Granit Gjana është prefekti i ri i Kukësit. Ai u prezantua ditën e sotme nga ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ky i fundit deklaroi se Ministria e Brendshme ka gati draftin e ri ligjor, për konsolidimin e rolin të Prefektit, si përfaqësues direkt i kryeministrit dhe i qeverisë në territor.
Ministri e vuri theksin tek roli që Prefekti ka aktualisht për drejtimin e disa Task Forcave vendore, ku veçoi atë për Paketën e Sigurisë në shkolla.
“Të gjithë e dimë që fëmijët rrezikun më të madh të qasjes ndaj fenomeneve si droga, apo të tjera si bullizmi, nuk ndodhin në shkollë, por ndodhin rrugës për në shkollë ose në të gjitha njësitë e shërbimit që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë në shkolla. Ato ndodhin të kafja, te lokali përballë, te diskoteka pranë shkollës, por edhe problematike që lidhen me sigurinë ushqimore, që lidhen me kioskat apo fast food-et apo gjithçka tjetër që ndodhet brenda atij perimetri, duke mos harruar edhe një fenomen që ndoshta për faj të moszbatimit si duhet të ligjit që ka për detyrë ta zbatojë Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe që ka të bëjë me alkoolin te moshat nën 18 vjeç. Të gjitha këto janë tashmë detyra dhe në kuadër të kësaj pakete, i takon Prefektit të Qarkut, i cili, në bashkëpunim me drejtorin e Policisë së Shtetit, me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, ISHSH, me organet e qeverisjes vendore të fillojmë të kemi mundësi që të verifikojmë të gjithë sinjalistikën rrugore, gardhet e shkollave, kamerat e sigurisë, sepse ato janë një element shumë i rëndësishëm për të garantuar që çdo nxënës, çdo fëmijë që çdo banor i Kukësit, Hasit apo Tropojës, dërgon në shkollë, ata janë në “besën tonë”, deklaroi z. Balla.