6 muaj pa zgjidhje për mbetjet toksike: BAN demaskon institucionet shqiptare, Prokuroria refuzon ekspertët ndërkombëtarë
Disa muaj pas rikthimit të anijes “Moliva” me 102 kontejnerë të dyshuar me mbetje toksike në Shqipëri, një organizatë ndërkombëtare prestigjioze hedh akuza të rënda ndaj Prokurorisë së Durrësit. Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN) ka shprehur shqetësim të thellë për mungesën e transparencës dhe bllokimin e hetimeve nga organi i drejtësisë shqiptare, duke e quajtur situatën “të papranueshme” për standardet europiane.
Nën presionin ndërkombëtar, Prokuroria e Durrësit ka dalë me një reagim zyrtar, duke pretenduar se po kryen “hetime intensive” për 102 kontejnerët e sekuestruar që mbërritën në portin e Durrësit më 28 tetor 2024. Sipas reagimit të prokurorisë, hetimet po zhvillohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Transportimi i mbetjeve”, si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Megjithatë, pavarësisht kësaj deklarate të vonuar, ende nuk ka asnjë rezultat konkret pas katër muajsh hetimes për rastin e 102 kontejnerëve.
Në komunikatën e saj, Prokuroria e Durrësit pretendon se “mungesa e infrastrukturës dhe mjeteve të posaçme” ka penguar kryerjen e analizave sipas standardeve ndërkombëtare. Ky justifikim ngre pyetje të shumta, duke qenë se institucioni ka pasur katër muaj kohë për të gjetur zgjidhje, ndërsa autoritetet italiane arritën të identifikojnë përmbajtjen e mbetjeve të ngjashme në pak ditë.
Nga refuzimi i ekspertizës së Bazelit tek përpjekja për të fshehur përgjegjësitë
Në reagimin e saj, Prokuroria e Durrësit pranon se ka refuzuar ofertën e Jim Puckett, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Aksionit të Bazelit, për të marrë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave. Në vend të kësaj, Z. Puckett është ftuar thjesht për të dhënë dëshmi, një rol që kufizon ndjeshëm kontributin që mund të japë një organizatë ndërkombëtare me ekspertizë në fushën e mbetjeve toksike.
Ky qëndrim i prokurorisë paraqet shqetësime serioze për transparencën e procesit.
Një zinxhir i gjatë papërgjegjshmërie institucionale
Skandali i mbetjeve toksike në Shqipëri ka krijuar tashmë përmasat e një krize kombëtare që rrezikon të kthehet në një katastrofë shëndetësore dhe mjedisore me pasoja afatgjata. Kjo nuk është hera e parë që vendi përballet me këtë problem. Në Porto Romano, 816 tonë mbetje me përmbajtje të lartë të metaleve të rënda presin prej gjashtë muajsh pas kthimit nga Tajlanda. Gjithashtu, rreth 58 tonë mbetje të tjer ekotoksike u kapën javën e kaluar në Itali nga Guardia di Finanza gjatë operacionit “Metal Gate”.
Inspektorët italianë identifikuan nivele jashtëzakonisht të rrezikshme të zinkut, plumbit dhe bakrit – elemente që shkaktojnë dëme të pariparueshme në ekosistemet ujore dhe përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik. Metalet e rënda akumulohen në organizëm dhe shkaktojnë dëmtime të sistemit nervor, problemet e zhvillimit te fëmijët dhe rritje të rrezikut për sëmundje kancerogjene.
Ndërsa autoritetet italiane vepruan me vendosmëri, institucionet shqiptare vazhdojnë të hedhin përgjegjësitë nga njëri tek tjetri. Gjashtë muaj pas kthimit të 816 tonëve mbetje Kurumi nga Tajlanda, dhe katër muaj pas sekuestrimit të 102 kontejnerëve nga anija “Moliva”, Prokuroria e Durrësit ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht natyrën e tyre, duke u justifikuar fillimisht me “kërkimin e ekspertëve” dhe tani me “mungesën e infrastrukturës” – procedura që normalisht zgjat disa ditë, jo muaj.
Çdo ditë vonesë shton rrezikun për manipulimin e provave dhe shmangien e përgjegjësive. Deklarata e fundit e prokurorisë se “është identifikuar laboratori” dhe se “shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave” vjen pas gjashtë muajsh heshtje.
Ndërkohë, 816 tonët e mbetjeve nga Tajlanda dhe 102 kontejnerët nga anija “Moliva” qëndrojnë në Porto Romano, formalisht nën ruajtjen e policisë, por pa një plan konkret për neutralizimin e rrezikut që paraqesin. Prokuroria, në reagimin e saj, nuk përmend asnjë plan për trajtimin përfundimtar të këtyre mbetjeve, duke u fokusuar vetëm në procedurat e marrjes së mostrave – një hap i parë që normalisht kryhet brenda ditëve të para, jo pas muajsh vonese.
