Gjykata e Apelit e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Vendimi u mor në seancën e zhvilluar këtë të hënë, ndërsa mbrojtja e saj kundërshtoi zhvillimin e procesit. Avokati Ardian Kalia deklaroi se seanca nuk duhej të mbahej, pasi sipas tij nuk kishte më objekt shqyrtimi, duke qenë se për Ballukun tashmë ekziston një dekret për shkarkimin nga detyra.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme pranuan se Balluku nuk është më në detyrë, por kërkuan që formalisht të mbetet në fuqi masa e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Sipas SPAK, ish-zëvendëskryeministrja akuzohet se së bashku me vartës të saj ka paracaktuar fituesit në dy tenderë publikë me vlerë totale rreth 210 milionë euro. Bëhet fjalë për tenderin e Tunelit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro dhe për lotin 4 të Unazës së Madhe, me vlerë 20 milionë euro.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar gjithashtu arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se lënia e saj në gjendje të lirë mund të rrezikojë prishjen e provave dhe të ndikojë te dëshmitarët.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë më 12 mars për kërkesën e SPAK për heqjen ose jo të imunitetit të Belinda Ballukut.








