Çështja e inceneratorëve është ndër aferat më të mëdha që është bërë nga zyrtarët e lartë, një pjesë e të cilëve ndodhen pas hekurave. Ndërkohë që gazetari Klodian Tomorri ka analizuar procesin nga fillimi duke evidentuar abuzimet e bëra nga qeveria, ndaj të cilës nuk është kurser me ironi.
Analiza e plotë e Klodian Tomorrit:
Në fillim të nëntorit 2016, në qeveri mbërriti një projektvendim për t’i dhënë bonus 8 për qind të pikëve një kompanie të quajtur Integrated Energy BV shpk për ndërtimin e një inceneratori në Tiranë. Në planin e biznesit thuhej se kompania do të financonte plotësisht nga kapitali i saj ndërtimin e inceneratorit duke i dhënë fund problemit të pastrimit të Tiranës. Kryeministria e merr projektvendimin dhe e përcjell për mendim në disa ministri linje.
Një nga shkresat i mbërrin dhe Ermonela Felajt, në atë kohë ministre e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin. Zonja Felaj bëhet kurioze dhe fillon të kërkojë kush ishte kompania. Fut emrin Integrated Energy në regjistrin e QKB-së, nuk i dilte asgjë. Provon të kërkojë me emrat e aksionerëve, prapë nuk i dilte asgjë. Pas kërkimeve, ministrja e Shtetit kthen përgjigje me shkresë ku thotë: “Pas shumë përpjekjeve, ne nuk arritëm të gjejmë kompaninë në QKB, aq më pak të merrnim informacion për historikun apo kapacitetet e saj financiare.”
Teksa Ermonela kërkonte dëshpërimisht të gjente kompaninë, në 7 dhjetor po të vitit 2016, Këshilli i Ministrave e miraton projektvendimin. Pra qeveria miraton një vendim ku shpërblen me bonus 8 për qind të pikëve kompaninë Integrated Energy BV shpk në procedurën për koncesionin e inceneratorit. Tani pse nuk e gjente dot ministrja e Shtetit, kompaninë?
Sepse kompania nuk ekzistonte. Integrated Energy BV shpk u themelua në 30 gusht të vitit 2017. Plot 9 muaj pas vendimit të qeverisë që i jepte asaj bonusin e pikëve. Me pak fjalë, Këshilli i Ministrave, 16 burra dhe gra anëtare të qeverisë, kishin marrë vendim dhe i kishin dhënë bonus një kompanie që nuk ekzistonte.
Një kompani që nuk ekzistonte fare do të investonte 130 milionë euro për të ndërtuar inceneratorin. Dhe firmat kaluan të gjitha “fap e fap e fap” siç e shpjegoi kryeministri më vonë. Ajo e DH Albanias ishte shumë më e paktë se kaq. Të paktën DH Albania ekzistonte në QKB, pavarësisht se kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit në Delauer. Kjo Integrated nuk ekzistonte hiç. Nejse, në 31 gusht qeveria miraton koncesionin. Në të njejtën ditë Klodian Zoto themelon kompaninë Integrated Energy BV SPV shpk.
Rrugës dilnin probleme. Për shembull kush do të merrte përsipër financimin e tarifës 29 euro për ton. Sa herë dilnin nga këto gjëra, zgjidhja ishte Bashkia e Tiranës. Madje, në një pike Bashkia e Tiranes arrin deri aty sa merr përsipër edhe garancinë e kërkesës. Pra, nëse në Sharre nuk depozitoheshin 700 tonë mbetje në ditë, por depozitoheshin 350, Bashkia thotë që 350 tonët e tjera i paguaj unë. Pra Bashkia mori përsipër që në çfarëdo skenari, si me mbetje si pa mbetje, t’i paguante kompanisë private minimalisht 20 mijë e 300 euro në ditë të garantuara.
Firmat rridhnin “fap e fap e fap”. Pas pak kohësh filloi të rridhte dhe leku “fap e fap e fap”. Në vitet 2015-2016 dhe 2017, Bashkia e Tiranës shpenzonte 1.1 miliardë leke ose 9 milionë e 400 mijë euro në vit për pastrimin e Tiranës, duke përfshirë grumbullimin e mbeturinave dhe depozitimin e tyre në landfill. Në vitin 2018, shifra kërceu në 19 milionë e 600 mijë euro, ndërsa në 2020-ën arriti në 20 milionë euro.
Për të përballuar gropën e madhe që kishte krijuar koncesioni, në vitin 2020 Bashkia e Tiranës u vë litarin në fyt qytetarëve. Përmes një vendimi okult, Këshilli Bashkiak i Tiranës rrit me 15 për qind tarifën e pastrimit për familjet dhe biznesin e madh, ndërsa për biznesin e vogël tarifa u rrit me 60 për qind. Në relacion, Bashkia e pranonte se janë rritur kostot për shkak të koncesionit, ndaj duheshin rritur tarifat për popullin. Por as kjo nuk mjaftonte. Duhej gjetur dhe një burim tjetër që të pomponte miliona drejt Sharrës.
Zgjidhja ishte detyrimi i bizneseve të ndërtimit për të depozituar dherat dhe inertet kundrejt pagesës në Sharrë. U krijua një situate komike, ku një biznes ndërtimi paguan 100 mijë euro për të hapur një gropë për ndërtim pallati dhe 200 mijë euro për të depozituar dheun e gropës në Sharrë.
Vendimi i Bashkisë që detyron biznesin të depozitojë dherat në Sharrë kundrejt tarifës nuk gjendet askund. Por ndërtuesit kërcënohen me leje ndërtimi dhe polici bashkiake. Sot ambienti më i sigurtë në Shqipëri është pas një kamioni dherash në Tiranë. Aty ka minimalisht 2 makina të policisë bashkiake, që kanë vetëm një detyre. Të sigurohen që kamioni me dhe do të shkojë në Sharrë dhe ndërtuesi do të paguajë tarifën 450 lekë për ton te koncesionari. Sapo paguhet tarifa, puna e policëve mbaron.
Kur sqolla u mbush plot dhe filloi t’i dilte era, në Bashkinë e Tiranës mbërrin KLSH-ja. Pas auditimit, KLSH i thotë Erion Veliajt që ti po paguan para për shërbim të pakryer. Tarifa prej 29 euro për ton mbetje parashikon depozitim plus incenerim. Por incenerimi nuk behet sepse nuk ka incenerator. Në këto kushte, i thotë KLSH, kryetarit të Bashkise, ti duhet të negociosh tarifën.
Zoti Veliaj i kthen përgjigje KLSH-së: “Tarifen 29 euro për ton unë e paguaj për depozitim- thotë- ndaj nuk rëndësi nëse mbetjet incenerohen apo jo”. Pas disa shkresash dhe kundër-shkresash mes KLSH dhe Bashkisë, në fund Erion Veliaj e mbyll argumentin duke e pasuar topin. “Nuk jam unë autoriteti kontraktor- i thotë KLSH-së-, ndaj mos ma kërkoni mua negocimin e tarifës. Dhe këtu puna mbyllet.
Leku vazhdon “fap e fap e fap”. Familjet dhe biznesi paguajnë më shumë për pastrimin. Ndërsa kryeministrin dhe gjithë qeverinë i mashtruan. Dikush i bëri të miratojnë një vendim për një kompani që nuk ekzistonte. Drama e të pabesëve. Por siç e kemi thënë, përgjegjësia është individuale. Gjithmonë.