Altinit i duhet që çdo ditë të kthejë përgjigje negative për dhjetëra email-e të cilët kërkojnë akomodim pranë “Mrizit të Zanave” një sipërmarrje agroturistike pioniere në vend. Rezervimet e bëra 5-6 muaj më parë nga turistët e huaj e kanë lënë atë pa mundësi për të pasur dhoma të lira, të paktën deri në fund të shtatorit.
Ky moment, sipas tij, është i rrallë për Shqipërinë. Njëlloj si ai, janë pafund agroturizmet që po shohin rritje të shpejtë të numrit të turistëve, qoftë të konsoliduar apo të rinj.
Ajo që i bashkon të gjitha këto sipërmarrje është emëruesi i “identitetit”. Asnjë prej tyre nuk ofron menu të sofistikuara italiane apo franceze.
Kuzhina flet shqip dhe në shumicën e rasteve, edhe në “dialektin” përkatës. Suksesi qëndron tek ofrimi i një eksperience unike shqiptare, gjë që nxit edhe turistët të shpenzojnë për ta përjetuar atë të plotë.
“Duhet të kuptojmë që të japësh ushqim pa identitet të bën jo konkurrues dhe për rrjedhojë, turistët nuk do të kenë tendencën të shpenzojnë tek ti.
Personalisht kur shkoj në zonat detare zgjedh që përpara verës industriale, të ha një gjellë shqiptare, për shembull një pjatë fasule Kosove në Shëngjin.
Nuk mund të pretendojmë që turisti të vijë të shpenzojë për mediokritet. Tendenca e tyre është të jetojnë përvojën qoftë me gjëra të thjeshta, por me identitet.
Të gjithë ato sipërmarrje që ofrojnë eksperiencë territori me identitet, janë të gjitha plot dhe me trend në rritje. Fakti që ka kërkesë për këtë lloj turizmi dhe të gjithë kanë frekuentim të lartë, tregon se çfarë realisht pëlqejnë turistët”, pohon z. Prenga.
Në fakt shumica e të huajve duket se kanë kuriozitet për kuzhinën shqiptare dhe kjo ka sjellë që agroturizmet t’i përqendrojnë forcat tek kjo pikë e tyre.
Mastershef Fundim Gjepali nga “Agroturizëm Gjepali”, pohon se sipërmarrjet e kësaj natyre po shkëlqejnë falë disa avantazheve që kanë përballë sipërmarrjeve të tjera të turizmit në vend.
“Mendoj se faktorët për këtë ecuri pozitive janë disa dhe, së pari, cilësia e ushqimit.
Së dyti mendoj se janë kostot, që krahasuar me zonat urbane, janë më të ulëta.
Së treti, eksperienca në një agroturizëm është më e veçantë se sa të shkosh në një restorant. Ka shumë interes për kuzhinën popullore, atë tradicionale, madje ka fituar terren mbi kulturat e huaja.
Dikur nëse në kuzhinën që ofroje nuk kishte diçka italiane apo franceze nuk kishte shumë kuriozitet, tashmë kuzhina tradicionale është kthyer në modë”, – pohon ai.
“Gjithë bota” drejt Shqipërisë rurale
Turistë nga e gjithë bota i janë drejtuar gjithmonë e më shumë Shqipërisë rurale, në kërkim të përvojave të veçanta.
Rezervimet në platformat online janë nga vendet më të largëta deri tek ato fare pranë nesh, duke ngarkuar mbi shpatullat e këtyre sipërmarrjeve, peshën e përfaqësimit të Shqipërisë autentike.
“Ne si agroturizëm kemi frekuentim gjatë 12 muajve të vitit nga të huajt, por edhe nga shqiptarët e rajonit, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe sigurisht Kosova.
Këtë vit është vënë re tendenca e vizitorëve nga disa vende që nuk na kanë pasur në radar, në mënyrë kaq të zgjeruar si Brazili, Portugalia. Ndërkohë nga shifrat që nxjerrim ne nga platforma Booking, janë gjermanët ata që kryesojnë. Tek ne janë të dytët pas shqiptarëve të Kosovës”, – pohon z. Prenga.
E njëjta tendencë shfaqet thuajse tek të gjithë ato agroturizme të konsoliduar. Rol të rëndësishëm në këtë terren të ri që ka fituar ky segment kanë luajtur shkrimet promovuese për vendin tonë.
Pavarësisht turistit të huaj, agroturizmet kanë atë që njihet si klienti besnik, i cili rikthehet vazhdimisht, duke ofruar qëndrueshmëri dhe ky është turisti vendas.
“Po të hysh në internet të shohësh ‘përshtypjet’ që janë lënë në faqe e sheh qartë që shtetësitë janë të ndryshme. Ka nga Australia, Amerika, Europa që po eksplorojnë Shqipërinë rurale. Një rol domethënës ka pasur sidomos promovimi që vijon t’i bëhet vendit nga mediat ndërkombëtare, të cilat kanë zgjuar kureshtje në gjithë anët.
Pavarësisht fluksit të të huajve, jam i mendimit që mbreti ynë është turisti vendas, sepse ai është i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit”, – nënvizon z. Gjepali.
Fokusi te prodhimi, kushtet klimatike ndikime negative
Sipërmarrjet agroturistike duhet të plotësojnë një sërë kushtesh për të qenë të certifikuara si të tilla, ku përveç akomodimit bëjnë pjesë edhe prodhimi dhe toka në përdorim.
Në fakt, shumë prej tyre kanë zgjeruar prodhimin përtej kufizimeve ligjore, pasi kanë kuptuar se suksesi i këtij segmenti lidhet ngushtë me produktin. Por ky vit nuk ka qenë i favorshëm në lidhje me kushtet klimatike, duke shkaktuar
dëme të mëdha.
