Rritja globale e PBB-së parashikohet të jetë 3.1% në vitin 2022, afërsisht sa gjysma e ritmit në vitin 2021 gjatë rimëkëmbjes nga pandemia dhe pritet të ngadalësohet më tej në 2.2% në vitin 2023, shumë më poshtë se norma e parashikuar para luftës, vlerëson Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Në vitin 2024, rritja globale parashikohet të jetë 2.7%, e ndihmuar nga hapat fillestarë për të lehtësuar normat e interesit në disa vende. Perspektivat globale po bëhen gjithashtu më të pabalancuara, ndërsa ekonomitë kryesore aziatike të tregjeve në zhvillim, përbëjnë afërsisht tre të katërtat e rritjes së PBB-së globale në vitin 2023, duke reflektuar zgjerimin e tyre të qëndrueshëm dhe ngadalësimin e mprehtë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.
Inflacioni total i çmimeve të konsumit në ekonomitë kryesore të zhvilluara, parashikohet të zbutet nga 6.3% këtë vit, në rreth 4¼ për qind në vitin 2023 dhe 2½ për qind në vitin 2024, ndërkohë që hyn në fuqi politika monetare më e shtrënguar, presionet e kërkesës zvogëlohen dhe kostot e transportit normalizohen, edhe pse ritmi i rënies do të ndryshojë sipas vendeve.
Pasiguria në lidhje me perspektivën është e lartë dhe rreziqet janë bërë më të shumta dhe më të mprehta. Projeksionet pasqyrojnë çmimet e larta të energjisë në dy vitet e ardhshme, por rezultatet mund të jenë edhe më të dobëta nëse ka mungesa të furnizimit me energji në tregjet globale, ose nëse kërkohet racionimi i detyrueshëm i energjisë për të ulur mjaftueshëm kërkesën për gaz dhe energji elektrike gjatë dy dimrave të ardhshëm në Europë.
Normat e larta të interesit mund të ngadalësojnë edhe rritjen më shumë nga sa ishte parashikuar, duke pasur parasysh nivelet e larta të borxhit dhe lidhjet e forta të tregtisë dhe investimeve ndërkufitare që rrisin ndikimet nga kërkesa më e dobët në vendet e tjera.
Shtrëngimi i përhapur dhe i shpejtë monetar, rrit gjithashtu dobësitë financiare. Strategjitë financiare të vendosura në periudhën e gjatë të normave të interesit tepër të ulëta, mund të mos funksionojnë nga rritja e shpejtë e normave dhe të ushtrojnë stres në mënyra të papritura.
Shumë ekonomi të tregjeve në zhvillim mund të përballen me vështirësi të konsiderueshme, veçanërisht ekonomitë që importojnë më tepër mallra. Normat më të larta të interesit, forcimi i Dollarit Amerikan dhe përkeqësimi i kushteve të tregtisë, rrisin sfidat e shlyerjes së borxhit të jashtëm dhe deficiteve, veçanërisht nëse rritja ngadalësohet ndjeshëm dhe kushtet financiare globale shtrëngohen edhe më tej.
Rreziqe domethënëse vijnë edhe nga zgjerimi ekonomik i Kinës, dobësia e vazhdueshme në tregjet e pronave, rritja e kredive me probleme dhe ndërprerjet nga politika zero-COVID-19, që mund të rëndojnë rëndë mbi kërkesën e brendshme dhe rritjen globale. Në anën pozitive, ulja e pasigurisë, kushtet më të lehta të tregut financiar ose çmimet më të ulëta të mallrave, do të zbusin ngadalësimin e rritjes.
Rritja e pasigurisë, ngadalësimi i rritjes, presioni i fortë inflacionist dhe ndikimi i vazhdueshëm i luftës në Ukrainë në tregjet e energjisë, i lënë politikëbërësit me zgjedhje të vështira që të ruajnë stabilitetin makroekonomik dhe të përmirësojnë perspektivat për një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në një periudhë afatmesme.
