“Situata në Ukrainë është përkeqësuar më tej në mënyrë dramatike me sulmet masive ajrore ruse në infrastrukturën civile dhe me ofensivën brutale ruse në rajonin e Kharkiv-it”, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock pas mbërritjes në Kiev. “Për të mbrojtur Ukrainën nga shiu i raketave dhe dronëve rusë, ajo ka nevojë urgjente për më shumë mbrojtje ajrore”.
Qeveria gjermane do të vazhdojë të angazhohet me partnerët e saj perëndimorë për t’i siguruar Kievit sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, tha Baerbocku përpara vizitës së saj të solidaritetit në Ukrainë. “Tani duhet të mbledhim të gjitha forcat tona në mënyrë që Ukraina të mund të ekzistojë, në mënyrë që ukrainasit të vazhdojnë të jetojnë të pavarur në të ardhmen. Dhe në mënyrë që trupat e Putinit të mos gjenden shpejt në kufijtë tanë”.
Mblidhen rreth një miliardë euro
Nisma globale që ajo filloi me Ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorius për më shumë mbrojtje ajrore mblodhi pothuajse një miliard euro për të ofruar mbështetje shtesë për forcat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. “Dhe ne po punojmë intensivisht për të siguruar që kjo të rritet më tej.” “Ne e kthejmë çdo gur disa herë dhe ne vetë kemi marrë drejtimin duke dërguar një njësi shtesë Patriot”, shtoi ministrja.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski shprehu keqardhjen edhe një herë për mungesën masive të armëve për mbrojtjen ajrore të vendit të tij. Ukraina ka vetëm një të katërtën e sistemeve të nevojshme të mbrojtjes ajrore dhe gjithashtu ka nevojë për 120 deri në 130 avionë luftarakë F-16, tha Zelenski për AFP të premten.
Zelenski do më shumë raketa Patriot
Gjatë një vizite të Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Kiev, Zelenski kërkoi në të njëjtën kohë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot për mbrojtjen e Kharkiv-it. Megaqyteti verilindor po bombardohet nga afër nga forcat ruse përtej kufirit. Dy sisteme Patriot janë të nevojshme për të mbrojtur qytetin dhe zonat përreth nga dronët dhe raketat.
Sipas informacioneve, Ukraina aktualisht ka tre nga këto sisteme të fuqishme të mbrojtjes ajrore të prodhuara nga SHBA. Gjermania ka vënë në dispozicion dy, qeveria federale ka premtuar një njësi të tretë Patriot. Për momentin, nuk dihet nëse sistemi ka mbërritur tashmë në Ukrainë. Njësia e tretë Patriot aktive në Ukrainë vjen nga SHBA. Uashingtoni po studion ofrimin e një sistemi shtesë. Përpjekjet gjermane për të blerë Patriotët nga vendet partnere në Evropë ose jashtë saj deri tani nuk kanë dhënë fryte.
Kjo është vizita e shtatë e Baerbock-ut në Ukrainë që nga fillimi i luftës ruse të agresionit në shkurt 2022. Qëllimi i udhëtimit është të sigurojë bashkëbiseduesit ukrainas për mbështetjen e Gjermanisë dhe BE, veçanërisht përballë përkeqësimit të situatës në zonat e luftimit, mësuam nga Ministria e Jashtme gjermane.
Baerbock: “Ne jemi gjendje të rezistojmë”
“Mbështetja jonë është e rrënjosur në besimin e thellë se Ukraina do ta fitojë këtë luftë,” theksoi Baerbocku në Kiev. “Ne jemi gjendje të rezistojmë”. Banorët e Ukrainës mund të llogarisin mbështetje të qëndrueshme nga Gjermania dhe aleatët e tjerë.
Situata në Ukrainë u përkeqësua më tej pas fillimit të një ofensive tokësore ruse më 10 maj në rajonin verilindor të Kharkiv-it. Sipas palës ukrainase, trupat ruse deri tani kanë avancuar rreth pesë deri në dhjetë kilometra. Ky është avancimi më i madh rus në luftë që nga fundi i vitit 2022.
Shumë termocentrale janë jashtë funksionit
Përveç objektivave ushtarake, Rusia bombardoi kryesisht termocentralet ukrainase me qymyr në mars dhe prill. Ato tani janë pothuajse plotësisht jashtë pune. U dëmtuan edhe hidrocentrale të mëdha. Qeveria e Kievit vlerëson se më shumë se 40 për qind e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike është jashtë shërbimit.
Gjatë vizitës në Kiev, Baerbocku bëri thirrje gjithashtu që Ukraina të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. “Tani çështja ësht që të mos hiqet dorë – në lidhje me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias”.
/DW