Pasditen e sotme ka ndodhur një aksident në rrugën Volorekë-Pogradec. Policia bën me dije se një automjet tip tip “Mercedes Benz” që drejtohej nga B. M. ka përplasur një këmbësor 54-vjeçar me iniciale A.D.
Ai është dërguar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve në gjendje të rëndë, ndërkohë që drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme. Tashmë grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
“Më datë 04.11.2021, rreth orës 17:15, në rrugën e fshatit Volorekë, Pogradec, shtetasi B. M., duke drejtuar mjetin tip “Mercedes Benz”, ka përplasur shtetasin A. D., rreth 54 vjeç, banues në Pogradec, këmbësor në rrugë, i cili ndodhet në Spitalin e Pogradecit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Drejtuesi i mjetit, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë. m.v
Kujtojmë se nga të dhënat zyrtare të INSTAT-it, rezulton se para një dekade u regjistruan 322 vdekje në vit nga aksidentet rrugore. Ndërsa vjet u regjistruan vetëm 181 vdekje – një ulje prej 44%. Por kur llogaritet vdekshmëria si raport i vdekjeve me numrin e automjetevet në qarkullim, ulja është dramatike – plot 68% .
Ndër faktorët që mund të kenë ndikuar në këtë ulje dramatike të vdekshmërisë për një dekadë, mund të jenë rritja e gjobave për rripin e sigurisë dhe alkolin në timon (si dhe zbatimi i tyre me më rigorozitet nga policia rrugore), përmirësimi i rrugëve dhe sinjalistikës rrugore, si dhe kufizimi i aksesit të kalimtarëve dhe çiklistëve në rrugët kombëtare.