Një incident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin turistik të Thethit, ku prej pesë ditësh po zhvillohet një aksion për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Banorë të zonës janë përplasur me punonjësit e IKMT-së dhe forcat e rendit, duke hedhur molotov dhe gurë në drejtim të mjeteve fadromë.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se një prej molotovëve është hedhur edhe pranë urës së Gjelajve, me synim bllokimin e kalimit të mjeteve që po përdoren për shembje.
Ndërhyrja e Policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka qenë e menjëhershme, ndërsa deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Pamjet nga zona tregojnë momente tensioni, ku drejtuesi i IKMT-së shihet mbi një prej fadromave, i mbrojtur nga efektivë të armatosur me jelekë antiplumb dhe armë automatike.
Në një prej sekuencave, një efektiv i policisë shihet teksa shënjestron me armë një person të dyshuar për hedhjen e lëndës djegëse, i cili ishte fshehur në zonën pyjore pranë rrugës.
Ndërhyrja e banorëve duket të ketë qenë e koordinuar, pasi një pjesë e urës është dëmtuar nga flakët, për të penguar përparimin e mjeteve të IKMT-së.
Sipas Policisë, nga incidenti nuk është dëmtuar asnjë prej mjeteve, ndërsa vetëm një pjesë e urës ka marrë flakë dhe është djegur pjesërisht.
Në reagimin zyrtar të Policisë thuhet se grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve që hodhën molotov dhe shishe me benzinë ndaj mjeteve të shtetit.
Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, në Theth kanë mbërritur përforcime të FNSH-së nga Shkodra.
Tensionet në zonë vijnë pas protestave të një dite më parë, ku qindra banorë kërkuan pezullimin e shembjeve për shkak të sezonit turistik.
Policia ndërhyri për të liruar urën që ishte bllokuar nga banorët, duke çuar në përplasje fizike mes palëve.
Pavarësisht rezistencës, IKMT ka deklaruar se aksioni do të vijojë pa asnjë tolerim. Vetëm dje, në këtë zonë të mbrojtur u shemb një godinë trekatëshe me konstruksion betoni, ndërsa edhe gjashtë objekte të tjera janë në listë për prishje.