Shtrëngimi i vazhdueshëm i politikës monetare është i nevojshëm në shumicën e ekonomive kryesore të përparuara për të përmbajtur pritshmëritë inflacioniste dhe për të ulur inflacionin në mënyrë të qëndrueshme.
Masat e politikës së brendshme duhet të kalibrohen me kujdes dhe t’u përgjigjen të dhënave të reja, duke pasur parasysh pasigurinë në lidhje me perspektivën e rritjes, shpejtësinë me të cilën normat më të larta të interesit hyjnë në fuqi dhe ndikimet e mundshme nga politikat kufizuese në vende të tjera.
Kushtet më të shtrënguara financiare globale dhe presionet e vazhdueshme inflacioniste ka të ngjarë të nxisin shtrëngimin e mëtejshëm të politikës monetare në shumë ekonomi të tregjeve në zhvillim dhe të kufizojnë hapësirën për lehtësim në vendet ku rritja po ngadalësohet dhe normat e interesit tashmë janë rritur ndjeshëm.
Po ofrohet mbështetje fiskale për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit të kostove të larta të energjisë te familjet dhe kompanitë. Në mungesë të një mbështetje të tillë, me siguri do të kishte rënie të konsiderueshme të prodhimit në shumë vende.
Megjithatë, shpesh nevojitet një model më i mirë për të siguruar që mbështetja të jetë vetëm e përkohshme dhe e përqendruar te familjet dhe kompanitë më të cenuara, si dhe të nxisë uljen e konsumit. Veprimet fiskale afatshkurtra për të ruajtur standardet e jetesës duhet të marrin parasysh edhe nevojën për të shmangur nxitjen e kërkesës në një kohë me inflacion të lartë, duke siguruar përshtatje me politikën monetare dhe duke shmangur efektet negative në qëndrueshmërinë fiskale.
Kornizat e besueshme fiskale do të ndihmonin për të ofruar udhëzime të qarta mbi trajektoren afatmesme të financave publike dhe për të zbutur shqetësimet për qëndrueshmërinë e borxhit në një kohë të presioneve në rritje të shpenzimeve dhe pagesave më të larta të ardhshme për borxhin publik.
Lufta dhe pandemia u shtohen sfidave të gjata për rritjen ekonomike, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien nga përshpejtimi i dixhitalizimit, plakja e popullsisë dhe nevoja për të ulur emetimet e karbonit. Kërkohen përpjekje efektive për reforma për të rritur produktivitetin dhe aftësitë, për të reduktuar pabarazinë dhe për të përmirësuar ekuilibrin gjinor, për të forcuar elasticitetin dhe për të rritur standardet e jetesës.
Politikat e zgjedhura mirë, si rritja e mbështetjes për kujdesin ndaj fëmijëve dhe reduktimi i taksave për punëtorët me pagë më të ulët, mund të ndihmojnë në zbutjen e presioneve aktuale me të cilat po përballen familjet me të ardhura më të ulëta dhe gjithashtu të ofrojnë përfitime afatmesme për punësim dhe më shumë përfshirje.
Mbajtja e kufijve ndërkombëtarë të hapur ndaj tregtisë, heqja e pengesave për emigrimin më të fortë ekonomik ndërkufitar dhe sigurimi i integrimit më të shpejtë të emigrantëve në tregun e punës, do të ndihmonin në zbutjen e presioneve afatshkurtra të ofertës mbi inflacionin.
Qeveritë gjithashtu duhet të sigurojnë që objektivat e sigurisë energjetike dhe zbutja e ndryshimeve klimatike, të jenë në një linjë. Përpjekjet për të mbrojtur sigurinë e energjisë nëpërmjet mbështetjes fiskale, diversifikimit të furnizimit dhe konsumit më të ulët të energjisë, duhet të shoqërohen me masa më të forta politike, për të rritur investimet në teknologjitë ekologjike dhe efikasitetin e energjisë.
