Buxheti i Autoritetit të Konkurrencës është 720 milionë lekë, i krahasueshëm me një ministri. Ka një staf me 46 vetë, ku fillon me Kryetaren e Komisionit të Konkurrencës, me komisionin duke vijuar me drejtoritë dhe inspektorët.
Komisioni i konkurrencës ka pesë anëtarë, Juliana Latifi kryetare, Eduart Ypi Zv/Kryetar, të cilit t ka mbaruar mandati më 31 tetor 2020, Leida Matja dhe Helidon Bushati, anëtarë.
AK ka një sekretariat, që drejtohet nga Diana Dervishi, kurse kryetarja ka një kabinet më vete. Në këtë staf është Drejtoria e mbikëqyrjes së tregjeve prodhuese me drejtoreshë Mimoza Kodhelaj, që ka në varësi pesë inspektorë. Drejtoria e mbikëqyrjes së tregjeve të shërbimeve, me drejtuese Anisa Buxheli, që gjithashtu ka 5 inspektorë; Drejtoria e analizës dhe e metodologjisë, me drejtore Dhurata Skënderi, si dhe 7 inspektorë, Drejtoria juridike me 5 inspektorë, drejtoria e integrimit me drejtuese Ola Daka, e cila ka në varësi 4 specialistë, drejtoria e shërbimeve mbështetëse me drejtore Vitori Kristo, që ka 5 punonjës dhe specialistë.
Gjatë vitit 2019, Autoriteti ka derdhur në buxhetin e shtetit shumën 12,583,318 lekë, e cila është derdhur si e ardhur nga gjobat, çka përbën vetëm 17% të buxhetit të Institucionit. Pra tërë këto drejtori me aktivitetin e tyre nuk nxjerrin as pagat e tyre të majme, jo më të presësh të rregullojnë konkurrencën në tregje.
Nga ky staf vetëm anëtarët e komisionit i janë përgjigjur nismës së Kryetarit të Kuvendit për përgjysmimin e pagës mujore neto, në shenjë solidariteti për përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19.
Asnjë ndërhyrje për oligopolin e analizave PCR për covid
Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të mos ndërhyjë në tregun oligopol spitaleve dhe laboratorëve privatë që mbajnë çmimet më të larta në rajon të tamponëve për analizat e Covid -19. Marrëveshja e çmimeve mes subjekteve është qartë sepse në të gjithë laboratorët mbahet çmimi 120 mijë lekë për një analizë PCR.
Që kur ka filluar pandemia, Autoriteti i Konkurrencës është jashtë kontrollit. Ka filluar një hetim në muajin mars për tregun farmaceutik, me qëllim që të parandalonte abuzimet dhe nuk dihen arsyet përse nuk ka marrë vendim, kur kanë kanë kaluar të gjitha afatet. Vendimi i hetimit është “Për hapjen e Hetimit Paraprak në Tregun e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, nr. 707, datë 23.09.2020”.
Pasi plasi skandali i farmacive me mjetet anti-covid dhe vaksinat e gripit, Autoriteti Konkurrencës u kujtua të punojë në 15 tetor 2020, kur marrë tre vendime në tregun e tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore. Akoma ky autoritet nuk ka përfunduar hetimet e nisura për koncesionet në shëndetësi, përfshirë Spitalin Amerikan, të filluara vitin e kaluar.
Thyerja e rezolutës së Kuvendit
Autoriteti i Konkurrencës varet nga Kuvendi. Më 3 prill 2018, i shqetësuar për punën e këtij institucioni, parlamenti miratoi një rezolutë ku, ndër të tjera i kërkoi “të monitorojë tregjet dhe kontratat koncesionare, të cilat sjellin deformime të konkurrencës në treg, duke evidentuar dhe përllogaritur dëmin apo përfitimin real të konsumatorit publik. Të mbikëqyrë me prioritet dhe të dalë me rekomandime konkrete për tregjet me sensitivitet të lartë publik e ndikim social si: tregu bankar, tregu i shërbimeve spitalore dhe tregu farmaceutik, si dhe sektori i arsimit të lartë publik dhe privat. Të përqendrohet në trajnimin e stafit të AK-së në lidhje me vlerësimin e të drejtave ekskluzive dhe të veçanta dhe sidomos në vlerësimin e procedurave të prokurimit publik për marrëveshjet e ndaluara në oferta”.
Në kundërshtim me urdhrin e Kuvendit, Autoriteti gjatë vitit 2019 kreu vetëm 11 procedura hetimore, duke shënuar rënie në krahasim me vitet e tjera.
/GazetaReforma.com/