Një vatër infeksioni ka shpërthyer në një fermë në fshatin Domen të Postribës, Shkodër, ku disa krerë dhi janë prekur nga një sëmundje ende e paidentifikuar. Si pasojë, autoritetet veterinare kanë vendosur karantinimin e fermës, ndërsa po merren mostrat për analiza në Institutin e Referencës Veterinare në Tiranë.
Fermeri Zamir Milani, pronar i fermës së prekur, deklaron se i janë ngordhur tre krerë dhi, ndërsa një fermer tjetër në zonë ka humbur gjashtë të tjera. Sipas Milanit, ekziston dyshimi se sëmundja mund të jetë përhapur edhe tek delet në zonë, por shumë fermerë hezitojnë të flasin për situatën për shkak të afërsisë me festën e Kurban Bajramit, që lidhet me therjen e bagëtive për kurban.
“Kjo situatë ka prej dy javësh që unë e kam shqetësim. Deri tani kanë ngordhur 2 prej tyre dhe një tjetër ka mbetur në mal dhe besoj edhe ajo ka ngordhur. Unë kërkoj të zbulohet sëmundja sepse kam 6 milionë lekë të vjetër investim në këtë fermë. Nëse shkojmë në pazar, nuk ka asnjë bagëti të matrikulluar. Para 3 muajsh kam bërë blerjet. Nga një bisedë me një fermer në Berat, që e njoh, më tha se dhitë vijnë nga Greqia. Greqia pastron fermat e veta dhe na i sjell ne të infektuara. Ka edhe ferma të tjera në zonë që mund ta kenë këtë problem dhe besoj është përhapur edhe te delet, por kanë frikë të flasin sepse jemi para Kurban Bajramit. Unë i kam blerë për qumësht dhitë dhe më përpara bënin 45 litër qumësht, tani vetëm 10 litër. Unë mendoj se 60% është e përhapur në zonën tonë”,-tregon pronari i fermës, Milani.
Milani thotë se ka investuar 600 mijë lekë për ngritjen e fermës dhe ka shpenzuar mbi 40 mijë lekë për ilaçe, pa pasur ende rezultat. Ndërkohë, inspektorët e drejtorisë rajonale të veterinarisë kanë ndërhyrë duke izoluar fermën dhe duke nisur hetimet për përcaktimin e sëmundjes që po prek kafshët e imëta.
“Përveçse 6 milionë lekë të vjetër investim, kam shpenzuar edhe mbi 400 mijë lekë të vjetër ilaçe. Jam munduar që t’i shërbej, por nuk po arrij. Unë dua që të shpëtojmë të tjerat. Patjetër që më dëmton ekonomikisht. Unë këtu në zonën tonë shoh edhe një paaftësi të veterinerëve lidhur me këtë çështje”,-tha Milani.
Një problem i vazhdueshëm në zonë mbetet tregtimi dhe lëvizja e pakontrolluar e bagëtive, të cilat shpesh nuk janë të matrikulluara. Fermerët e shohin këtë si të vetmen mundësi për të vazhduar aktivitetin, duke rritur rrezikun për përhapjen e sëmundjeve në fermat e qarkut.