Pasojat e luftës mbeten kërcënim për sigurinë globale të ushqimit, veçanërisht nëse ndërthuren me ngjarje ekstreme të motit që vijnë nga ndryshimet klimatike. Nevojitet bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar për të mbajtur të hapura tregjet bujqësore, për të zgjidhur nevojat emergjente të ushqimit dhe për të forcuar furnizimin vendas.
Një bashkëpunim më i fortë ndërkombëtar për lehtësimin e borxhit, duke përfshirë vendet në G20, është gjithashtu i nevojshëm për të minimizuar pasojat e mundshme negative ekonomike dhe sociale të mosshlyerjes së borxheve, duke qenë se një numër gjithnjë e më i madh vendesh me të ardhura më të ulëta, po hasin vështirësi me borxhet dhe kanë sektorë bankarë të brishtë.
Rritja globale ka humbur vrullin për shkak të inflacionit të lartë
Lufta në Ukrainë ka efekt negativ të vazhdueshëm në kushtet ekonomike. PBB-ja globale ngeci në tremujorin e dytë të vitit 2022, me një rënie të mprehtë të prodhimit, si në Ukrainë, ashtu edhe në Rusi, dhe një tkurrje të prodhimit në Kinë (duke reflektuar bllokimet për shkak të politikës zero-COVID-19) dhe në Shtetet e Bashkuara.
Rritja globale u përshpejtua në tremujorin e tretë, e ndihmuar nga rimëkëmbja në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara, por mbeti e moderuar, për shkak të rritjes së dobët të të ardhurave reale që pengon shpenzimet e konsumatorëve dhe çmimet më të larta të energjisë, që rezultojnë në një ngadalësim të mprehtë në shumë ekonomi, veçanërisht në Europë.
Në muajt e fundit, disa tregues të aktivitetit ekonomik global, si shitja me pakicë, prodhimi industrial dhe tregtia ndërkombëtare, janë stabilizuar pas një tremujori të dytë veçanërisht të dobët. Kjo është ndihmuar paksa nga zbutja e masave kufizuese anti-COVID-19 në Kinë.
Megjithatë, treguesit e anketës sinjalizojnë humbjen e vrullit në shumë vende, veçanërisht në Europë. Në sektorin e korporatave, PMI-ja e porosive të reja globale në të gjithë industritë, ra në mënyrë të qëndrueshme për disa muaj deri në tetor.
Besimi i konsumatorëve është gjithashtu dukshëm i dobët, duke reflektuar pjesërisht një rënie në të ardhurat reale të familjeve në shumicën e ekonomive të OECD-së, me një inflacion më të lartë që nuk përputhet me rritjen më të shpejtë të të ardhurave nominale. Familjet me të ardhura të ulëta dhe familjet rurale janë goditur më tepër, duke reflektuar peshën e madhe të ushqimit dhe energjisë në shpenzimet e tyre.
Presionet inflacioniste janë shtuar. Në ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim, inflacioni total i çmimeve të konsumit arriti përkatësisht në nivelin 9.6% dhe 10.8% në tremujorin e tretë të vitit 2022.
Rritja e papritur e presioneve inflacioniste në 2022-n erdhi për shkak të shpërthimit të luftës në Ukrainë, që rezultoi në një rritje të menjëhershme të çmimeve kryesore të mallrave, duke përfshirë naftën, gazin, qymyrin, një sërë metalesh, grurin, misrin dhe disa vajra ushqimorë, si dhe plehrat kimike. Megjithëse kjo rritje më pas ka rënë për shumicën e mallrave, pjesërisht për shkak të kërkesës së dobët nga Kina, çmimet e gazit dhe qymyrit të tregtuar ndërkombëtarisht, mbeten të larta.
