Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që u krye më 2022, por mësuesit dhe ekspertët e arsimit paralajmërojnë se në testimin e radhës rezultatet mund të jenë edhe më të përkeqësuara.
Shqipëria ka bërë dy dekada pas në sektorin e arsimit, sipas testimit të kryer në vitin 2022 me nxënësit 15-vjeçarë. Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012.
Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012. Edhe në shkenca, rënia e ishte e ngjashme.
PISA është test vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve, një hulumtim ndërkombëtar në nivel botëror, i cili bëhet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në vendet anëtare dhe joanëtare të shteteve ku vlerësohen performancat e nxënësve në matematikë, shkencë dhe lexim.
Teksti nisi të aplikohet në vitin 2000 me një interval përsëritje në çdo tre vjet, me qëllim që vendet të përmirësojnë politikat arsimore. Në rezultatet e vitit 2022, Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe në rezultate me vetveten në të gjithë historinë e PISA.
Autorët e raportit të vlerësimeve janë përpjekur të gjejnë arsye për të shpjeguar këtë rënie të paprecedentë, por të gjitha faktet tregojnë se aftësitë kanë shënuar rënie.
Rezultatet e dobëta të vendit në arsim kaluan në heshtje, por një seri mësuesish dhe ekspertësh, që ushtrojnë profesionin në arsimin parauniversitar, pranojnë se rezultatet kanë rënë duke dhënë edhe arsyet.
Ndryshimi i kurrikulës, përdorimi i gabuar i teknologjisë, mungesa e motivimit për mësuesit, rënia e nivelit profesional të mësuesve, notat fiktive dhe mendësia mes prindërve dhe nxënëses se shkolla nuk të bën të suksesshëm, janë disa nga shkaktarët e rezultateve të dobëta.
Ekspertët lajmërojnë se rezultatet janë përkeqësuar pasi të gjitha arsyet e renditura po përkeqësohen, teksa niveli i mësuesve të rinj është më i dobët. Financimet e ulëta për arsimin dhe sidomos pagat e ulëta të mësuesve po çojnë gjithnjë e më shumë nxënës, studentë të dobët, në degët e mësuesisë, duke vënë në diskutim cilësinë e arsimit në vijim.
Rezultatet zyrtare të pranimit në fakultete në vitin arsimor 2023-2024 treguan se, në degën e letërsisë, mesatarja e pranimit të studentëve ishte 6, ndërsa degët e matematikës dhe fizikës rrezikojnë të mbyllen.
Të gjithë vendet me prosperitet ekonomik apo që janë zhvilluar shumë shpejt (Koreja e Jugut dhe Estonia) kanë kryer një reformë të thellë në arsim, që më pak ka shërbyer për të kaluar ekonominë e vendit në një nivel tjetër. Kthimi pas i Shqipërisë në arsim paralajmëron rënie në të gjithë sektorët e tjerë, të cilët prej vitesh janë vënë në vështirësi për profesionistë dhe krah pune.
Kurrikula e re dështoi
Një nga arsyet kryesore të rënies në rezultate në krahasim me vitet e mëparshme në testin e PISA është edhe ndryshimi i kurrikulës në arsimin parauniversitar, thotë Dr. Adrian Naço, nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Matematikës.
Zoti Naço, i cili prej vitesh punon me talentet, kryesisht në shkenca, tha se sipas treguesve statistikorë në vite, rezultatet më të mira janë marrë në vitin 2018 në testin PISA.
Ky është një tregues se reforma e ndërmarrë në 2017-2018 e në vijim, jo vetëm nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, por ka shënuar regres në tërësinë e tij dhe veçanërisht në lëndën e matematikës.
Prej vitesh, Shqipëria ka ndryshuar përmbajtjen mësimore dhe mënyrën e dhënies së mësimit në nivelin parauniversitar dhe zgjodhi kurrikulën britanike si model. Mësuesja e matematikës N. M. në arsimin e mesëm në një nga shkollat e Lezhës tha se, kurrikula e re po jep më pak njohuri tek nxënësit.
Më parë, matematika në shkollë të mesme, kishte shpjegim në librin e nxënësit, teorema dhe përkufizime për çdo temë mësimi, ndërsa me ndryshimin e kurrikulës, më shumë nxitet mësimi logjik pa orientuar nxënësin nga rregullat që më parë mësoheshin edhe përmendësh.
