Gjendja e mjerueshme e lumit Lana është vërtetë për të ardhur keq. Era e keqe por edhe mbetjet që hidhen aty, janë kthyer vërtetë në një rrezik për banorët që banojnë pranë këtij lumi, por edhe që kalojnë aty pranë.
Gazeta Reforma e ka raportuar dhe më herët këtë shqetësim real të banorëve të Tiranës, që për fat të keq është lënë në harresë nga Bashkia e Tiranës. Ekziston një projekt për rehabilitimin e Lanës, por gjithçka ka ngecur.
E pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Tiranë nuk dha detaje për projektin e rehabilitimit të Lumit Lana, por megjithatë në faqen online të faqes zyrtare të Bashkisë Tiranë https://tirana.al/ thuhet se “Projekti ‘Shtrati i Lumit Lana – Zhvillim Urban’ përfshin rehabilitimin hidroteknik të lumit Lana, me gjatësi rreth 1.8 km dhe zgjatimin e dy bulevardeve ‘Gjergj Fishta’ dhe ‘Bajram Curri’, që shkojnë paralelisht me lumin. Punimet e Projektit janë vazhdim i punimeve të mëparshme të rehabilitimit të lumit Lana, me një gjatësi prej 16 km, në rrjedhën e sipërme të lumit Lana deri në Urën te Teknologjiku, e cila është pikënisja e punimeve të Projekti të ri që shtrihet deri në vendkalimin e rrugës ‘Teodor Keko’, e njohur gjithashtu si Unaza e Re”.
Objektivat dhe punimet e parashikuara të Projektit janë në përputhje me kërkesat e Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës 2030, i miratuar nga Bashkia Tiranë.
Projekti gjithashtu përfshin pajisjen e zonës pranë lumit me infrastrukturë dhe shërbime urbane, siç janë furnizimi me ujë, kullimi, kanalizimet e ujërave të zeza, ndriçimi publik, telekomunikacioni dhe peizazhet.
Në fillim të këtij viti qeveria ka miratuar një fond prej rreth 13 milionë euro për rehabilitimin e shtratit të lumit të Lanës, ku gjysma e këtij investimi do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe gjysma tjetër nga Bashkia Tiranë.
Investimi do të ndahet në 3 vite, duke filluar nga viti 2021, ku për çdo vit do të akordohen rreth 4.3 milionë euro, pasi ngërçi aktual është dëmshpërblimi për rreth 380 familje të pozicionuara në këtë zonë, për t’i hapur më pas rrugë investime për rehabilitimin e Lumit Lana në të gjithë gjatësinë e tij.
Por teksa projekti po vijon të ecë me hapa të ngadaltë, duke qenë se situata e ndotjes dhe vërshimi i inerteve vijon të jetë prezentë përgjatë gjithë Lanës, e sidomos në pjesët fundore të saj, një tjetër investim i lënë në harresë e që do t’i shërbejë këtij investimi madhor është edhe Impianti i Përpunimit të Ujërave të Zeza në kryeqytet.
Vlera e këtij projekti kapte shifrën e 77.5 milion euro dhe do të ishte një risi për kryeqytetin e jo vetëm, por edhe në nivel rajoni.
Në një inspektim të janar 2016, Kryetari i Bashkisë Tiranë, ErionVeliaj së bashku me ish-Ministrin e Transportit Edmond Haxhinasto, thanë se ky impiant është i dyti për nga madhësia në zonën e Europës Juglindore me një kapacitet përpunimi prej 75 mijë metrash kub në ditë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se pas më shumë se 50 vitesh, po ndërhyhet për kanalizimet dhe pastrimin e ujërave të zeza dhe pasojat janë ndjerë gjatë përmbytjeve të fundit.
Veliaj: “Nga ky projekt do të përfitojnë 700 mijë banorë të Tiranës, pra gjysma e popullsisë zyrtare, që merr shërbime në qytet dhe besoj se vjen në një kontekst ku pas përmbytjeve, të gjithë jemi bërë pak më të ndjeshëm për infrastrukturën që kemi trashëguar. Dua t’ju kujtoj qytetarëve një histori të thjeshtë, se për projektin e pastrimit të ujërave të ndotura në Tiranë është menduar që në vitin 1960. Me gjithë padurimin që këto projekte të ecin sa më shpejt, besoj se është ecur më shpejt në këto dy vite me këtë projekt se sa në 50-60 vitet e fundit. Projekti parashikon ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të ndotura, në zonën e pellgut të Lumit të Lanës dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në zonën e Kasharit”.
Ky financim japonez pritej të përpunonte ujërat e ndotura që derdhen në Lanë Në terren gjatë vëzhgimit, shihet qarte se investimi fillestar thuajse është mbyllur, por ngrehinat qëndrojnë si të shkretuara, ku disa janë prekur madje edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, që nuk ka shpëtuar as këtë investim kolosal. Këtu sheh vetëm rojet e objektin, të cilët me të drejtë ngrenë supet kur i pyet se çfarë po ndodh me këtë vend. Ata na tregojnë se nuk kanë asnjë informacion më shumë, përveç faktit që ruajnë objektin me turne. “Jemi tre roje, që punojmë me turne këtu. Kemi rreth dy vite a më shumë. Ne ushqejmë familjen me këtë rrogë që marrim këtu. Këtu mesa dimë, punimet janë pezulluar por ama se ça do të ndodhë nuk dimë gjë, për ne e rëndësishme është që po hamë bukë sot për sot. Këtu nuk vjen asnjë njeri, ju jeni të parët madje, që prej lajmit të mbylljes së kantierit të punimeve dhe lënies së tyre në mes”, thotë roja e objektit.
Aktualisht puna ka ndalur që prej 3 vitesh, pasi megjithëse pritej të përfundonte në vitin 2017 dhe nga ky projekt do të përfitojnë rreth 350 mijë qytetarë, ky projekt u pezullua duke shkaktuar një dëm në efekt domino.
Pas vonesash, Ministria e Infrastrukturës nëpërmjet një auditi konstatoi se kompania italiane Dondi që ishte implementuese e projektit japonez të impiantit, kishte shpenzuar të gjitha fondet për gjysmën e punimeve për ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të Lanës, ndaj çoi për ndjekje penale ekipin, dhe më pas ndodhi dhe ndërprerja e kontratës nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve. Ndërkohë kompania Dondi e cila kishte fituar në atë kohë tenderin e këtij projekti ka hedhur shtetin shqiptar në gjyq në arbitrazhin e Londrës dhe kjo e mban peng atë impiant.
Porta Vendore iu drejtua për një prononcim lidhur me këtë çështje muaj më parë UKT por ky institucion na referoi tek Ministria e Infrastrukturës si organi ekzekutues i këtij investimi, ndërsa Bashkia Tiranë nuk ktheu një përgjigje lidhur me projektin aktual për rehabilitimin e Lanës e as për çështjen e impiantit të trajtimit të ujërave, në kërkesën për informacion që Porta Vendore i ka nisur.
E pyetur se çfarë po ndodh me këtë vepër, as Ministria e Infrastrukturës nuk dha një përgjigje për Portën Vendore, duke e lënë kërkesën për informacion referuar këtij institucioni në heshtje të plotë. Ndërkohë për çështjen e impiantit Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve thotë se deri në marrjen e vendimit nga gjykata e Londrës punimet për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza do të qëndrojnë të pezulluara, ndërsa procesi i po monitorohet nga Avokati i Popullit.
/Burimi: Porta Vendore/Përshtati: GazetaReforma.com/