Aksioni për katet pa leje dhe VKM-të e qeverisë Rama për t’ ua shitur këto kate të konfiskuara biznesmenëve “strategjik” nuk i ka shpëtuar ironisë “therëse” të analistit Lutfi Dervishi. Analisti shpjegon se si ky ligj nuk është i barabartë për të gjithë ashtu siç duhet të jetë çdo i tillë. Por në Shqipëri ka dhe ligj dhe Maliq, e ligji në dorën e këtij Maliqit tonë, duket se nuk është i drejtë. Dervishi për të bërë një krahasim midis një shtrese të varfër dhe “bosave” të ndërtimit ka bërë një paralelizëm mes tyre. Ai shpjegon se si “sillet” ligji me një njeri i thjeshtë para ligjit dhe si me “bosin” afër qeverisë kur ndërtohet pa leje. Për ta konkretizuar analisti ka marrë rastin e një të moshuare 82-vjeçare, që ka ndërtuar një “kotec” pa leje në Nartë të Vlorës. Kjo e moshuar do të përballet me gjithë forcën e ligjit sepse ka ndërtuar kotecin pa leje, që ndoshta do t’i konfiskohet.
Por Dervishi shtron si pyetjen e parë nëse ky rast do të gjykohet në Vlorë apo në Tiranë. Pyetja është e drejtë sepse me reformën e re gjyqsore nuk po dihet më ku duhet të drejtohesh, por duke qenë se është një rast prestigjoz mund të gjykohet edhe në Tiranë. Analisti e quan këtë operacion “askush mbi ligjin”, se i tillë është apo jo? Kapja e të moshuarës në flagrancë është një aksion i madh që tregon shumë mbi forcën e këtij shteti. Kjo është e vërteta në Shqipëri që persona që kanë punuar gjithë jetën për të ngritur themelet e një shtëpie, ndonëse pa leje, por shumca prej tyre kanë qenë në proces legalizimi, pasi janë ndërtuar shumë herët.
Qeveria nuk pati amnisti për 5 Majin apo për Astirin thjesht ju çoi fadromat dhe ua mori para syve atë për të cilën kanë punuar gjithë jetën ato familje. Për njerëzit e thjeshtë nuk ka amnisti vetëm prishje, nuk ka kompensim, por ka burg. Faji iu ngelet gjithmonë më të dobtëve. Një i varfër para gjykatës dridhet kurse “bosi” që nuk dihet sa kate pa leje ka ngritur në mes të Tiranës nuk merret fare si i pandehur, por bredh i lirë dhe vazhdon ndërtimet.
Nga Lutfi Dervishi
Plaka 82-vjeçare, që ka ndërtuar një kotec pa leje në Nartë të Vlorës, do të përballet me të gjithë forcën e ligjit, por debati është nëse duhet gjykuar në Vlorë apo në Tiranë? Po ashtu ende nuk është qartësuar nëse hetimet duhet t’i vijojë prokuroria e zakonshme apo Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit?
Avokati i 82-vjeçares thotë se e moshuara është marrë në ndjekje penale dhe jep detaje nga operacioni policor: “Askush mbi ligjin”.
“Aty ka zbarkuar gjithë shteti, kryetari i bashkisë dhe policia dhe ka shoqëruar në mënyrë të dhunshme plakën duke i thënë se po bën ndërtim pa leje. Plaka u nxor zvarrë me furgon policie. Plaka jeton e vetme. Pastaj e kërkuan në prokurori. Kur e çova në prokurori, plaka dridhej e tëra dhe mendova se kjo çështje do mbyllej, por organi i akuzës e çoi ndërtim pa leje të një magazine pa leje në fshatin Nartë”, raporton Euronews.
Për t’i bërë jehonë operacionit: “Askush mbi ligjin”, zyrtarët propozojnë që gjyqi i 82-vjeçares të bëhet në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë. E akuzuara duhet të vendoset në një pozicion të tillë që prapa saj të duket kulla e madhe në shesh që ka ndërtuar (deri më tani) vetëm 6 kate pa leje.
E moshuara duhet bërë shembull që të mos guxojë më njeri në Shqipëri të ndërtojë kotec, të hapë dritare, të rregullojë çatinë apo të vendosë një tullë pa leje. Hetimet duhen thelluar për të kuptuar se çfarë fshihet pas pretendimit se pulat kishin nevojë për një kotec më të madh. Hetimi duhet të sqarojë se pse e moshuara nuk ka aplikuar te E-albania për leje provizore?! Si është e mundur që 82-vjeçarja ka guxuar të sfidojë ligjin, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë udhëzime të qarta për ligjin e ri të ndërtimeve pa leje që në janar të 2020. Prokurorët duhet të sqarojnë nëse e moshuara ka lidhje me sulmet e fundit kibernetike ndaj Shqipërisë, që synojnë të krijojnë idenë se në këtë vend funksionon “ligji i xhunglës”.
“Për ne mbetet një mister se si është ndërtuar koteci, dhe pa dyshim do të analizojmë të gjitha përgjegjësitë individuale dhe institucionale”, tha një zyrtar i lartë i qeverisë për agjencinë Reuters. Ai shtoi se të moshuarës 82-vjeçare do t’i ofrohen tre opsione: e para, të falë kotecin. E dyta, të paguajë kotecin me çmimin e tregut. E treta: konfiskimi i kotecit.
Policia nga ana e saj do të nisë një hetim të brendshëm për të hedhur dritë më shumë mbi faktin që tashmë është publik. “Me kthimin e z. Veliu si drejtues i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, një zyrtar që njihet për integritet dhe që nuk toleron gënjeshtrën më të vogël, pritet që hetimi të shpejtë, objekti dhe pa dyshim i drejtë”, tha një gazetar investigativ familjar me çështjen.
Shoqata e Ndërtuesve nga ana e saj doli me një deklaratë të fortë ku i bën thirrje autoriteteve të mos tolerojnë asnjë paligjshmëri, sidomos në fushën e ndërtimit. “Në kushtet kur ne si shoqatë po mendojmë të heqim “pagesën e sipërfaqeve të përbashkëta” sepse kemi konstatuar se blerësit i paguajnë, por nuk e marrin në hipotekë këtë pronë, dhe për më tepër shteti nuk merr asnjë lek taksë nga “sipërfaqet e përbashkëta”, jemi tronditur kur mësuam përmes medias se një 82-vjeçare ka ndërtuar pa asnjë letër, një kotec për pula. Ne vlerësojmë se kjo është një fyerje që i bëhet punës, djersës dhe sakrificës së ndërtuesve në Shqipëri”, përfundon komunikata.
Kodi Penal në Shqipëri është mjaft i rreptë për rastet e ndërtimeve pa leje dhe parashikon dënim me burg nga 1 deri në 5 vjet. E gjithë shpresa tani është te VKM e qeverisë, e cila do t’i ofrojë zonjës 82-vjeçare tre opsione për ndërtimin pa leje që ka bërë.