Mirëpo kjo metodë nuk po rezulton efikase, pasi mësuesit nuk u trajnuan dhe nxënësit kanë interes më të ulët për të ndërvepruar sipas modelit të ri.
“Me kurrikulën e vjetër, nxënësit detyroheshin të mësonin së paku përmendësh tabelën e shumëzimit, përkufizimet dhe teoremat dhe gjatë këtij procesi mësonin diçka, ndërsa në kurrikulën e re këto detyrime janë hequr dhe tani shumica e nxënësve nuk mbajnë mend as veprimet më të lehta matematikore”, – tha ajo.
B.Muslia, që jep mësim në një shkollë 9-vjeçare në Kukës tha se, kurrikula në kompetenca ka dështuar, pasi mësimdhënia në bazë të saj kërkon logjistikë, mjete dhe teknologji. “Mungojnë mjetet e punës në shkollë. P.sh. teksti i biologjisë është ndërtuar një orë mësim, një orë veprimtari praktike ose punë laboratori.
Në shumicën dërrmuese të shkollave mungojnë mjetet e demonstrimit, sidomos në lëndët shkencore.
Mjetet demonstruese praktike, dhe në 90% ose më shumë, edhe ato vizive. Nga ana tjetër, një mësues biologjie ndoshta mund të realizojë edhe vetë ndonjë orë të veprimtarisë praktike, megjithatë edhe kjo ka mangësi ose nuk realizohet, pasi mësuesit janë të ngarkuar me lëndë të tjera dhe nuk ka kohë të mbledhin material për veprimtarinë”.
B.SH., mësuese e lëndës së letërsisë, që jep mësim në një nga gjimnazet e Qarkut të Korçës, tha se “ka mospërputhje mes programit që jep ministria dhe tekstit, që do të thotë se teksti nuk është në shërbim të plotë të nxënësit”.
Ajo shtoi se në arsim, puna e mësuesve po ngarkohet më shumë me plotësimin e dokumentacionit sesa me punën e mësimdhënies. Programi nuk të jep shumë mundësinë të ndalesh më gjatë në një njohuri të caktuar, ku orët janë të përcaktuar fiks, tha ajo.
Të njëjtin mendim ndau edhe A. K, që jep letërsinë në nivelin 9-vjeçar në Tiranë. Ajo tha se, për kurrikulën e re mësuesit nuk janë trajnuar dhe kjo ndikon në nivelin e mësimdhënies, pasi mësuesi u përball me diçka te re që nuk ishte i aftë ta zbatonte, pasi nuk kishte njohuritë e duhura.
Ajo shtoi se kurrikula e re kërkon dhe zbatim të teknologjisë, pothuajse në çdo orë mësimi, gjë që është e pamundur.
Zoti Naço pohoi se në Akademinë e Shkencave është zhvilluar një forum pikërisht me temë krahasimi i kurrikulave të sistemit tonë arsimor me atë të disa vendeve të tjera të rajonit dhe të Europës.
“Personalisht m’u ngarkua krahasimi i kurrikulës sonë me atë britanike, mbi të cilin është mbështetur edhe reforma e kurrikulave dhe materialet dhe librat shkollore të reformës aktuale arsimore.
Nëse mund të shprehem me terma absolutë, tërësia e njohurive që merr një nxënës në minimaturë dhe sidomos në maturë në sistemin tonë është i rendit 40% në matematikën bërthamë dhe 5% në matematikën e avancuar krahasuar me atë britanike” – tha profesori.
P.sh. në maturën britanike, në dy vite zhvillohen 360 ore mësimore në matematiken bërthamë dhe 360 orë në matematikën avancë, kurse në maturën shqiptare, ku ka rreth 11 disiplina, zhvillohen rreth 144 orë mësimore në vetëm një vit në matematikën bërthamë dhe 68 orë matematikë avancë. Vetëm ky tregues tregon hendekun e madh midis të dy sistemeve.
Ndërkohë që reforma arsimore në vendin tonë ka nisur nga klasat e 10-ta dhe të 11-ta dhe në vijim është shtrirë në klasat 8 dhe 9 dhe 12 dhe në vazhdim edhe në klasat më të ulëta.
“Mendoj se një nga arsyet që rezultatet në matematikë kanë rënë është edhe fakti që është hequr provimi me zgjedhje në maturë dhe kjo ka thelluar edhe më shumë hendekun që kanë studentët kur prezantohen me një nivel më të lartë njohurish në studimet e tyre të mëtejshme në nivel universitar”, – tha z. Naço.