“Në fakt, ky vit ka qenë me shumë të papritura sa i takon motit dhe pasojat negative na kanë prekur. Për shembull, dëmi më i madh që ne pësuam ishte në të mbjellat e lulediellit, që i shkatërroi plotësisht. Dëme ka pasur në fasule dhe sidomos te rrushi që është gjithashtu shumë keq.
Ne e kuptojmë se bujqësia është një sektor me rrezik dhe normalisht operojmë edhe me pak rezerva. Por mendoj se pavarësisht dëmeve që ka pasur, do ta përballojmë edhe këtë sezon shumë mirë. Mundësia jonë më e mirë është që të përshtasim gjithçka sipas prodhimit stinor”, thekson z. Gjepali.
Përtej dëmeve që kanë ardhur nga kushtet klimatike, një nga ngërçet në sektorin që qëndron mes turizmit dhe bujqësisë është vullneti ende i zbehtë për t’u angazhuar dhe largimi i krahut të punës.
Z. Prenga gjykon se pavarësisht kostove, ky moment duhet parë në dy aspekte: e para ata që prodhojnë po nxjerrin një fitim të mirë dhe e dyta, mund të shërbejë si reflektim për të shkuar drejt prodhimit.
“Çmimet mbeten të shtrenjta.
Ka ndikuar sidomos krahu i punës i larguar dhe është kërkesa e Europës për energji të reja që ndikon drejtpërdrejt. Gjithsesi, mendoj se ky është një moment i mirë për ata që prodhojnë dhe jam shumë i lumtur për këtë.
Ne si vend e meritojmë që çmimet të jenë të shtrenjta, madje edhe më shumë se kaq, pasi i kemi të gjitha kushtet, tokë, ujë, klimë dhe nuk i shfrytëzojmë siç duhet.
Është për të ardhur keq, pasi jemi në një moment shumë të mirë, kur të huajt kanë kthyer gjithë vëmendjen tek ne dhe duan të hanë shqip. Kjo gjë po vë në piedestal ata që prodhojnë. Uroj që të ketë reflektim dhe të shkohet drejt prodhimit”, – thekson ai.
Kampingjet, interesi në rritje për pushimet me rulotë, a ka nevojë për rregulla
Numri i të huajve që zgjedhin të vizitojë Shqipërinë me kampera është në rritje.
Në prill të këtij viti, sipas shifrave të Institutit të Statistikave, vizitorët për kampingje, për parqe, çadra ose rulota argëtimi nga jorezidentët ishin 354, një rritje me të paktën 6 herë në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Net-qëndrimet e jorezidentëve u rritën me më shumë se 4 herë. Në aplikacionin AgrotimeAl dedikuar agroturizmit me ndihmën e GIZ, bie në sy edhe një rritje e dukshme e subjekteve që janë të regjistruar si kampingje, të cilët presin të huajt që vizitojnë vendin tonë me rulotë apo kampera.
Të huajt që zgjedhin këtë lloj turizmi mund t’i gjesh nga Jugu në Veri, por jo gjithmonë zgjedhin të qëndrojnë në këto kampingje, edhe pse kostot janë modeste.
Për ta bërë më të qëndrueshëm këtë segment turizmi, operatorë të tregut pohojnë se ka ende nevojë për vendosjen e rregullave.
Alma Spathara, eksperte turizmi nga “Albania Rafting Group”, pohoi për “Monitor” se ky moment shumë i mirë duhet të shfrytëzohet për të vendosur disa rregulla.
“Turisti i huaj nuk mund të vijë dhe të parkojë ku të dojë kamperin e tij dhe të bëjë si ta mendojë. Në vende të tjera, si në Zvicër dhe Austri, s’mund të parkosh ku të duash, por ka zona specifike për këtë pjesë.
Turisti ynë i aventurës vjen me kamperin e tij, me ushqime me vete, me kayakun e tij dhe nuk shpenzon thuajse asgjë këtu, por shfrytëzon vetëm natyrën, duke lënë shumë pak të ardhura tek ekonomitë lokale.
Ne hasim shpesh banorë të zonave, ku janë kanionet në vend, që kanë investuar në bujtina, kantina, vendparkime kamperash dhe çmimet janë modeste.
Për shembull, një vendparkim kamperi për një natë kushton 200 lekë, por të huajt nuk e shohin si alternativë, duke pasur mundësinë të qëndrojnë lirisht kudo.
Mendoj se duhet të gjejmë një strategji që të rrisim të ardhurat nga turizmi i aventurës, por edhe të ruajmë natyrën që kemi”, – pohon ajo.
Krenar Hoxha, i cili ka investuar prej të paktën gjashtë vitesh në një kamping në Pogradec, shprehet se ky është viti më i mirë për këtë lloj turizmi. Në kampingun e tij janë të paktën 16 vende në dispozicion, ku ofrohen mjedise të përbashkëta për shërbime të ndryshme.
“Është më mirë se çdo vit. Kam të paktën 5-6 vite që menaxhoj kampingun. Fillimisht ishte vështirësia e viteve të para, pastaj pandemia që u desh dy vite të kalonte që të ktheheshim në normalitet.
Tani po ecën shumë mirë. Duke qenë se shihja që kishte interes dhe kisha këtë tokë timen këtu në plazh, vendosa ta shfrytëzoj për kamping dhe jam i kënaqur.
Ata që vijnë janë nga e gjithë Europa, por kryesisht nga Zvicra, Çekia, Polonia, Holanda dhe Anglia. Vijnë buzë liqenit dhe vizitojnë Drilonin, Tushemishtin” pohon ai.
Marrë nga Monitor.al