Një virus i ri Covid, 70% më i rrezikshëm po përhapet nga Britania e madhe në drejtim të Evropës. Virusi i ndryshuar (mutant) Covid është shfaqur në disa raste, edhe në Holandë, Danimarkë dhe Australi, raporton BBC. Vetë Holanda ka raportuar se i mbylli fluturimet me Anglinë, po ashtu Franca dhe disa vende të tjera.
Rreziku për Shqipërinë
Nga Londra që është vatra e infeksionit të virusit të ri Covid, sot më mesnatë (ora 1.25) është ulur në Rinas një avion i kompanisë ËIZZ Air, me qindra pasagjerë, që janë potencialisht bartës të vurisit të ri të rrezikshëm që ka aftësi të mëdha të përhapet. Një avion i linjës Jetairfly ka mbërritur në mëngjes në orën 8.30, edhe ky potencialisht me udhëtar që bartin virusin e ri Covid (të ndryshuar dhe më vdekjeprurës). Ndërsa nga Frankfurti vjen sot pasdite një avion i linjës LUFTHANSA, që do të ulet në orën 15:10 në Aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Kjo linjë përdoret shpesh edhe nga emigrantët tanë me qëndrim në Holandë.
Komiteti i Ekspertëve dhe qeveria flenë gjumë
Kur e gjithë Evropa po mbyll aeroportet për fluturimet nga Londra dhe linjat e tjera britanike. Qeveria shqiptare nuk ka njoftuar asnjë masë. Udhëtarët nga Londra hyjnë lirisht, pa kaluar në asnjë lloj karantine, pasi janë hequr kufizimet qysh në verë.
Përse Komiteti i Ekspertëve nuk mblidhet të vendosë mbylljen e linjave me Anglinë? Presin që të hyjë ky virus mutant në Shqipëri dhe kur të përhapet do të merren masat.
Tani që këta udhëtarë kanë hyrë në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë të paktën duhet t’i regjistrojë dhe t’i monitorojë, t’u bëjë testet këtyre udhëtarëve. Nga Anglia sipas të dhënave të përafërta të fundvitit të kaluar, në Rinas për festat e Vitit të Ri pritet të hyjnë rreth 28 mijë emigrantë dhe turistë.
Pse virusi i ri i është i rrezikshëm
Ky tip i ri Covid u zbulua për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër ishin varianti i ri. Kjo arriti gati dy të tretat e rasteve në mes të dhjetorit.
Matematikanë kanë përdorur formulat për llogaritjen e përhapjes së varianteve të ndryshme të Covid në një përpjekje për të llogaritur se sa avantazh mund të ketë virusi.
Shifra e përmendur nga Kryeministri Boris Johnson ishte se varianti mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Ai tha se kjo mund të jetë duke rritur numrin R – që tregon nëse një epidemi po rritet ose zvogëlohet – me 0.4.
Ky numër 70% u shfaq të premten në një prezantim nga Dr Erik Volz, nga Imperial College London.
Gjatë fjalimit Xhonson tha: “Në fakt, me të vërtetë është shumë herët për të thënë … por nga ajo që ne shohim deri më tani ajo po rritet shumë shpejt, po rritet më shpejt sesa varianti i mëparshëm i Covid. Pra, është e rëndësishme të mbahet parasysh ky fakt”.
Shkencëtarët, puna e të cilëve nuk është ende publike, i thanë BBC-së shifra shumë më të larta dhe shumë më të ulëta se 70% të rrezikshmërisë.
Destinacionet potenciale nga vjen virusi i ri
Sipas BBC, virusi i ri është konstatuar, për Veç Britanisë, edhe në Holandë, Irlandën e Veriut, danimarkë dhe Francë.
Nëse i referohemi informacioneve nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nisur nga situata e krijuar prej kufizimeve të lëvizjes së lirë të udhëtarëve jashtë vendit, lëvizjet e qytetarëve të këtyre vendeve janë të lira drejt aeroporteve tona dhe pikave të kalimit kufitar. Për të huajt nuk ka pengesa, nuk është i detyrueshëm karantinimi.
Po ashtu emigrantët shqiptarë që vijnë nga Anglia (Mbretëria e Bashkuar) mund të hyjnë në Shqipëri vetëm me një vërtetim të testit PCR. Në të kundërt, kur shkojnë atje izolohen për 14 ditë, në të kundërt mund të gjobiten.
Australia
Fluturimet ajrore me Australinë janë kufizuar maksimalisht për shkak të shpërthimit të një vale të re nga Covid19. Gjithashtu, aeroportet kryesore janë thuajse të mbyllur dhe për ata pak udhëtarë që mbërrijnë në këto vende. Në të kundërt, Shqipëria ka një hyrje të lirë edhe nga ky kontinent.
Danimarka
Sa i takon rregullave në Danimarkë, Shqipëria hyn në listën e vendeve të ndaluara. Kjo do të thotë se vetëm
persona me një arsye të cilësuar ‘të vlefshme’ mund të hyjnë, dhe sipas disa kushteve specifike. Duke qenë se shumë prej rasteve të lejuara përfshijnë si kusht një testim paraprak të COVID-19 të kryer jo më gjatë se 72 orë para udhëtimit, nuk ka kusht karantinimi. Shqipëria nuk ka asnjë masë kufizuese për ata që vijnë nga ky shtet.
Holanda
Holanda ka pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe deri më 1 janar 2021, pas përhapjes së një mutacioni të koronavirusit të ri (COVID-19) në këtë vend. Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Holandës thuhet se duke nisur nga ora 06:00 janë ndaluar fluturimet drejt Britanisë. Pas rekomandimit të Institutit Shtetëror të Shëndetësisë dhe Mjedisit të Holandës (RIVM) thuhet se vendimi i marrë do të jetë në fuqi deri më 1 janar.
“Brenda disa ditësh, vendet e tjera të BE-së dhe Holanda do të bisedojnë në kuadër të masave që do të ndërmerren për të ulur rrezikun e transmetimit të llojit të ri të virusit nga Britania”, thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se një rast i ngjashëm që tregon karakteristika të njëllojta me “llojin e ri të COVID-19 që përhapet më shpejt”, i cili është i pranishëm në juglindje të Britanisë është vërejtur në muajin dhjetor në vend. Edhe me këtë vend Shqipëria nuk ka asnjë kufizim për të huajt që mbërrijnë në aeroportet dhe pikat e kalimit kufitar.
Të njëjtën vonesë tregoi qeveria edhe me mbylljen e kufijve në mars 2020, kur në Shqipëri hynë me qindra mijëra emigrantë, të cilën sollën virusin nga Italia dhe Greqia.
/Iconstyle.al/