Aktualisht, institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë, ka për mision garantimin dhe vlerësimin e performancës së sistemit të arsimit parauniversitar dhe cilësinë e arsimimit parauniversitar publik e privat, në përputhje me kurrikulën e bazuar në zhvillimin e kompetencave (sot ASCAP).
Në një vlerësim ndaj nivelit të mësuesve për vitin 2021 nga kjo agjenci u verifikua se 37,3% e mësuesve në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm në të gjithë vendin kanë informacion jo të mjaftueshëm për çështjet që lidhen me zbatimin e kurrikulës më kompetenca.
Keqpërdorimi i teknologjisë po ul aftësitë mësimore
Teknologjia në shumë vende ka ndihmuar për të bërë hapa para me arsimin. Teknologjia ishte një ndihmëse e madhe për shumë vende në periudhën e pandemisë, pasi mundësoi mësimdhënien në distancë, duke shmangur humbje totale të vitit të shkollës gjatë periudhës së izolimit.
Por në Shqipëri, përdorimi pa kriter i teknologjisë ka ndikuar në uljen e rezultateve të tregojnë mësuesit. Nxënësit harxhojnë shumë kohë në rrjete sociale dhe në lojëra që nuk nxisin kreativitetin, duke kaluar më pak kohë mbi libra. N. M., mësuesja e matematikës në Lezhë thotë se, është e pamundur heqja e telefonave gjatë mësimit te nxënësit.
“Gati të gjithë përdorin telefonin në orën e mësimit për të zhvilluar lojëra.
Nuk kam asnjë mjet për të frenuar këtë fenomen. As penalitetet dhe as prindërit nuk na ndihmojnë në këtë aspekt. Për më tepër, nxënësit kanë instaluar aplikacione që zgjidhin ushtrimet me telefon. Mësuesja e letërsisë në shkollë të mesme në Qarkun e Korçës tha se, “ulja e interesit të nxënësve vjen si rezultat i ndikimit të teknologjisë”.
Përdorimi i telefonit dhe rrjeteve sociale pas asnjë kriter ka ulur interesin tek libri dhe letërsia”, tha ajo.
Mësuesja e sistemit 9-vjeçar A. K. Në Tiranë tha se niveli i aftësive të nxënësve ka rënë ndjeshëm në krahasim me vitin 2010.
“Në vitin 2020, në klasë kishte më shumë se 10 nxënës shumë të mirë, por tani nuk janë as dy të tillë. 15 vite më parë, interesi i nxënësve për librin ishte shumë i lartë, ndërsa tani, edhe nxënësit shumë të mirë lexojnë me shumë vështirësi edhe librat e programit, për librat jashtë klase që ndikojnë në formimin e tij, nuk bëhet fjalë fare”, – tha ajo.
Tani nxënësit i bëjnë esetë dhe detyrat me ndihmën e teknologjisë dhe sidomos Inteligjencës Artificiale, ndaj dhe kanë humbur kreativitetin për të punuar në mënyrë të pavarur. Situata po përkeqësohet dita- ditës, tha ajo.
Në anën tjetër, qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk ka investuar në teknologjinë në shkolla dhe shumica e mësuesve nuk janë të aftë ta përdorin me qëllim që t’i orientojnë nxënësit drejt dijeve.
“Madje ndër faktorët kryesorë që sot niveli i arsimit po çalon është interneti. Rrjetet sociale sot ju “ofrojnë” fëmijëve, adoleshentëve apo rinisë ‘një jetë përrallore’ ku si model nuk është arsimi apo disiplina mësimore, por një model qesharak, ose një model kriminal i të pasuruarit shpejt.
Qëndrimi me orë të zgjatura në internet dhe mbajtja më pas e mendimeve në ato ngjarje që shikojnë në internet. Kjo sjell edhe humbjen e vëmendjes nga mësimet apo mospërvetësimin në kohë të gjata të koncepteve”, – thotë mësuesi B.M
Pagat e ulëta, po ndikojnë cilësinë në arsim
“Po bëj gati 40 vite në arsim, në lëndën e matematikës. Aktualisht paga ime me të gjitha kategoritë dhe kualifikimet është vetëm 10 mijë lekë më e madhe se ajo e pastrueses së shkollës dhe nuk ka asnjë diferencë me mësuesit e tjerë me vështirësi më të ulët, të tilla si arti pamor dhe sporti, ndërkohë që ngarkesa mësimore është e lartë”, thotë mësuesja e matematikës N.M.
