Një aksident i rëndë ndodhi në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Kripa”, ku humbën jetën në mënyrë tragjike familja Gushi, e cila sapo ishte kthyer nga Greqia dhe po shkonte për pushime në qytetin e Vlorës. Ditën e sotme Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për 22-vjeçarin, Igli Madani, i cili po drejtonte automjetin tip “Audi”, me një shpejtësi jashtë normave të lejuara dhe për pasoj shkaktoi aksidentin e rëndë.
Nga ky aksident tragjik që ndodhi mëngjesin e së premtes, fatkeqësisht humbën jetën katër anëtarët e një familje. Viktimat janë Eduart Gushi 44 vjeç, Silvana Gushi 33 vjeç, Anastasia Gushi 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe.
Ndërkohë bëhet e ditur se Igli Madani nuk ishte i pranishëm në seanca, por është paraqitur avokati i tij Remzi Mehmetaj me prokurë. Gjithashu mësohet se Madani ndodhet në Spitalin e Traumës për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Si ndodhi aksidenti?
Familja ishte duke udhëtuar në autostradën Fier-Vlorë në drejtim të Vlorës, në momentin kur janë goditur nga makina “Audi”, nga mbrapa. Pasi ka goditur me fuqi “Toyota-n”, makina është përplasur me shtyllën e energjisë elektrike dhe më pas ka dalë nga rruga. Forca goditëse e Audi-t ka qenë e madhe, duke shkaktuar daljen e menjëhershme nga rruga të makinës “Toyota” e cila u copëtua nga goditjet.
Dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e lartë e automjetit tip “Audi”, që ka shkaktuar aksidentin. Drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri i makinës ndodhen në spital ku po marrin ndihmën e parë mjekësore, ndërsa pritet të zbardhen identitetet e viktimave dhe të personave të përfshirë në aksident.