Vonesat e pajustifikuara përbëjnë shkelje ligjore
Zvarritja e hetimeve për gjashtë muaj mund të përbëjë shkelje të shumta ligjore. Ndër më kryesoret janë: shkelja e afateve të hetimit paraprak (neni 323-324 i Kodit të Procedurës Penale) që mund të sjellë masa disiplinore për prokurorët; shkelja e Konventës së Bazelit që kërkon veprim të shpejtë për mbetjet e rrezikshme; shkelja e ligjit për informimin publik me gjoba deri në 100,000 lekë.
Shpërdorimi i detyrës (neni 248 i Kodit Penal) që parashikon dënim deri në 7 vjet burgim për zyrtarët që me mosveprimet e tyre shkaktojnë pasoja të rënda. Po ashtu, neni 201 i Kodit Penal parashikon dënim deri në 5 vjet burgim për ndotjen e mjedisit nga neglizhenca – çka mund të aplikohet nëse këto mbetje shkaktojnë ndotje për shkak të ruajtjes së papërshtatshme.
Shqetësuese mbetet heshtja e SPAK. Një skandal që mbart të gjitha elementët e krimit të organizuar mjedisor, me implikime për shëndetin publik dhe sigurinë kombëtare, do të duhej të ishte në krye të prioriteteve të SPAK-ut. Por deri më sot, institucioni ka zgjedhur të injorojë plotësisht këtë çështje jetike.
SPAK ka burime dhe ekspertizë të konsiderueshme që Prokuroria e Durrësit nuk i disponon. Refuzimi për të marrë në dorë hetimet e këtij rasti të rëndësishëm mjedisor është i pakuptueshëm nga pikëpamja juridike dhe strategjike, veçanërisht duke patur parasysh implikacionet e mundshme për sigurinë kombëtare dhe faktin që Prokuroria e Durrësit vetë pranon se i mungon infrastruktura e nevojshme.
Shqipëria, korridor tranziti për mbetjet toksike
Zbulimi i 58 tonëve shtesë në Itali konfirmoi atë që ekspertët e mjedisit kanë paralajmëruar prej kohësh: Shqipëria po kthehet gradualisht në një korridor tranziti për trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike. Pozicioni gjeografik, mbikëqyrja e dobët dhe korrupsioni institucional krijojnë kushte ideale për këtë trafik me pasoja katastrofike.
Ndërsa vendet e zhvilluara forcojnë kontrollet dhe rrisin ndëshkimet, trafikantët e mbetjeve kërkojnë vazhdimisht rrugë të reja. Shqipëria, me sistemin e dobët të kontrollit dhe mungesën e reagimit institucional, po shndërrohet në një nga destinacionet e preferuara për këtë lloj aktiviteti kriminal.
Për gjashtë muaj në rastin e mbetjeve nga Tajlanda dhe katër muaj për kontejnerët e anijes “Moliva”, zyrtarët që mundësuan këtë trafik kanë qëndruar në pozicionet e tyre, duke vazhduar të marrin vendime, ndërsa prokuroria ende “identifikon laboratorë” dhe planifikon hapa që duhej të ishin kryer në javët e para pas sekuestrimit.
Çfarë presim nga drejtësia shqiptare?
BAN është një prej organizatave më me influencë në fushën e kontrollit të mbetjeve të rrezikshme, dhe refuzimi i ekspertizës së saj nuk mund të justifikohet me argumenta procedurialë. Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të presin përgjigje të qarta: çfarë përmbajtje kanë këto mbetje? Kush e lejoi hyrjen e tyre në territorin shqiptar? Pse po vonohen analizat dhe marrja e masave? Kur do të mbahen përgjegjës ata që lejuan këtë skandal?
Pavarësisht “fjalëve të bukura” në komunikatën e prokurorisë, realiteti mbetet i njëjtë: katër muaj pas sekuestrimit të 102 kontejnerëve dhe gjashtë muaj pas kthimit të 816 tonëve mbetje nga Tajlanda, ende nuk dihet çfarë përmban helmi që qëndron në Porto Romano, ende nuk ka asnjë person të ndaluar për këto skandale, dhe ende nuk ka një plan konkret për trajtimin përfundimtar të mbetjeve.
Deklarata e prokurorisë se “gjithashtu do të vijojë të informojë publikun” vjen tepër vonë dhe nuk ofron asnjë shpjegim për muajt e heshtjes absolute. Në një vend me “standarde europiane”, ky nivel papërgjegjshmërie institucionale do të kishte sjellë dorëheqje dhe ndëshkime, jo vetëm komunikata për media.
/gazetareforma.com