Lënda e matematikës ka vështirësi dhe si e tillë duhet të trajtohet edhe në pagë.
Ka qenë një pagesë 1200 lekë në muaj që mësuesi i matematikës merrte më shumë se të tjerët, por edhe kjo është hequr tashmë. Paga neto që marrin mësuesit në arsimin parauniversitar është 50-60 mijë lekë në muaj.
Kjo pagë tashmë konkurrohet edhe nga profesione elementare, pas rritjes së pagës minimale. Reforma e pagave që aplikoi qeveria nuk i ka prekur mësuesit. Rritja e pagës për administratën qendrore nga 30 deri në 96% ndërsa për mësuesit u paga u rrit vetëm 7% këtë vit, shumë kjo e mjaftueshme për të përballuar vetëm rritjen e inflacionit.
Në tremujorin e dytë të vitit 2023, paga mesatare në sektorin shtetëror arriti në 82,207 lekë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa paga mesatare që një mësues merr në arsimin 9-vjeçar (rreth 71 mijë lekë në muaj) ose sa 86% e pagës mesatare në shkallë vendi (82,207 lekë në muaj).
Teksa në administratën qendrore pagat u rritën me ritme shumë më të larta, duke ndikuar në rritjen e pagës mesatare në shkallë vendi, punonjësit në shërbimet prioritare të vendit arsim dhe shëndetësi kanë thelluar diferencën me pagën mesatare në shkallë vendi.
Shifrat më të detajuara të botuara në Fletoren Zyrtare tregojnë se paga e një specialisti të thjeshtë në Administratën Publike (klasa 4) aktualisht është 84,000 lekë ose rreth 3% më e lartë se paga mesatare në sektorin shtetëror në tremujorin e dytë të 2023.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në vitin 2022, shpenzimet publike në sektorin e arsimit ishin 62.9 miliardë lekë, ose 2,9% e PBB-së. Krahasuar me vitin 2021, shpenzimet publike në arsim shprehur si përqindje ndaj PBB-së kanë shënuar ulje me 0,2 pikë përqindje, ndërkohë, shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje.
Dy shërbimet themelore publike, arsimi dhe shëndetësia, janë të nënfinancuara në raport me vendet e tjera të rajonit dhe Europës. Financimet në arsim kanë kthyeshmëri të lartë në krahasim me sektorët e tjerë, pasi rrisin kualitetin dhe aftësitë e kapitalit human. Një forcë pune e mirarsimuar është në gjendje të çojë përpara një model më të avancuar ekonomik.
Gjatë gjithë tre dekadave të tranzicionit, shpenzimet kanë qëndruar në rreth 3% të PBB-së.
Në mënyrë krahasimore, në lidhje me shpenzimet në arsim si përqindje e PPB-së, treguesi i Shqipërisë është poshtë vendeve të rajonit që financojnë 4-5% të PBB për arsimin dhe poshtë vendeve të OECD që financojnë 6-7% të PBB-së tyre për arsimin.
Ka rënë autoriteti i mësuesit dhe profesionalizimi
Mësuesit janë të pambrojtur përballë prindit. “Praktikisht, standardet e sistemit arsimor në Shqipëri i përcaktojnë prindërit përmes presionit për notën.
Në përballjen me prindin, mësuesi është vetëm. Nëse një mësues vendos sot të zbatojë sistem vlerësimi real, ai/ajo do të zhvlerësohet totalisht nga notat e kollajshme të vendosura në të njëjtën shkollë, në shkolla të tjera ose në provimet shtetërore”, thotë Ermal Hasimja, Administrator në shkollën jopublike “Ernest Koliqi”.
Presioni i prindërve është rritur, liria e nxënësve e ka bërë të pamenaxhueshëm mësimin dhe autoriteti i mësuesit ka rënë, tha A.K. mësuese në Tiranë.
“Kur nisa punën në vitet 2000 kishte më shumë respekt për figurën e mësuesit, si nga nxënësit, edhe prindërit. Mësuesi gëzonte mbështetje dhe kjo na bënte më efektiv në shkollë. Tani mësuesi nga një autoritet absolut në shkollë është kthyer në qendër sulmi” thotë mësuesja A.K.
