Një shtetas 46-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit, për shkak se akuzohet për armëmbajtje dhe kanabis. Kujtim Qerimaj, banues në Mallakastër, u arrestua sot nga Policia e Fierit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjet dhe sekuestrua 1 armë gjahu pa leje, si dhe 800 gram lëndë narkotike “cannabis sativa”, që ishte përgatitur për t’u shitur.
Njoftimi i Policisë:
Fier – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbatjes pa leje. Sekuestrohen 800 gram lëndë narkotike cannabis sativa dhe 1 armë gjahu pa leje, vihet në pranga poseduesi.
Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë shtetasin Kujtim Qerimaj, 46 vjeç, banues në Lapulec, Mallakastër.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjetë dhe sekuestrua 1 armë gjahu pa leje dhe 800 gram lëndë narkotike cannabis sativa e pregatitur gati për shitje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”, shkruhej në njoftimin e policisë.