Duke qenë se çmimet e energjisë elektrike në përgjithësi janë të lidhura me çmimin e gazit, çmimet e larta rekord të gazit kanë sjellë rritjen e çmimeve të energjisë elektrike në Europë. Vetëm një pjesë e rritjes së çmimit të shitjes me shumicë, është reflektuar deri tani në çmimet e energjisë elektrike me pakicë, sepse shumë qeveri europiane kanë ndërhyrë për të mbrojtur konsumatorët nga ndikimi i plotë i rritjes së çmimit të gazit të importuar, duke përfshirë vonesat në përditësimin e kontratave të furnizimit për familjet dhe korporatat.
Megjithatë, disa rritje të mëdha kanë ndodhur tashmë dhe nëse çmimet e energjisë elektrike me shumicë nuk vazhdojnë të bien (siç ka ndodhur në javët e fundit), ka të ngjarë që të rriten më tej çmimet me pakicë. Nëse këto nuk ndodhin, kompanitë e shpërndarjes rrezikohen të falimentojnë dhe qeveritë që imponojnë kufijtë e çmimeve mund të përballen me subvencione të kushtueshme dhe potencialisht afatgjata.
Edhe para luftës në Ukrainë, presionet inflacioniste kishin filluar të rriteshin, ndërsa faktorët e kërkesës dhe ofertës kontribuonin në rritjen e çmimeve në ekonomitë e OECD-së. Disa nga këta faktorë janë zbehur ose janë zhdukur vitin e kaluar. Inflacioni i çmimeve të mallrave është zbutur, dhe kërkesa është zhvendosur nga shërbimet në mallra (veçanërisht mallrat e qëndrueshme).
Normalizimi i modeleve të kërkesës ka filluar të reflektohet në rritjen e normave të inflacionit për shërbimet në shumicën e vendeve dhe në disa, në uljen e normave të inflacionit për mallrat.
Tregjet e punës janë të shtrënguara
Një tjetër matje kryesore e inflacionit është ritmi i rritjes së kostos së punës për njësi. Rritja nga viti në vit e kostos së punës për njësi vlerësohet të ketë qenë rreth 4% në një ekonomi mesatare të përparuar në Eurozonë në tremujorin e tretë të vitit 2022, mbi 6% në Shtetet e Bashkuara dhe mbi 10% në disa vende të Europës Lindore.
Në të kundërt, rritja vjetore e kostos së punës për njësi mbeti nën 1% në Japoni, Spanjë dhe në disa ekonomi më të vogla europiane. Megjithatë, rritja e kostos së punës tani po vihet re në shumicën e ekonomive, duke reflektuar rritje më të forta të pagave nominale dhe rritje më të dobët të produktivitetit të punës, me firma që mbajnë punëtorët, ndërsa rritja e prodhimit po ngadalësohet.
Prodhimi për punonjës vlerësohet të ketë ngecur në ekonomitë e OECD-së gjatë vitit deri në tremujorin e tretë 2022 dhe ka rënë në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në ato vende, kostot e punës për njësi janë rritur më shpejt vitin e kaluar sesa pagat, duke ushtruar presion mbi çmimet dhe/ose duke ulur marzhet e fitimit të firmave.
Tregjet e punës në përgjithësi mbeten të shtrënguara. Në shumë ekonomi të OECD-së, normat e papunësisë janë në nivelet më të ulëta në dy dekadat e fundit dhe nivelet e vendeve të lira të punës janë jashtëzakonisht të larta.
Megjithatë, ritmi i rritjes së punësimit është ngadalësuar kohët e fundit në disa shtete dhe normat e vendeve të lira të punës kanë filluar të lehtësohen, ndërsa normat e papunësisë janë rritur. Rritja nominale e pagave (kompensimi për punonjës), është rritur në shumicën e ekonomive, por nuk e ka mbajtur ritmin e inflacionit, duke rezultuar në erozion të mprehtë të pagave në terma realë, në shumë ekonomi të OECD-së.
Teksa inflacioni pritet të mbetet shumë më lart se objektivi, të paktën vitin e ardhshëm, ka të ngjarë që shumë kërkesa për paga në vitet 2023-2024 të jenë dukshëm më të larta se sa ishte parashikuar më parë.