“Prindërit gjithnjë janë kthyer në mburojë të tepërt për fëmijët. Në shumë raste, duke mos përmbushur detyrat prindërore në shtëpi (të mos lejojnë pa kriter teknologjinë) akuzojnë stafin e shkollës, thotë mësuesja N.M. Pothuajse të gjithë mësuesit e intervistuar pohojnë se politika ndërhyn shumë në shkollë dhe karriera nuk bëhet me meritë, por me njohje dhe kontribute politikë.
Mësuesi B. Muslia thotë se “autoriteti i mësuesit ka rënë në nivele shqetësuese. Mësuesi është një figurë e cila cenohet nga çdo palë, si politika, drejtuesit arsimorë, prindërit dhe nga nxënësit.
Kjo bën që edhe puna e mësuesit të çalojë për arsye sepse shume e kanë të vështirë menaxhimin e klasës nga zhurmat apo sjellja e nxënësve.
Në shumë raste, mësuesit luajnë rolin e policit dhe jo mësuesit. Kjo nuk është normale dhe po ndikon që niveli i të nxënit të nxënësit të jetë jo i mirë”, – tha ai.
Vlerësimi fiktiv është rritur
Shoqëria kërkon nota, jo dije, thotë zoti Hasimja. Sipas tij, sistemi shqiptar është relativisht fiktiv. Ka inflacion të madh te notat dhe kjo pashmangshmërisht e tërheq nxënësin për nga poshtë, sepse ul presionin për të mësuar.
Fatkeqësisht shkollat, por edhe shteti e kanë shumë të vështirë të përballojnë presionin e prindërve për nota të mira fiktive. “Është gjithnjë e më e vështirë të gjesh mësues të mirë. Të rinjtë e sotëm e shohin profesionin e mësuesit me përbuzje, sepse i është bjerrë statusi social.
Çështja e pagave është e rëndësishme, por dytësore”, – tha ai.
- Muslia thotë se, mësuesit shpesh vendosin nota fiktive për arsye të ndryshme. “P.sh. fëmijëve të kolegëve u vendosin nota të pamerituara. Fëmijëve të biznesmenëve, nota të pamerituara. Fëmijëve të një punonjësi në administratën shtetërore u vendosin nota fiktive, etj.”.
Mësuesja e matematikës N.M. thotë se fiktiviteti i notave është rritur për disa arsye. E para, ka një presion të madh nga strukturat drejtuese ndaj mësuesve për rezultate. Prindërit, nga ana tjetër, janë gjithnjë e më të prirë për notën dhe nuk kanë asnjë informacion për dijet që po marrin fëmijët.
Modelet e suksesit sot kanë ulur interesin për shkollën
Modelet e suksesit që të rinjtë shikojnë sot në rrjetet sociale dhe jetën reale po ndikojnë në uljen e interesit të tyre ndaj shkollës. Një këngëtar tallavaje që fiton para nga klikimet në Tik-Tok frymëzon më shumë se sa një nxënës ekselencë në matematikë.
“Ka gjithnjë e më shumë një mendësi nga prindërit dhe nxënësit se shkolla dhe dijet nuk të sigurojnë suksesin në jetë”, – thotë mësuesja N.M. Ka një perceptim në rritje se shkolla nuk ka vlerë sidomos te djemtë.
Shumica e tyre synojnë të emigrojnë, thotë mësuesi B.M në Kukës. Më parë, nxënësit ëndërronin të bëheshin inxhinierë, mësues, arkitektë, ekonomistë, ndërsa tani emigrantë. Nxënësit që mësojnë në shkollë janë shumë pak dhe ata bullizohen nga shumica që nuk mëson.
“Më parë, klasa kishte tre nxënës shumë të mirë, dy ose tre shumë të dobët dhe pjesa dërrmuese ishin mesatarë. Sot ka vetëm dy-tre që kanë interesin për mësimin dhe pjesa tjetër janë shumë të dobët dhe nuk kanë asnjë interes për mësimin”, – thotë mësuesja N.M. “Në klasat e mia synojnë të emigrojnë 90% e nxënësve”, – tha ajo.
“Modelet me shtëpitë e barit në Britani që bëjnë të pasur brenda vitit po shkallmojnë arsimin në shumë shkolla të qarqeve, ku nxënësit kanë braktisur edhe arsimin 9-vjeçar për ikur në emigracion./Monitor