Një aksident me pasojë vdekjen u regjistrua këtë të martë në Tiranë, në zonën e ish-Ekspozitës, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Një autobot me ujë i Ujësjellës Kanalizime Tiranë përplasi një grua, e cila fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Sipas të dhënave paraprake, viktima ishte duke lëvizur me biçikletë elektrike në momentin e përplasjes. Trupi i saj ndodhej ende në vendngjarje, ndërsa policia ishte e pranishme për kryerjen e veprimeve hetimore.
Shoferi i autobotit është shoqëruar nga policia. Atij i është bërë testi i alkoolit dhe ka rezultuar se nuk ka qenë nën efektin e alkoolit. Mësohet gjithashtu se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimit, ndërsa për të verifikuar shpejtësinë e lëvizjes po këqyren kamerat e sigurisë.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe bashkëshorti i viktimës, i cili është parë në gjendje të rënduar psikologjike. Deri tani nuk ka informacione për identitetin e gruas që humbi jetën.
Policia ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht shkaqet e aksidentit.








