Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim të thelluar në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike.
Objekt hetimi do të jenë ndërmarrjet Arli Internacional, Agro Blend, MBM, Eco-Green, Lila, Agro-Mens, Çaça, IAM, Agrohelp-sa dhe Besniku.Hetimi i Thelluar vjen në vijim të procedurës së hetimit paraprak, që u vendos në muajin mars të këtij viti dhe do të përfshijë periudhën kohore 1 Janar 2020 deri 30 Shtator 2021.
Duke u nisur nga rëndësia që kanë produktet plehëruese për fermerët në plehrimin e tokës dhe kultivimin e bimëve, Autoriteti i Konkurrencës shprehet se për analizën e këtij tregu janë marrë parasysh tre produktet kryesore të cilët përdoren në ciklin e bimës si. DAP (Hidrogjenortofosfat diamoni) përdoret gjatë plehërimit të tokës bujqësore kur mbillet bima. Ky produkt ka përdorim sezonal kryesisht në 6-mujorin e parë të vitit. Ndërkohë, Nitrati dhe Ureja përdoren gjatë rritjes së bimës, kryesisht gjatë gjithë vitit.
Nga analiza e çmimit mesatar të shitjes së produkteve DAP, Nitrat dhe Ure nga ndërmarrjet objekt hetimi vërehet se gjatë tre mujorit të parë të vitit 2021 ka patur një tendencë rritjeje të çmimit mesatar të shitjes me shumicë, duke aplikuar çmime të përafërta dhe duke alternuar shitjet e produkteve sipas nevojave të tregut në periudhën përkatëse. Sipas AK, kjo sjellje e ndërmarrjeve reflektohet në çmime më të larta përfundimtare të shitjes dhe mund të përbëjë një sjellje të bashkërenduar, në kuptim të nenit 4 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Pasi hapi hetimin paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën, Komisioni i Konkurrencës vendosi më 12 mars 2021 edhe marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në këtë treg. Vendimi urdhëronte ndërmarrjet që operojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore t’i japin fund bashkëpunimit mes tyre, duke u sjellë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre tregtar të importeve të produkteve, caktimit të çmimit të shitjes ose ndarjes së tregut përkatës, si dhe përdorimit të të drejtave ekskluzive, shkruan Monitor.
Nga inspektimet e kryera prej këtij institucioni, rezultoi se disa prej ndërmarrjeve nuk i kanë zbatuar masat e përkohshme. Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi në fund të muajit prill të gjobisë ndërmarrjet Agroblend shpk me dy milionë lekë, MBM shpk me dy milionë lekë dhe ÇAÇA shpk me 500 mijë lekë.