Këtë të hënë ka nisur seanca e parë në themel për çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe 28 biznesmenëve dhe kompanive të përfshira në të njëjtën dosje.
Në sallën e gjyqit nuk ishte i pranishëm as Erion Veliaj dhe as Ajola Xoxa. Bashkëshortja e kryebashkiakut është përfaqësuar nga avokati i saj, Maks Haxhia.
Gjatë seancës, avokati Haxhia deklaroi se Ajola Xoxa nuk mund të paraqitet në gjykatë për arsye shëndetësore, pasi është shtatzënë dhe mjeku i ka ndaluar pjesëmarrjen në proces.
“Klientja është në pamundësi shëndetësore, është shtatzënë, ia ka ndaluar mjeku që të vijë, i kam kërkuar të sjellë aktin e mjekut.”, u shpreh avokati në sallën e gjyqit.
Seanca e parë në themel për këtë dosje shënon nisjen e procesit gjyqësor ndaj Veliajt, Xoxës dhe dhjetëra biznesmenëve e kompanive të përfshira në çështje.