Ka disa dallime të rëndësishme në zhvillimet e fuqisë punëtore në vendet anëtare të OECD-së, që nga fillimi i pandemisë. Në shumicën e vendeve, normat e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore kanë vazhduar të rriten dhe normat e pasivitetit janë dukshëm nën nivelet para pandemisë.
Përjashtimet përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Kolumbinë, Kilin dhe Letoninë, vende ku pjesëmarrja e fuqisë punëtore është nën nivelin para pandemisë. Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar pse disa faktorë të ngushtësisë së tregut të punës, si vendet e lira të punës, janë më të theksuar në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, se sa në vendet ku pasiviteti ka rënë ndjeshëm në krahasim me periudhën para pandemisë, si p.sh., Greqia dhe Polonia.
Arsyet për ndryshime të tilla në evolucionin e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, janë mjaft komplekse, por përfshijnë ndikime të ndryshme të pandemisë në shëndetin e popullsisë në moshë pune. Vendet me shkallë të lartë të sëmundjes dhe vdekshmërisë nga COVID-19 në vitet 2020 dhe 2021, në përgjithësi kanë pasur më pak rritje, ose pak rënie, në normat e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, në krahasim me nivelin para pandemisë.
Përveç kësaj, rimëkëmbja e tregut të punës në disa ekonomi të tregjeve në zhvillim, është nxitur kryesisht nga një numër më i lartë i vendeve të punës informale, të cilat nuk pasqyrohen në statistikat e fuqisë punëtore.
Kushtet e tregut financiar janë shtrënguar ndjeshëm
Ritmi i përshpejtuar i shtrëngimit të politikës monetare në ekonomitë kryesore dhe ngurrimi për ndërmarrjen e rrezikut, kanë çuar në një shtrëngim të mëtejshëm të kushteve financiare globale. Paqëndrueshmëria është rritur, veçanërisht në tregjet e bonove qeveritare, duke tejkaluar kulmin e vërejtur gjatë pandemisë.
Rritjet më të mëdha të normave të interesit në Shtetet e Bashkuara në krahasim me shumë ekonomi të tjera, e kanë shtyrë Dollarin Amerikan në nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit, duke kontribuar në një paqëndrueshmëri më të madhe në tregjet e monedhës së ekonomive të përparuara dhe atyre të tregjeve në zhvillim.
Përkeqësimi i mprehtë i kushteve të likuiditetit në tregjet e bonove sovrane dhe të korporatave ka përkeqësuar ecurinë e çmimeve. Normat reale të interesit afatgjatë janë rritur në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Eurozonë, megjithëse ato mbeten më të ulëta se ç’ishte vërejtur përpara krizës financiare globale.
Kushtet e financimit kanë vazhduar të shtrëngohen për firmat dhe familjet. Në Eurozonë, normat e interesit për kreditë e reja për bizneset në shtator ishin 120 pikë bazë më të larta se niveli i ulët i vitit 2021 dhe yield-et e bonove të korporatave janë rritur gjithashtu.
Në Shtetet e Bashkuara dhe në Eurozonë, bonot me yield të lartë dhe huatë me levë financiare, kanë arritur nivele afër ose mbi ato të kulmit të pandemisë dhe emetimi i fundit i bonove me yield të lartë është ngadalësuar në nivelin më të ulët që nga koha e krizës financiare globale.
Diferencat e mospagimit të bonove të korporatave dhe kredive janë zgjeruar gjithashtu, veçanërisht në Europë, përballë shqetësimeve në rritje për mungesat e energjisë dhe qëndrueshmërinë e firmave.
Rritjet aktuale dhe të pritshme në normat e interesit janë përcjellë me shpejtësi në normat e reja të huadhënies hipotekore me normë fikse në shumë vende dhe po prekin edhe vendet me një pjesë relativisht të lartë të kredive hipotekore me normë të rregullueshme, duke shtuar dobësitë e mundshme./RevistaMonitor