Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi ditën e djeshme ish prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla me dy vite burg, gjithashtu ai mbrëmë në orët e vona të darkës u shpall në kërkim ndërkombëtar. Ditën e sotme avokati i tij Kujtim Cakrani ka analizuar vendimin që u mor ditën e djeshme për Llallën.
Cakrani i ftuar në studion e FaxNews, e ka cilësuar një goditje politike e cila sipas tij ka ardhur nga presioni i ndërkombëtarëve.
Po ashtu ai ka thënë se ngjitur me tokën ku ka blerë Llalla ka edhe shumë politikanë dhe zyrtarë të tjerë, të cilët e kanë blerë tokën edhe më lirë. Cakrani ka thënë se veprat penale që akuzohej ish prokurori i përgjithshëm nuk ishin të mjaftueshme për ta çuar atë në burg.
“Është një vendim i pritshëm për zotin Llalla. Me sa informacione unë kam, zoti Llalla i ka pasur të ardhurat e justifikuara, nga babai i tij, që ka qenë një ish-i dënuar politik. Por unë nuk jam këtu për të mbrojtur zotin Llalla, dënimi i tij pritej, pasi brenda ishin faktorët politikë. E gjitha ishte politike, u kuptua se ai do të goditej në një formë apo në një tjetër.
Akuzat nuk ishin se ai kishte bërë korrupsion pasiv në shuma të mëdha, ishin thjesht modeklarim i të ardhurave në kufi, ku pagoi edhe gjobën për to. U ngrit akuza për ndërtim pa leje, në një kohë që në vendin tonë ka 500 mijë ndërtime pa leje. Akuza më e rëndë është ajo për blerjen e parcelave të mëdha të tokës në periferi të Tiranës, me pretendimin se është blerë me çmim preferencial. Ndërkohë që ngjitur me parcelat e Llallës ka dhe politikanë që e kanë blerë me çmim dhe më të ulët. Hetimet për Llallën vazhduan nga një vartës i Llallës, nga Durrësi në Tiranë akuzat ranë, janë akuza që nuk bindin as opinionin publik dhe jo më ne juristët.
Nuk bindin se ka politikanë dhe zyrtarë të tjerë që jetojnë me vila 500 mijë euro, dhe shkëputet vetëm një person, lë shumë për të dëshiruar nga pikëpamja juridike. Veprat penale për të cilat akuzohej zoti Llalla nuk ishin të mjaftueshme për ta çuar atë në burg. Këto janë akuzat më banale për të cilat mund të dënohej“, u shpreh Cakrani.
Po ashtu avokati ka thënë se Adriatik Llallën nuk e pengonte ligjërisht asgjë që të largohej nga vendi, pasi sipas tij procesi për ish-kryeprokurorin u zhvilluan në gjendje të lirë dhe ka shtuar se kushdo që thotë të kundërtën është i politizuar.
“Duhet ta cilësojmë gjendjen juridikisht, ai është hetuar në gjendje të lirë, nuk ka pasur asnjë masë ndaluese që ai të dalë jashtë shtetit, çdo person që hetohet në gjendje të lirë është i lirë të lëvizë. Si do ta ndalosh në Rinas? Si mund ti thuash që nuk mund të dalësh jashtë vendit, në momentin që ti nuk ke masë ndalimi, ose nuk të është bllokuar pasaporta, në pikëpamjen ligjore nuk e ndalonte asgjë që të dilte jashtë vendit. Kushdo që thotë të kundërtën është i politizuar, dhe ulet shumë niveli i bisedës”, u shpreh më tej avokati Cakrani.
Në lidhej me kontrollin në banesën e tij, avokati tha se ishte i panevojshëm dhe se autoritete duhet t’i kishin lënë atij 10 ditë kohë që të mund të dorëzohej në mënyrë vullnetare. Ai e ka cilësuar këtë veprim të autoriteteve si turp kombëtar.
“Vendimi mund të ekzekutohet edhe në moment, edhe kur të dalë vendimi i shkurtuar, në gjykatat shqiptare janë dënuar njerëz me vendim të formës së prerë, dhe ekzekutimi është bërë pas 10 ditësh. SPAK firmosi menjëherë arrestimin e Llallës, një mënyrë paragjykuese, pasi ka plot persona që nuk janë arrestuar në moment, duke i lënë kohë për dorëzim vullnetar. Ishte një shou i shëmtuar ai që ndodhi dje në shtëpinë e Llallës.
Kontrolli në banesë është një gjë rutinë, duhet patjetër që të terrorizohej familja edhe përmes pranisë së medias. Ata e dinin që ai ishte larguar nga Shqipëria, dhe se ku ndodhej, nuk mund të shkonin atje 10 OPGJ dhe oficerë të policisë së shtetit, pasi ai ka familje, ka fëmijë, mund të ishte kursyer. Prokurori i përgjithshëm nuk është një njeri i zakonshëm, ka marrë pjesë në mbledhjet më të rëndësishme ku është vetëm presidenti, kryeministri, mbledhje të sigurisë kombëtare, sekrete që do ti marrë me vete në varr.
Ky është një turp kombëtar, jo se u dënua zoti Llalla, këtu në Shqipëri ka me qindra persona që kur kanë marrë dënim me 2 vite e kanë kaluar në shërbim prove, pse në rastin e Tahirit u vendos që ai ta shlyente në shërbim prove, dhe për zotin Llalla e njëjta gjykatë mori një vendim të ndryshëm”, tha më tej Cakrani.