Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qafën e Muzinës, ku kanë humbur jetën 5 persona. Një furgon ra në greminë, duke iu marrë jetën 5 personave ndërsa është nxjerrë e gjallë nga makina një vajzë.
Mësohet se shkak i aksidentit të rëndë ka qenë parakalimi i gabuar i mjetit “Land Rover”, i cili është futur me shpejtësi në kthesë.
Bëhet me dije se vajza që ka arritur ti mbijetoj aksidentit tragjik është Greta Kaberdini, 25 vjeçe, dhe ndodhet në Spitalin e Gjirokastrës, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, nga mjeti “Land Rover” janë lënduar lehtë drejtuesja e mjetit, 22-vjeçarja Rexhina Çelhaka, banuese në Tiranë, si dhe dy shtetase italiane, ndërsa mësohet se 22-vjeçarja e kishte marrë mjetin me qira. Viktima të aksidentit janë dy gra dhe tre burra, ku janë identifikuar shoferi i mjetit, Bardhi Proda, dhe çifti i bashkëshortëve, Fiqiri e Dritë Korçari.
Njoftimi i policisë:
Gjirokastër/Informacion paraprak.
Njoftohemi se rreth orës 15:30, në rugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç. është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P.
Si pasojë e përplasjes mjeti tip furgon ka dal nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë rrugës.
Për pasojë kanë humbur jetën 4 shtetas, të cilët ndodheshin në mjetin tip furgon.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Informacion shtesë:
Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin ku u përplasën mjetet tip “Land Rover” me mjetin tip furgon dhe si pasojë humbën jetën 4 shtetas, ju informojmë se ka ndërruar jet dhe një shtetas tjetër i cili ishte pasagjer i mjetit tip furgon.