Një vendim i Komisionit të Prokurorimit Publik (KPP) ka nxjerrë në pah dyshimet për një skemë të mundshme abuzimi nga Bashkia e Tiranës, e cila mund të ketë favorizuar kompaninë telefonike “ONE” në tenderat e zhvilluar.
KPP ka pranuar ankimin e kompanisë “MC Networking”, e cila pretendon se Bashkia e Tiranës zhvilloi një tender “të qepur” për shërbime infrastrukturore dhe të të dhënave për 74.398.398 lekë (rreth 740 mijë euro).
Sipas ankimit, dyshimet themelohen në dy aspekte kryesore: Së pari, Bashkia vendosi kritere të tilla që mund të plotësoheshin vetëm nga “ONE” dhe “Vodafone Albania”, duke skualifikuar konkurrentët e tjerë. Së dyti, “Vodafone Albania” është skualifikuar për mungesë dokumentacioni të plotë, ndërkohë që tenderi i fitoi nga “ONE”.
“…Kemi vënë re se kjo procedurë është bërë për kompanite ‘One’ dhe ‘Vodafone albania’, të cilat ofertojnë të dyja sëbashku. Në të gjitha rastet, kompania ‘Vodafone Albania’ skualifikohet për mungesë dokumentaconi dhe gjithmonë kualifikohet kompania ‘ONE’, e cila me këto veprime po bëhet e vetmja që fiton tendera me makinacione dhe marrveshje të heshtura me Vodafone Albania dhe Bashkinë Tiranë”, thuhet në ankimin e dorëzuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Në 24 korrik të këtij viti, Bashkia e Tiranës shpalli tenderin për “Shërbim për infrastrukturë të dedikuar optike dhe shërbime data”. Në këtë proces konkurruan 6 operatorë ekonomikë. Pesë prej tyre, përfshirë “Vodafone”, “MC Networking”, “Gama”, “Albanian Satellite Telecommunication” dhe “Albanian Fiber Telecommunication”, u skualifikuan për mos-plotësim të kritereve, ndërsa vetëm “One Albania” u kualifikua për të vazhduar në garë.
Shoqëria “MC Networking”, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët në tenderin për shërbimin e infrastrukturës optike dhe shërbimeve të të dhënave, u skualifikua nga Bashkia e Tiranës për mosplotësimin e një kriteri të rëndësishëm. Sipas vendimit të Bashkisë, “MC Networking” nuk mundi të faktonte se ishte e regjistruar pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për ofrimin e shërbimit të internetit nëpërmjet kartave SIM, një kërkesë kyçe për këtë tender.
Në dokumentat e tenderit, Bashkia kërkonte që operatorët ofertues të kishin një çertifikatë nga AKEP për shërbimin e internetit nëpërmjet kartave SIM, një shërbim që përbënte vetëm 2% të kërkesës totale. Vetëm “One Albania” dhe “Vodafone Albania” kanë licencë kombëtare për këtë shërbim në territorin shqiptar. Për t’u përmbushur këtë kriter, “MC Networking” kishte lidhur një marrëveshje me një kompani maqedonase për përdorimin e kartave SIM, bazuar në marrëveshjen për “Free roaming” të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, Bashkia e Tiranës kërkonte një çertifikatë specifike nga AKEP, të cilën “MC Networking” nuk e dispononte, duke rezultuar në skualifikimin e saj.
Pas këtij vendimi, “MC Networking” ka apeluar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), duke nxjerrë në pah disa detaje që ngritin dyshime për një mundshme skemë bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “One”. Sipas ankimuesit, AKEP nuk ka një çertifikatë për shërbimin e internetit nëpërmjet kartave SIM dhe e ka konfirmuar këtë me një komunikim zyrtar, ku pohon se vetëm dy kompani kanë licencë për shërbim të internetit në këtë mënyrë, duke përjashtuar mundësinë e ofrimit të shërbimit nga kompani të tjera të huaja.
“Nisur nga sa më sipër, ky tender është i qepur (sic thotë edhe Kryeministri) për kompaninë One e cila në bashkëpunim me kompaninë Vodafone Albania pranojnë që të marrin pjesë dhe të fitojnë këto lloj procedure prokurimi”, thuhet më tej në ankim.
Për të sqaruar situatën, Komisioni i Prokurimit Publik ka kërkuar një qëndrim më të specializuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). AKEP-i ka konfirmuar se nuk lëshon një “Çertifikatë/Autorizim për shërbimin e të dhënave nëpërmjet kartave SIM”, siç ishte kërkuar në dokumentet e tenderit të Bashkisë së Tiranës, por vetëm një “Çertifikatë të Konfirmimit të Njoftimit për shërbim transmetimi të të dhënave”, e cila ishte dorëzuar nga operatori i skualifikuar.
Gjithashtu, AKEP-i ka sqaruar se, sipas Ligjit 9918/2008, operatorët celularë vendas, si “One” dhe “Vodafone”, janë të detyruar të lejojnë shërbimet roaming për pajtimtarët e operatorëve të Maqedonisë së Veriut dhe çdo shteti tjetër, duke përdorur kartat SIM të operatorëve të huaj. Ky konfirmim ngre dyshime për një mundshme skemë bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “One”, duke favorizuar këtë të fundit në tenderin e zhvilluar.
Bazuar në përgjigjen e AKEP, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranojë kërkesën e “MC Networking” dhe i kërkoi Bashkisë së Tiranës ta kualifikojë atë në tender, duke e shpallur fitues për shkak të ofertës më të ulët.
Lidhur me lidhjen e “One” me Bashkinë e Tiranës, në janar të vitit 2024, kompania fitoi një tjetër tender me objekt “Ofrimi i shërbimit online për monitorimin e trafikut urban në Bashkinë Tiranë”, me fond limit prej 40 milionë lekësh. Në këtë tender, krahas “One”, mori pjesë edhe “Vodafone Albania”, e cila u skualifikua për shkak të mosplotësimit të disa kritereve të kërkuara në dokumentet tenderues.
Ky tender ka nxitur reagime publike dhe ka ngritur dyshime për mundësinë e një konflikti interesi ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë telefonike “One”. Edhe redaksia e “Boldnews.al” ka marrë denoncime mbi këtë procedurë tenderimi. Dyshimet janë forcuar nga fakti se përgjegjëse për fushatën publicitare të “One” është shoqëria “Gogel”, e cila është në pronësi të Arbër Veliaj, vëllait të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Për më tepër, Arbër Veliaj dhe Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut, ishin subjekt i një kontrolli nga Byroja Kombëtare e Hetimit disa ditë më parë. Prokuroria e Posaçme (SPAK) po zhvillon hetime për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe të të zgjedhurve vendorë”. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, ekzistojnë të dhëna konkrete që disa anëtarë të ngushtë të familjes së kryebashkiakut Erion Veliaj kanë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes shoqërive dhe individëve që kanë interesa në Bashkinë e Tiranës. Hetimet kanë nxjerrë prova që lidhen me përfitime financiare dhe pasuri të fituara në mënyrë të dyshimtë, të lidhura ngushtë me aktivitetet e qeverisjes lokale./ Boldnews