Familja e shtetasit Pëllumb Muharremit, i cili njihet ndryshe edhe me nofkën “Rrumi i Shijakut” ka reaguar publikisht duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ngritura se tre të arrestuarit: Aldi Mustafa, Uran Zyka dhe Tahir Gjinika janë porositur nga djali i tyre për të kryer vrasje.
Kujtojmë se autoritetet e Policisë së Durrësit kanë parandaluar disa ditë më parë një ngjarje të rëndë duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të tre shtetasve me precedentë të theksuar kriminale. Gjatë aksionit për arrestimin u sekuestrua në automjetin BMW me të cilin ata po lëviznin, 3 pistoleta me fishekë në fole dhe 1 mitraloz me fishekë në fole, gati për qitje, municion luftarak, vlera monetare dhe sende të tjera.
Menjëherë pas arrestimit të 3 personave në Durrës të cilët janë të dyshuar për përgatitjen e një vrasje me pagesë, në hetime rezultoi se njëri prej tyre konkretisht shtetasi Aldi Mustafa është mik i vjetër me Pëllumb Muharremin.
Pëllumb Muharremi i njohur ndryshe si “Rrumi” ka qenë i përfshirë në atentatin e bërë ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Lidhur me këtë fakt, ka ardhur edhe reagimi nga familja e “Rrumit” të cilët thonë se ne nuk kanë njohje me persona të tillë. Ata janë shprehur se të tjerët mund të kenë dëgjuar për familjen e tyre por kjo nuk do të thotë se kjo gjë e bënte “Rrumin” të përfshirë në këtë atentat.
“Kemi dëgjuar nëpër media se të arrestuarit ishin paguar për të kryerë një vrasje. Gjithashtu të arrestuarit i kanë lidhur me “Rrumin” si miq të tijtë, por edhe në disa media që kanë shkuar edhe më tej duke aluduar se i ka porositur “Rrumi” për të kryerë krim. Kjo histori është një trillim i pastër.
Nuk është aspak e vërtetë. Nuk kemi lidhje fare me këtë histori. Distancohemi nga këto trillime dhe kërkojmë që të hetohet për tu zbardhur e vërteta. Nuk duam që të përmëndemi apo lakohemi kur nuk kemi lidhje dhe kur gjërat nuk na përkasin. Kjo u duk qartë kur prokuroria ngriti akuzën “armëmbajtje pa leje në bashkëpunim”. Ku ështe porosia këtu?!.
Absolutisht nuk kemi asnjë lidhje më këtë histori. Gjithmonë përmëndemi kur ka ngjarje. Bëhemi objekt edhe kur nuk kemi asnjë lidhje, si në rastin konkret”,– deklaron familja Muharremi.