund të kalojë”.
Ai paralajmëroi se Bosnja dhe Ballkani, nuk duhet të bëhen “një shesh lojërash për aktorët jashtë Evropës”. Rusia ka premtuar veçanërisht mbështetje për Dodikun dhe bashkëpunëtorët e tij.
BE-ja po kërkon gjithashtu që reforma zgjedhore të miratohet përpara zgjedhjeve në Bosnje më vonë gjatë këtij viti.
Ajo që BE-ja dëshiron të shohë, tha ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney, është “një paketë e plotë reformash, e rënë dakord dhe zbatuar përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të mund të kemi zgjedhje që më pas sigurojnë formimin e një qeverie që mund të funksionojë”.
“Ne duam të shohim paqe dhe qëndrueshmëri në Bosnje dhe Hercegovinë dhe mendoj se paketa e reformave sigurisht që do të ndihmonte” një synim të tillë, tha ministri Coveney./VOA