Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi priti qytetarët e parë afganë që mbërritën në vend mbrëmjen e sotme. Kurti i uroi mirëseardhjen dhe tha se këta refugjatë, sikurse gjithë popujt e tjerë në botë, gëzojnë të drejtën për liri.
“Refugjatëve afganë të cilët sigurisht janë të dëshpruar që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, ju dëshiruam mirëseardhje, ju thamë që janë mysafirë tanë dhe këtu janë të sigurt. Këta refugjatë, sikurse të gjithë popujt tjerë në botë, gëzojnë të drejtën për liri”, tha Kurti.
Ai shtoi se kur bëhet fjalë për partnerët si NATO apo SHBA, nuk bëhet pyetja pse, po thuhet vetëm si. Kurti tha se çështjet që janë diskutuar janë të natyrës teknike dhe falenderoi aleatët për komunikimin e ngushtë deri në pritjen e refugjatëve.
“Kur bëhet fjalë për partnerët tanë sikurse NATO dhe SHBA, nuk bëhet pyetja pse, ne themi vetëm si. Të gjitha çështjet që diskutojmë janë të natyrës teknike, se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim. I falënderojmë edhe SHBA edhe NATO-n për komunikimin e ngushtë deri në këtë ditë që t’i presim këta refugjatë”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se në vend kanë mbërritur 111 afganë. Ata do të strehohen në në ish-Kampin e Bechtel Enkas, në afërsi të ‘Bondsteel’-it