“Sarajet e Toptanit” në qendër të Tiranës u përfshi nga zjarri në mesnatë. Sipas policisë, zjarri ishte i qëllimshëm, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë kanë kapur autorin, i cili vrapon pasi ka hedhur benzinë në objekt
Një nga bashkëpronaret e subjektit, ka thënë për ABC se zjarri është vënë qëllimisht nga trashëgimtarët e tjerë për të ndërtuar pronare. Vjollca Shkreli thotë se prej 15 vitesh, janë në konflikt me bashkëpronarët e tjerë të godinës, që është monument kulture.
“Burri im është trashëgimtar i Zija Toptanit. Kemi 15 vjet që jemi në gjykatë. Ne i disponojmë të gjitha lejet e ndërtimit. E kanë vënë qëllimisht zjarrin trashëgimtarët e Zija Toptanit. Kini kujdes sepse do digjet edhe muzeu etnografik.
I vunë zjarr për të ndërtuar pallate. Ne jemi në një konflikt me njëri-tjetrin me Rajmond Toptanin, që babai i tij ka lindur këtu dhe cuditërisht nuk do ta marrim. Kam dyshime, e kanë bërë trashëgimtarët e Zija Toptani me atë të Kosovave, nuk është dorë e shtetit,” thotë ajo.
Edhe aktivisti Ervin Goci është shprehur se godina është pa kujdes dhe e pa mirëmbajtur. Sipas tij rënia e zjarrit është me projekte nga pas…
“Godina nuk ka një roje. Është pa kujdes e pa mirëmbajtur. I vetmi që kujdeset është një nga pronarët. E kanë ruajtur pronarët. Të arrijë dhe të dalë kryetari i bashkisë dhe flet për këtë. Ç’punë ka, nuk e menaxhon ai këtë. Ky është një projekt që i përket ministrisë së Kulturës. Për mua janë për burg ata që e kanë braktisur. Unë e shoh si një skenë me projekte nga pas. Fakti është që këtu ka projekte për kulla”.